Kërko

 Giornata della Vita Consacrata, 2019.02.02 Giornata della Vita Consacrata, 2019.02.02

Rregulltarët përgatiten për Jubileun 2025, kard. Braz de Aviz: së bashku në udhëtim si në Sinod

Nga 1 deri më 4 shkurt, mbahet në Romë takimi i mbi 300 përfaqësuesve të jetës së përkushtuar nga 60 vende në përgatitje për Vitin e Shenjtë 2025. Kardinali Braz de Aviz: "Ne do të përjetojmë gjithçka si në seancën e parë të Sinodit: ulur rreth një tavoline duke dëgjuar me njëri-tjetrin, me dëshirën për paqe në komunitete dhe në botë".

R.SH. – Vatikan

Më shumë se 300 përfaqësues të formave të ndryshme të jetës së përkushtuar a të jetës rregulltare nga mbi 60 vende do të takohen në Romë nga 1 deri më 4 shkurt 2024 për një takim përgatitor për Jubileun 2025. Një rregulltar, një rregulltare, një anëtar i një instituti laik dhe një murgeshë që i përket Ordo Virginum për çdo vend do të përjetojnë një fazë të re në rrugëtimin e tyre drejt Vitit të Shenjtë 2025 për të bashkëndarë përvojat e jetës së përkushtuar dhe misionit, me dëshirën për t'u kthyer në vendet e tyre me mandatin për të vijuar të jetë një shenjë pajtimi mes popujve .

Jubileu për jetën e përkushtuar

"Shtegtarë të shpresës, në rrugën drejt paqes" është tema e Jubileut për jetën e përkushtuar që do të mbahet në Romë më 8 dhe 9 tetor 2025. Dhe burrat dhe gratë e përkushtuar duan të reflektojnë mbi nevojën e madhe për paqe, urgjencën e kohës sonë, për t'iu përgjigjur, kështu, thirrjes së Papës Françesku për të krijuar, nëpërmjet rrugëtimit jubilar, një klimë shprese dhe besimi si shenjë rilindjeje për mbarë njerëzimin.

Së bashku si në Sinod

“Ne donim të përfshiheshim së bashku me të gjithë të tjerët në Kishë në një përgatitje shumë konkrete në mbarë botën - sepse jemi të pranishëm në të gjithë botën - për Jubileun e 2025-ës”, thotë për Vatican News Kardinali João Braz de Aviz, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e jetës së përkushtuar dhe të Shoqëritë e jetës apostolike. “Ky takim – shpjegon kardinali Braz de Aviz – është i pari nga një seri ngjarjesh që i bashkojnë pesë kontinentet. Takimi është përgatitur online por 'së bashku'. Gjithçka që është në program, gjithçka që do të përjetojmë, do e bëjmë së bashku. Dhe do të përpiqemi ta jetojmë atë përvojë si seancën e parë të Asamblesë së Sinodit, duke u ulur rreth tavolinave, duke dëgjuar njëri-tjetrin, në dritën e Fjalës së Zotit”.

Stili ri

Me pak fjalë, anëtarët e jetës së përkushtuar, do të thotë rregulltarët dhe rregulltaret takohet me Sinodin: "Një stil i ri për të përgatitur një moment shumë të thellë për Kishën siç është Jubileu 2025, që na afron me përvojën e Zotit", nënvizon kardinali Braz de Aviz, duke siguruar dëshirën e të gjithëve "të ne të përkushtuarve" për t'u përgatitur, madje për t'u përgatitur "mirë" për këtë ngjarje. “Jemi në një moment reforme, ripërtëritjeje të jetës së përkushtuar, me shumë probleme – është e vërtetë – por edhe me shumë ndryshime në ecjen pas Krishtit. Ne jemi dhe duam të jemi dhuratë për Kishën, duhet të marrim frymë dhe të jetojmë me Kishën dhe prandaj duam të fillojmë menjëherë, pastaj do të kemi edhe takime të tjera më të thelluara”.

Programi

Programi do të zhvillohet përmes katër temave kryesore: më 1 shkurt Besimi në shpresë; më 2 shkurt Rritja në bamirësi; më 3 shkurt Me forcën e fesë; më 4 shkurt Dëshmitarë të shpresës. Për të pasuruar dialogun, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Dikastereve të ndryshme të Kuries Romake, duke përfshirë At Paulin Batairwa Kubuya, nënsekretar i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar dhe Motrën Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.

Ecni me njëri-tjetrin

“Në këtë moment e gjithë rruga që po ndjek Kisha dhe që po ndjek Papa Françesku është një rrugë në të cilën ne duhet të konvertohemi, pra një stil i ri i ecjes së bashku, të bindur se kjo është mënyra e të qenit Kisha”, vëren prefekti kardinal Braz de Aviz. “Sot nuk ka rëndësi që unë kam thirrjen time dhe tjetri tjetër, të gjithë së bashku formojmë realitetin e Kishës”. Sipas prefektit të Dikasterit të Vatikanit për Institutet e jetës së përkushtuar dhe të Shoqëritë e jetës apostolike, ky stil "mund të mësohet, mund të përvetësohet".

Dhe këtë duhet ta mësojmë “në një kohë kur në realitetin tonë ka hyrë një spiritualitet tepër individualist”. “Ne kemi nevojë për këtë stil të ri të ecjes së bashku, sepse shenjat e sotme janë shenja të një komunikimi, janë shenja të të qenurit bashkë – shprehet kardinali –. Edhe këtu në Dikasterin për Institutet e jetës së përkushtuar dhe të Shoqëritë e jetës apostolike, pas seancës së parë të Sinodit, filluam menjëherë t'i ndajmë gjërat mes nesh koordinatorëve dhe të gjithë njerëzve që punojnë në këtë institucion, rreth të 40-ave... Po punojmë me idenë që 'ti je pjesë e tjetrit, ti vendos me tjetrin, ti ec me tjetrin'. Kjo, për mendimin tim, do të japë shumë fryte në të ardhmen”.

Kremtimi me Papën më 2 shkurt

Ngjarja në Romë zhvillohet gjithashtu edhe në ditët në të cilat kremtohet Dita Botërore e Jetës së Përkushtuar më 2 shkurt. Atë ditë Papa Françesku do të kryesojë të kremtën e zakonshme në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. “Ne jemi shumë të lumtur – shpjegon kardinali Braz de Aviz – sepse Ati i Shenjtë ka konfirmuar se do të vijë të kremtojë me ne. Ne do të jemi bashkë për të realizuar përgatitjen e Jubileut, sipas vlerave që vetë Papa ka përcaktuar për ne dhe që janë të jemi ‘shtegtarë të shpresës’ në një kohë kur jeta vuan nga luftërat dhe sëmundjet”. Shpresa e kreut të Dikasterit të Vatikanit për Institutet e jetës së përkushtuar dhe të Shoqëritë e jetës apostolike është që “nga këto vështirësi të dalë në pah virtyti i shpresës që i krishteri e ka në zemrën e tij. Kësaj i shtojmë vullnetin për t'u përgatitur për Vitin e Shenjtë 2025 me dëshirën për paqe në komunitetet tona dhe në mbarë botën”.

30 janar 2024, 10:43