Në Qipro inaugurohet Nunciatura, Imzot Peña Parra: shtëpi e vëllazërisë, dialogut dhe paqes
R.SH. / Vatikan
Shtëpi takimi, vëllazërimi, shprese e peshtaf dialogu, bamirësie dhe paqeje. Kjo, figura që krijoi Kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, për Nunciaturën Apostolike në Qipro, përuruar më 26 janar.
Në fjalën e tij drejtuar autoriteteve fetare dhe civile, Imzot Peña Parra solli përshëndetjen "e ngrohtë" të Papës Françeskut, duke kujtuar pesëdhjetë vjet marrëdhënie diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Qipros e duke nënvizuar se përurimi i një Nunciature Apostolike është gjest diplomatik e, njëkohësisht edhe baritor e vëllazëror. Sepse “Kisha Katolike ndihet si në shtëpinë e vet në çdo komb”, duke punuar “ndërmjet” popujve. Nunciatura, kujtoi, është "shtëpia e Papës" në një vend të caktuar e, si e tillë, është thirrur për të favorizuar klimën e "familjaritetit dhe të vëllazërimit".
Përurimi i Nunciaturës në Qipro
Duke sjellë ndërmend shtegtimin apostolik të Papës në Qipro, në vitin 2021, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit i bëri të tijat fjalët e Papës kur, duke folur për vendin, përmendi "thirrjen e lindur për t'u takuar". Pikërisht “kultura e takimit” - nënvizoi imzot Peña Parra - nxit shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Nunciatura, Apostolike, pra, paraqitet si “peshtaf" ku mund të ruhen takimet e çmuara: "peshtaf dialogu" i katolikëve të zonës, me "pasurinë" e shumëllojshme të origjinës dhe riteve, latine e maronite, e edhe të krishterëve të konfesioneve të ndryshme.
Çdo nunciaturë - nënvizoi ai – është e thirrur të jetë qendër ku lulëzon vëllazëria njerëzore: sfidë, që duhet përballuar “këto ditë”. Fjala është për migracionin, "realitet që nuk është pa probleme", që duhet trajtuar mirë e, "mbi të gjitha, përmes një angazhimi konkret dhe efektiv nga i gjithë Bashkimi Evropian në rregullimin e hyrjeve dhe veçanërisht në shpërndarjen e të mirëpriturve". Shpresojmë, pra, që nunciatura “të jetë një peshtaf bamirësie” për ata që kanë nevojë, por edhe shtëpi “shprese”.
Në Qipro - vuri në dukje më tej imzot Peña Parra- hapja e një dere shprese do të thotë të jesh përballë një "plage ende të hapur, që kullon gjak", ndarjes së ishullit më dysh që nga viti 1974, kur trupat turke pushtuan një pjesë të Qipros. Kujtoi, më pas "të gjithë ata që nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre", por edhe "plagët sociale dhe personale të shkaktuara nga ndarja e ishullit dhe e katër fshatrave maronite në veri të vendit, identiteti i të cilëve duhet mbrojtur". Prej këndej, nxitja për t’i bërë "të gjitha përpjekjet", që të plotësohen, në radhë të parë, nevojat jo të pakta të njerëzve.
Nga ky këndvështrim, lindi edhe figura e “peshtafit të paqes” për nunciaturën, në dobi të popujve të të gjithë rajonit, duke menduar për Lindjen e Mesme, “aq pranë nesh, që e kemi në zemrat dhe në lutjet tona, me dhimbje dhe shqetësim të madh”- theksoi Imzot Peña Parra, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.