Kërko

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini

Ruffini: komunikimi s’është veç lidhje, por edhe pjesëmarrje e kujdes për të tjerët

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin nënshkruan parathënien e librit të Lev "Comunicare" (Të komunikosh), ku botohen dhjetë Mesazhet e Françeskut për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, të mbledhura nga Bashkimi i Shtypit Katolik Italian dhe të komentuara nga gazetarët italianë

R.SH. – Vatikan

“Të komunikosh nuk është vetëm lidhje me të tjerët”. Kështu fillon reflektimi i prefektit të Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, i cili nënshkruan parathënien e librit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit LEV, me titull "Comunicare" (Të komunikosh), ku botohen dhjetë Mesazhet e Françeskut për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, të mbledhura nga Bashkimi i Shtypit Katolik Italian dhe të komentuara nga gazetarët italianë.

Papa Françesku, nënvizon ai, e përsëriti këtë paralajmërim, duke e kthyer në “fillin e kuq" të magjisterit të tij. Por, lidhja nuk mjafton. Duhet të ndahet fati i të tjerëve dhe të kujdesemi për ta. Pikërisht mbi këtë koncept – duke u nisur nga fjalët angleze “to share” e “to care”, prefekti Ruffini denoncon faktin se “share” përdoret në botën e komunikimit vetëm për të matur numrin e shikuesve televizivë, që nevojiten për të përcaktuar sasinë e reklamave, ndërsa “care” e ka humbur gati kuptimin në një botë ku njerëzit shohin vetëm interesat e tyre. Shumë-shumë, vijon ai, interesohemi për teknologjinë e komunikimit, duke e shndërruar formën me përmbajtjen. Në këtë kuadër paraqiten mesazhet e Papës Françesku për Ditën e Komunikimeve Shoqërore.

“Kisha – vëren Ruffini – e ka konsideruar gjithnjë komunikimin si themelor për misionin e saj; e gjithnjë, e ka pranuar sfidën e kohës. Kjo duket qartë, duke filluar nga Ungjijtë e nga disa prej Letrave e Veprave të Apostujve e deri tek Papa Gregorio I, që shkruante: “Bariu i Kishës duhet të dijë kur të heshtë e të jetë në kohë për të folur, që të mos thotë atë për të cilën duhet të heshtë dhe të mos kalojë në heshtje atë që duhet zbuluar”. E jo më larg se në Mesazhin e Ditës 2023, Papa Françesku shkruan se nuk duhet pasur frikë të shpallet e vërteta, megjithëse nganjëherë s’është e lehtë, por kjo duhet bërë me zemër, me dhembshuri. “Flisni me zemër”, dëgjoni edhe heshtni me zemër: ky është lajtmotivi i të gjitha mesazheve të Atit të Shenjtë.

Paolo Ruffini citon një sërë tekstesh nga mesazhet për të mbështetur këtë mendim qendror të Papës. Përsa i përket teknologjisë, vëren prefekti, ajo sigurisht na mundëson sot gjëra që ishin të pamendueshme vetëm disa dekada më parë. Por ka e gjithmonë do të ketë gjëra, që teknologjia nuk mund t'i zëvendësojë. Ashtu si liria. Si mrekullia e takimit me njerëz. Si surpriza e të papriturës. Kthesa në udhën e Zotit. Shkëndija e ideve të mira. Dashuria pa interes. Kjo është baza e çdo komunikimi. Për këtë arsye vetëm lidhja nuk mjafton. Pa marrëdhënie të vërteta nuk ka komunikim të vërtetë. Sipas Ruffini-t, kjo është edhe arsyeja e krizës së mediave.

Në një kohë ku teknologjia rrezikon të bëhet teknokraci, ne duhet të dëshmojmë humanizmin e ri të krishterë, ku teknologjia është për njeriun dhe jo kundër njeriut. Nuk është algoritmi, që na zbulon të mirën, na takon ne ta orientojmë algoritmin drejt së mirës. Këtë mendon Papa Françesku kur na fton të përdorim dashurinë (e vetmja gjë, që përjashtohet nga makinat dhe algoritmet) si rregull edhe për mënyrën sesi e tregojmë të vërtetën. Problemi me të cilin përballemi është: si mund të jemi magjepsës pa u bërë të këqij, si mund të gjenerojmë informacione që nuk degjenerojnë, si mund të shmangim pjesëmarrjen në interpretimin e rremë të realitetit? Si mund ta dallojmë të vërtetën nga e kundërta e saj? “Unë besoj – deklaron Ruffini - se zgjidhja qëndron në rizbulimin e rëndësisë së të qenit plotësisht i pranishëm në jetë dhe jo thjesht online.

Inteligjenca artificiale na sfidon, thekson prefekti, i cili këshillon të mbahet gjithnjë parasysh se inteligjenca njerëzore ka një pasuri, që makinat nuk e kanë: zemrën, ndjenjat. "Komunikimi është (...) arritje më tepër njerëzore sesa teknologjike", nënvizon Françesku më 2014, me Mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Komunikimit. E, siç thuhet në Mesazhin e vitit 2015: «Në një botë ku aq shpesh shajmë, flasim keq, mbjellim përçarje, ndotim me thashetheme… bekimi në vend të mallkimit, vizita në vend të refuzimit, mirëseardhja në vend të luftës është e vetmja mënyrë për të këputur spiralen e së keqes, për të dëshmuar se e mira është gjithmonë e mundur".

Papa shtyn ndrejt dëshmisë së atij që di të shohë, të dëgjojë e të bëhet i afërt. Kjo është mënyra më e mirë edhe për të luftuar lajmet e rreme. “Ilaçi më i mirë kundër gënjeshtrave nuk janë strategjitë, por njerëzit: njerëz që, të lirë nga lakmia, janë të gatshëm të dëgjojnë dhe, përmes përpjekjeve për dialog të sinqertë, lënë të dalë në dritë e vërteta; njerëz që, të tërhequr nga e mira, bëhen të përgjegjshëm për mënyrën si e përdorin gjuhën. Nëse mënyra për të dalë nga përhapja e lajmeve të rreme është përgjegjësia, në të përfshihen veçanërisht ata që zyrtarisht duhet të jenë përgjegjës për informimin, pra, gazetarët, rojtarët e lajmit. Në botën bashkëkohore, gazetari nuk kryen thjesht një punë, por një mision të vërtetë. Ka për detyrë që, në furinë e lajmeve dhe në vorbullën e lajmeve të bujshme, të kujtojë se zemra e lajmit nuk është shpejtësia në raportimin e tij dhe ndikimi tek ‘audience’, por njerëzit. Informimi është formim, do të thotë të kesh të bësh me jetët e njerëzve”, thekson Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimit në vitin 2018.

Ndër gjërat e mrekullueshme të shpirtit të njeriut, para edhe çdo shpikjeje teknike, është aftësia për të ndarë jetën me të tjerët. Në një çast kaq të errët në historinë e njerëzimit, vetëm përmes bashkëndarjes së vërtetë mund të gjejmë mënyrën për t'i kthyer shpirtin çdo shpikjeje të mrekullueshme teknike e, edhe komunikimit.

Nuk është fjala – siç ka thënë Papa Françesku - për të promovuar gazetarinë "buoniste", që mohon ekzistencën e problemeve serioze dhe përdor tone të sheqerosura. Përkundrazi, një gazetari pa pretendime, armike e gënjeshtrave, e parullave tërheqëse dhe e deklaratave bombastike; një gazetari e bërë nga njerëzit për njerëzit; një gazetari, që nuk i djeg lajmet, por angazhohet për të hulumtuar shkaqet e vërteta të konflikteve, për të nxitur mirëkuptimin që nga rrënjët është kapërcim i asaj gazetarie, e cila impenjohet vetëm të gjejë zgjidhje alternative për shkallëzimin e zhurmës dhe të dhunës verbale.

Për këtë, duke u frymëzuar nga një lutje françeskane, Papa i drejton lutje Zotit në dy mesazhe, në atë të vitit 2018 e në atë të vitit 2021. Me to e mbyll edhe prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, parathënien e librit “Të komunikosh”.

O Zot, na bëj mjete të paqes sate.

Na bëj ta shohim të keqen, që fshihet në një komunikim, i cili nuk krijon bashkësi.

Na bëj të aftë ta zhdukim helmin nga gjykimet tona.

Na ndihmo të flasim për të tjerët si për vëllezër dhe motra.

Ti je besnik dhe i denjë për t’u besuar; bëj që fjalët tona të jenë fara të së mirës për botën:

ku ka zhurmë, bëj që të praktikojmë dëgjimin;

ku ka konfuzion, bëj që të frymëzojmë harmoninë;

ku ka paqartësi, bëj që të sjellim qartësi;

ku ka përjashtim, bëj që të sjellim përfshirjen;

ku ka sensacionalizëm, bëj që të përdorim maturinë;

ku ka cektësi, bëj që të shtrojmë pyetje të vërteta;

ku ka paragjykime, bëj që të frymëzojmë besimin;

ku ka agresivitet, bëj që të tregojmë respekt;

ku ka gënjeshtra, bëj që të sjellim të vërtetën.

(Papa Françesku, Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimit 2018)

Zot, na mëso të dalim nga vetvetja
dhe të vihemi në kërkim të së vërtetës.
Na mëso të shkojmë e të shohim,
na mëso të dëgjojmë, të mos kultivojmë paragjykime
e të mos dalim në përfundime të nxituara.
Na mëso të shkojmë atje ku askush nuk dëshiron të shkojë,
të marrim kohën e duhur për të kuptuar,
t’i kushtojmë vëmendje thelbësores,
të mos shpërqendrohemi nga e panevojshmja,
të dallojmë dukjen mashtruese nga e vërteta.
Na jep hirin të njohim banesat e tua në botë
dhe ndershmërinë për të treguar ato që kemi parë.

(Papa Françesku, Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimit 2021)

22 janar 2024, 15:36