Marrëdhëniet diplomatike të Selisë së Shenjtë me 184 Shtete dhe organizata
R.SH. / Vatikan
Selia e Shenjtë ka aktualisht marrëdhënie të plota diplomatike me 184 Shtete. Këtyre u duhen shtuar Bashkimi Evropian dhe Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës. Ndërsa misionet diplomatike të akredituara pranë Selisë së Shenjtë me seli në Romë, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian e Urdhrin Sovran Ushtarak të Maltës, janë 91. Me seli në Romë janë edhe Zyrat e akredituara pranë Vatikanit të Lidhjes së Shteteve Arabe, Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin dhe Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Gjatë vitit 2023, më 23 shkurt, Selia e Shenjtë vendosi marrëdhënie të plota diplomatike me Sulltanatin e Omanit. Më 19 korrik u ratifikua "Marrëveshja Plotësuese e Akordit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kazakistanit për marrëdhëniet e ndërsjellta e 24 shtatorit 1998", lidhur me dhënien e vizave dhe lejeve të qëndrimit për personelin kishtar dhe fetar që vjen nga jashtë, nënshkruar më 14 shtator 2022. Më 27 korrik u përfundua me Vietnamin "Marrëveshja mbi statutin e Përfaqësuesit Papnor rezident dhe Zyrës së Përfaqësuesit të Përhershëm Papnor në Vietnam", me emërimin e mëvonshëm, më 23 dhjetor, të një përfaqësuesi rezident.