Kërko

Besimtarët në lutje Besimtarët në lutje  (Vatican Media)

Papa Françesku nis Vitin e Lutjes në përgatitje të Jubileut

Për ta jetuar "kohën e hirit" deri në hapjen e Portës Shenjte, Papa u kërkon besimtarëve ta "dendësojnë" lutjen e tyre. Prej këndej fillon ky vit i veçantë në të cilin të gjitha Dioqezat ftohen të propozojnë shtegtime, rrugë ose takime lutjeje individuale e komunitare. Dikasteri të Vatikanit për Ungjillëzimin do të botojë një seri "Shënimesh kushtuar lutjes".

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku nis Vitin e Lutjes, një vit kushtuar rizbulimit të vlerës së madhe dhe nevojës absolute të lutjes:

“Lutjes në jetën personale, në jetën e Kishës, lutjes në botë”.

Shpallja e Ungjillit nuk është humbje kohe, po ndihmon të tjerët të jenë të lumtur

 Papa e dha njoftimin sot, 21 janar, në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit të së dielës së pestë kushtuar Fjalës së Zotit. Pas katekizmit, u kujtoi 20 mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit se "muajt e ardhshëm do t’i prijë procesionit për hapjen e Portës Shenjte, me të cilën do të nisë Jubileu”:

“Ju kërkoj t'i intensifikoni lutjet tuaja për ta jetuar këtë kohë hiri dhe për të provuar forcën e shpresës së Zotit”

Nisma në Dioqezat e botës

E pikërisht për ta bërë këtë - sqaroi Papa Françesku – e nisim këtë vit të veçantë - pas atij të reflektimit mbi dokumentet dhe studimet e fryteve të Koncilit II të Vatikanit. Gjatë vitit, dioqezat e botës do të përpiqen të rizbulojmë qendërsinë e lutjes. Do të ndihmohemi edhe nga subvencionet që do të vërë në dispozicion Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzim” - sqaroi Papa.

Në përgatitjen për Vitin e Shenjtë 2025, Dioqezat ftohen të organizojnë çaste lutjeje individuale dhe komunitare. Propozohen edhe "shtegtimet e lutjes" drejt Jubileut ose shkollat e lutjes, me faza mujore ose javore, të kryesuara nga ipeshkvijtë, në të cilat do të përfshihet i gjithë populli i Zotit.

 Një seri "Shënimesh" nga Dikasteri për Ungjillëzimin

Për të shfrytëzuar sa më shumë këtë vit, Dikasteri Vatikanas i Ungjillëzimit do të botojë një kolanë "Shënimesh mbi lutjen", për të vënë në qendër marrëdhënien e thellë me Zotin, nëpërmjet formave të shumta të lutjes të parashikuara në traditën e pasur katolike. Kolana, por edhe i gjithë Viti i Lutjes, do të paraqitet të martën e ardhshme, më 23 janar, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, nga Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin (seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillizimit në Botë) dhe nga Imzot Graham Bell, nënsekretar përgjegjës për Sekretarinë e të njëjtit Dikaster.

21 janar 2024, 14:58