Kërko

Kampi i refugjatëve Khan Younis Kampi i refugjatëve Khan Younis

Selia e Shenjtë: për Izraelin dhe Palestinën, zgjidhja e vetme është ajo me dy shtete

Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i Vatikanit në OKB, në Nju Jork, ndërhyn për çështjen e Lindjes së Mesme, duke përsëritur thirrjet e Papës për armëpushim: "Çdo qenie njerëzore, e çdo populli apo feje, është e shenjtë, e çmuar në sytë e Zotit dhe ka të drejtë të jetojë në paqe"

R.SH. – Vatikan

Zgjidhja më e mirë për arritjen e paqes së qëndrueshme mbetet ajo e dy shteteve, "me status të veçantë për qytetin e Jerusalemit, garantuar në nivel ndërkombëtar". Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, imzot Gabriele Caccia, foli më 24 janar, mbi gjendjen në Lindjen e Mesme dhe mbi çështjen palestineze, duke përsëritur me forcë atë, që Papa Françesku e ka deklaruar në disa raste. “Është thelbësore – vërejti imzot Caccia – që bashkësia ndërkombëtare, së bashku me liderët e shtetit të Palestinës dhe të shtetit të Izraelit, ta bëjnë të mundur këtë zgjidhje me vendosmëri të re, në këto kohë dëshpërimi dhe armiqësie”.

Shqetësimet e Papës Françesku

Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë u përqendrua në shqetësimin e Papës për luftën në vijim dhe dënoi sërish sulmin e 7 tetorit kundër popullit izraelit, përsëriti kërkesën për lirimin e pengjeve në Gazë, si edhe thirrjet për armëpushim në gjithë frontin, që të lehtësohet shpërndarja e ndihmave humanitare. Imzot Caccia shprehu bindjen se ngjarjet ushtarake në terren nuk janë "rruga për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet popujve". Gjendja humanitare në Gazë është tejet e rëndë, me vuajtje për të pafajshmit, nënvizoi ai, duke vënë në dukje se deri tani, janë vrarë më se 20 mijë vetë, ndërsa gati dy milionë të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, imzot Gabriele Caccia
Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, imzot Gabriele Caccia

Respektimi i së drejtës humanitare

Në fjalën e tij, kryeipeshkvi shprehu keqardhjen për faktin se "spitalet, shkollat ​​dhe vendet e kultit, të cilat përfaqësojnë mundësinë e fundit për ata që ikin nga dhuna në Gazë, po përdoren për qëllime ushtarake dhe si pasojë, vihen në shënjestër". Një popullsi e tërë, ngriti zërin imzot Caccia, nuk mund të paguajë pasojat e një akti mizor terrorizmi. Ai kujtoi edhe një herë qëndrimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë, sipas së cilës "çdo veprim për vetëmbrojtje duhet të udhëhiqet nga parimet e arsyes dhe të proporcionalitetit, duke respektuar të drejtën humanitare ndërkombëtare”. Vëzhguesi vatikanas iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare me thirrjen për të “mbrojtur dhe për të zbatuar ligjin humanitar”, mënyra e vetme për të “garantuar mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në situata lufte”.

Në Izrael, në Palestinë dhe në çdo pjesë tjetër të botës, përfundoi imzot Caccia, "çdo qenie njerëzore, qoftë i krishterë, hebre, mysliman, e çdo populli apo feje, është e shenjtë, e çmuar në sytë e Zotit dhe ka të drejtë të jetojë në paqe”.

26 janar 2024, 13:12