Nga janari në Manastirin “Mater Ecclesiae”, në Vatikan, gjashtë murgesha argjentinase
R.SH. / Vatikan
Që nga ditët e para të janarit, gjashtë murgesha të urdhrit benediktin të Abacisë së Shën Skolastikës, në dioqezën San Isidro të qytetit argjentinas Viktoria, provincë e Buenos Ajres, u vendosën në manastirin “Mater Ecclesiae” në Vatikan. Lajmi jepet përmes një komunikate, përhapur nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Në të kujtohet se Shën Gjon Pali II, me brevën Jeta kundruese të 25 marsit 1994, ngriti kanonikisht në qytetin e Vatikanit manastirin e murgeshave të jetës kundruese, me titullin “Mater Ecclesiae”.
Gjashtë murgeshat e Urdhrit Benediktin të Abacisë së Shën Skolastikës së Viktorias, të shoqëruara nga abatesha, mbërritën në Romë më 3 janar. U pritën nga kardinali Vérgez, kryetar i Guvernatoratit të Vatikanit. Formuan, kështu, bashkësinë murgare në manastirin, i cili ishte "shtëpia" e Benediktit XVI për gati një dekadë pas dorëheqjes, e deri në vdekje.
Pas vdekjes së Benediktit XVI, i cili deshi t’i kalonte atje vitet e fundit të jetës së tij duke e shoqëruar kishën me lutje, Papa Françesku, me një letër autografe të datës 1 tetor të këtij viti, urdhëroi që manastiri të rifillonte jetën e tij të zakonshme: atë soditëse të urdhërave që mbështesin Atin e Shenjtë në shqetësimet e tij të përditshme për të gjithë Kishën, nëpërmjet shërbesës së lutjes, adhurimit, lavdërimit dhe shpërblimit, duke qenë kështu një prani lutjeje në heshtje dhe vetmi.
Për këtë qëllim i thirri Papa murgeshat e urdhrit benediktin të Abacisë së Shën Skolastikës në Viktoria, të cilat e pranuan bujarisht ftesën e tij: gjashtë prej tyre, sipas statutit, do të formojnë bashkësinë monastike e cila, që nga janari, nisi të jetojë në Vatikan. Papa Françesku vendosi gjithashtu që Guvernatori i Shtetit të Qytetit të Vatikanit të jetë përgjegjës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me manastirin “Mater Ecclesiae”.