Nga Jerusalemi, udhë e pandërprerë bashkimi
R.SH. - Vatikan
Gëzimi, që solli shtegtimi i Papës Pali VI gjashtëdhjetë vjet më parë në jetën e qytetit të Jerusalemit, risia që ngjalli, janë ende pjesë e jetës aktuale të të krishterëve të Tokës Shenjte. Si gjithmonë dhe si me të gjitha gjërat, që kanë të bëjnë me Jerusalemin, domethënia e thellë e atyre ngjarjeve dhe, në veçanti, takimi i Atit të Shenjtë me Patrikun Ekumenik Atenagora, ia ndryshoi fytyrën Kishës dhe i tregoi rrugën deri në ditët e sotme.
Ipeshkvi i Romës kthehej në Jerusalem, prej nga ishte nisur dy mijë vjet më parë. Në shtegtimin, që e çoi në vendet e shenjta kryesore, preku me dorë plagët, që historia i ka lënë të dukshme në gjeografinë e vendeve dhe të njerëzve, të asaj e të kësaj kohe. Por mori edhe përqafimin e madh e të fuqishëm të gjithë popullsisë, që e priti me gëzim e entuziazëm të pabesueshëm, duke u dëshmuar barinjve të saj, në mënyrë të padiskutueshme, vullnetin për të mos mbetur robinjë e historisë së vështirë të kësaj Toke, por për të shkuar më tej. Videot e kohës tregojnë Palin VI, i cili me të hyrë në Qytetin Shenjt, pothuaj u shtyp nga turma entuziaste dhe euforike.
Nganjëherë, mjaftojnë gjestet e vogla, të cilat, ndoshta pa e ditur, priteshin dhe kërkoheshin nga shumë njerëz, për ta lënë të lirë dëshirën për takim dhe paqe, që çdo njeri e ruan në zemër të vet, veçanërisht këtu në Tokën Shenjte, stërmunduar nga tensione pa fund, konflikte dhe përçarje. Jerusalemi i krishterë ishte i palëvizur, pothuajse pezull, ndërmjet ligjeve dhe rregulloreve të lashta, që dukej sikur më tepër e paralizonin sesa e mbarështonin jetën e përbashkët. Vizita e Papës Montini pati meritën ta shembë atë mur, që atëherë dukej tejet i patundur, mur i status quo-ve të ndryshme, përdorur shpesh më shumë për keq sesa për mirë, për të shmangur ndeshjet e përplasjet me njëri-tjetrin. Mjaftoi ajo vizitë e thjeshtë për të fshirë pluhurin shekullor në marrëdhëniet tona.
Takimi me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës ishte, pa dyshim, ngjarja kryesore e atij shtegtimi. Kthimi i Pjetrit pas dy mijë vjetësh në Jerusalem, vendlindja e Kishës “një dhe e pandarë”, nuk mund të mos e shikonte atë plagë, më të thellën e të gjithave, që shënoi rrugën e Kishës për një mijëvjeçar të tërë. Vërtet, kthimi i Pjetrit në Jerusalem ishte edhe fillimi i një rrugëtimi të ri për gjithë të krishterët, fillimi i afrimit, i interpretimit të ri dhe i shëlbimit të historive të tyre përkatëse, i dëshirës dhe i nostalgjisë për unitetin e humbur. Në fund të fundit, kthimi dhe rinisja nga Jerusalemi sjell gjithmonë dhe domosdoshmërisht një ndryshim të thellë. Për të krishterët, Jerusalemi është vendi që e bëri konkret Shëlbimin, i cili ia ndryshoi kuptimin faljes, drejtësisë, së vërtetës. Nuk mund të shkosh në Jerusalem pa i bërë llogaritë me këto realitete, të cilat këtu bëhen konkrete në një mënyrë krejt të veçantë e unike.
Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar në dialogun ekumenik. Sot, ne i marrim si të mirëqena qëndrimet e respektit dhe të miqësisë ndërmjet Kishave. Por për këtë duhet t’u themi faleminderit atyre, Papës dhe Patriarkut Ekumenik, si edhe guximit e vizionit të tyre. Françesku, me shtegtimin e tij të lutjes në Tokën Shenjte, në vitin 2014 dhe me takimin e rinovuar me Patriarkun Ekumenik, Bartolomeu, dëshmoi konkretisht sa larg ka ecur Kisha në ato pesëdhjetë vite e më pas. Në vitin 1964, takimi u mbajt në Malin e Ullinjve, vend kuptimplotë, por edhe periferik i qytetit të Jerusalemit. Ndërsa në vitin 2014, u mbajt në zemër të Jerusalemit të krishterë, në Varrin Shenjt, i cili nuk është vetëm vendi, që përkujton vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, por është edhe vendi që, me ose pa të drejtë, konsiderohet simbol i ndarjeve tona.
Sigurisht, ne që jetojmë në Jerusalem – shkruan kardinali Pizzaballa në “L’Osservatore Romano” - e dimë mirë sa e gjatë është ende udha e sa e vështirë është nganjëherë të rrimë e të jetojmë së bashku, por vetë fakti që kjo ngjarje shumë e rëndësishme mundi të mbahej në vendin tonë më të dashur është shenjë e padiskutueshme e rrugëtimit të bërë deri më sot. Gjashtëdhjetë vjet më parë ai përqafim rrëzoi murin e ndarjes ndërmjet dy Kishave, duke përuruar një epokë të re për jetën kishtare. Përqafimi i pesëdhjetë viteve më vonë e përtëriu valën e gëzimit dhe të bashkimit në Shpirtin Shenjt, që tashmë po jep fryte të bollshme për jetën e Kishës sot, pavarësisht se askush prej nesh nuk mund t’i parashikojë plotësisht. E shohim në restaurimet e Bazilikës, të cilat janë bërë së bashku, gjë e natyrshme sot, por e pamenduar deri pak vite më parë. Takimet, deklaratat dhe iniciativat e përbashkëta ndërmjet Kishave sot konsiderohen si gjë e zakonshme. Nismat e përbashkëta baritore, në shkolla dhe famulli, janë shprehje e një dëshire për vëllazërim, e cila nuk ndihet vetëm nga pak njerëz, por nga e gjithë bashkësia e krishterë vendase, në emërtimet e saj të ndryshme. Një shembull tjetër është Doracaku Baritor i Kishës Katolike, i cili jep këshilla konkrete për sakramentet në familjet e përziera (pothuajse të gjitha), duke respektuar ndjeshmërinë e të gjithëve.
E sot, ndoshta edhe më shumë se dje, kemi nevojë për gra e burra të guximshëm, të aftë për largpamësi, për të parë përtej dhimbjes së tanishme, që t’i çlirojnë zemrat tona të shtypura nga frika; kemi nevojë për njerëz, të cilët, si Pali VI dhe Atenagora, me fjalën dhe me gjestet e tyre të dinë t'u tregojnë sot të krishterëve të Tokës Shenjte rrugën e vështirë, por magjepsëse, drejt paqes.
(nga L’Osservatore Romano, Kard. Pierbattista Pizzaballa )