Parolin: masakra në Gazë e në Ukrainë, të respektohen të drejtat humanitare
R.SH. – Vatikan
“Gutta cavat lapidem”, pika e ujit thërmon edhe gurin. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, citoi frazën e njohur latine për t’u bashkuar me thirrjet e vazhdueshme të Papës për armëpushim në Gazë e në Ukrainë, vende ku po ndodhin “masakra” të pabesueshme. Gjatë një veprimtarie në Akademinë e Lincei në Romë, kushtuar kontributit të Selisë së Shenjtë për paqen, ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar në këto konflikte, por edhe duke komentuar reagimet ndaj dokumentit doktrinor “Fiducia Supplicans”.
Thirrjet e Papës për Tokën e Shenjtë
Kardinali Parolin e përqendroi vëmendjen në Lindjen e Mesme dhe në luftën, që duket se po zgjerohet pas lajmeve të fundit mbi sulmet në Detin e Kuq. Zëri i Papës, ndër të paktët liderë botërorë që kërkon pandërprerë përfundimin e konfliktit, mbetet i padëgjuar. Thirrjet e Françeskut, vërejti kardinali, shoqërohen me veprimtarinë diplomatike për lirimin e pengjeve, arritjen e armëpushimit, sigurimin e ndihmave humanitare dhe zgjidhjen e problemit palestinez, një herë e përgjithmonë. Ky është programi i Selisë së Shenjtë.
Të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar
Përsa u përket akuzave për genocid, bërë Izraelit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kardinali përsëriti edhe një herë qëndrimin e Vatikanit: “Izraeli ka të drejtë për mbrojtje të ligjshme, por sipas kriterit të proporcionalitetit”, që do të thotë të mos cënohen civilët, por edhe të mos teprohet në shkatërrimin e infrastrukturës e të respektohet ligji humanitar. “Civilët nuk mund të kthehen në objektiva”, theksoi Parolin.
Masakër e kotë në Ukrainë
Nuk mungoi as reflektimi për Ukrainën, në dritën e bisedave të fundit telefonike me shefin e kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, i cili foli edhe me kardinalin Matteo Zuppi, të dërguarin e veçantë të Papës për një mision dialogu, vitin e kaluar. Kardinali Parolin nënvizoi gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të qenë ndërmjetësuese, por vuri në dukje se, nga ana tjetër, nuk është bërë asnjë kërkesë për këtë. Vatikani impenjohet aktualisht për “platformën e njohur të paqes së presidentit Zelensky, veçanërisht për përmasën humanitare”. Sekretari i Shtetit shprehu dhimbjen për sulmet e përsëritura të ushtrisë ruse në territorin ukrainas: “Kasaphana vazhdon... Papa e ka thënë dhe unë e mbaj mend mirë: një masakër e kotë, çmenduria e luftës”.
Reagimet ndaj “Fiducia Supplicans”
Më pas, kardinali iu përgjigj pyetjeve mbi dokumentin e Dikasterit për Doktrinën e Fesë “Fiducia Supplicans”, i cili u krijon mundësinë e bekimit çifteve "të parregullta", duke përfshirë çiftet e të njëjtit seks. Një dokument, që ka shkaktuar reagime të mëdha. “Në Kishë – komentoi Parolin – ka pasur gjithmonë ndryshime: Kisha e sotme nuk është ajo e 2000 viteve më parë. Kisha është e hapur ndaj shenjave të kohës, tregon vëmendje ndaj nevojave që lindin, por duhet t’i qëndrojë besnike Ungjillit, traditës, trashëgimisë së saj. Pra, nëse këto ndryshime shërbejnë për të ecur sipas Ungjillit, janë të mirëpritura".
Lidhur me letrën e djeshme të kardinalit të Kinshasës, Fridolin Ambongo, në të cilën ipeshkvijtë afrikanë sigurojnë bashkimin e tyre të plotë me Papën, por nënvizojnë se do të shkaktonin shkandull në popull nëse do të bekonin çiftet homoseksuale, Sekretari i Shtetit deklaron: "Ky dokument (Fiducia Supplicans) ka ngjallur reagime të fuqishme në disa Konferenca Ipeshkvnore. Do të thotë se është prekur një pikë shumë delikate, shumë e ndjeshme, e cila do të kërkojë analizë më të thelluar”.