Udhëtim, reforma dhe një angazhim i palodhshëm për paqen: viti 2023 i Françeskut

Një vit intensiv dhe i ndërlikuar po përfundon për Papën, i cili në mars festoi dhjetë vjetorin e papnisë. Pesë udhëtime apostolike në RD të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, Hungari, Lisbonë, Mongoli, Marsejë. Në spitalin Gemelli, shtrimi dhe operacioni. Qindra takime, reforma e Kushtetutës së Shtetit të Vatikanit dhe shumë dokumente të tjera. Seanca e parë e Sinodit për Sinodalitetin do të mbahet në tetor. Thirrje të pandërprera për Ukrainën dhe Tokën Shenjte

R.SH. / Vatikan

2023 ishte “viti i dhjetë viteve”, ai në të cilin festoi dhjetëvjetorin e zgjedhjes në Fronin Papnor. Viti i udhëtimeve të shtyra dhe më pas të riorganizuara (Republika Demokratike e Kongos dhe Sudani i Jugut) por edhe të anuluara (Dubai për Cop28); viti i problemeve shëndetësore, i shtrimit në spital, operacionit laparotomik dhe bronkitit akut infektiv. Viti i luftërave, në Ukrainën e “martirizuar” apo ai i sulmit terrorist të Hamasit dhe reagimit izraelit kundër Gazës, kur u shumuan thirrjet dhe përpjekjet diplomatike.

Viti i fazës së parë të Sinodit mbi sinodalitetin me mbi 400 pjesëmarrës nga çdo cep i globit dhe i Koncistorit me 21 kardinaj të rinj nga vise gjeografike po aq të larmishme. E edhe viti i “gjyqeve”: procesi i reformave i pandërprerë (një mbi të gjitha, “Kushtetuta” e re e Shtetit të Qytetit të Vatikanit); proceset e hapjeve baritore, si dokumenti Fiducia Supplicans mbi bekimet për çiftet "të parregullta", i cili po ngjall reagime të përziera; proceset gjyqësore, në radhë të parë mbi të ashtuquajturin “Pallati i Londrës”. Shkurtimisht, viti 2023 ka qenë një vit intensiv dhe kompleks që po i afrohet fundit për Papën Françeskun, i cili festoi ditëlindjen e tij të tetëdhjetë e shtatë më 17 dhjetorin e kaluar.

Vdekja e Benediktit XVI

Një vit që premtoi të ishte sfidues që në fillim, me vdekjen e Papës së Nderit, Benediktit XVI, në moshën 95-vjeçare, më 31 dhjetor 2022. Jorge Mario Bergoglio, pasi kishte paralajmëruar botën për gjendjen shëndetësore të Joseph Ratzinger dhe ishte në gjendje t'i jepte lamtumirën në Manastirin Mater Ecclesiae, kryesoi funeralin e paraardhësit të tij në Sheshin e Shën Pjetrit, më 5 janar. Një ceremoni e përkorë, në prani të rreth 50 mijë besimtarëve, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit Papës Bavarez, varrosur më pas në Kriptën e Vatikanit.

Funerali i Benediktit XVI
Funerali i Benediktit XVI

Republika Demokratike e Kongos dhe Sudani i Jugut

Nëse zija karakterizoi fillimin e janarit 2023, gëzimi shënoi fundin e muajit me udhëtimin e Papës në Afrikë, "premtim i mbajtur" për të vizituar Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut. Udhëtimi ishte planifikuar për në korrik 2022, por problemet e gjurit e penguan Papën të udhëtonte në të dy vendet. Askush në mesin e kongolezëve dhe sudanezëve të jugut nuk kishte folur ndonjëherë për anulim, por vetëm për shtyrje: Françesku shkoi në Kinshasa dhe më pas në Juba nga 31 janari deri më 5 shkurt, duke takuar mijëra njerëz që duartrokitën thirrjet e tij kundër korrupsionit dhe qëllimeve grabitqare ( "Larg duart Afrika”, një nga frazat më domethënëse) dhe kundër luftërave që shkaktuan vdekje, plagosje dhe persona të zhvendosur. Takimi me viktimat e përdhunimeve dhe torturave në Kiwu-n e Veriut në Nunciaturën e Kinshasës ishte prekës, ashtu si lutja ekumenike në Juba, së bashku me primatin anglikan Justin Welby dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Ian Greenshields.

Udhëtimi apostolik në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut
Udhëtimi apostolik në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut

Hungaria

Një premtim i mbajtur ishte edhe udhëtimi në fund të prillit në Hungari,  vizituar nga Papa vetëm një mëngjes për përfundimin e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik në shtator 2021, përpara se të vazhdonte për në Sllovaki. Françesku kaloi tri ditë në trojet hungareze (28-30 prill), duke takuar edhe disa refugjatë ukrainas. E pikërisht duke parë Ukrainën e "martirizuar", nga Budapesti i bëri  një pyetje bashkësisë ndërkombëtare: "Ku janë përpjekjet krijuese për paqen?"

Papa në Budapest
Papa në Budapest

DBR në Lisbonë

Paqja si objektiv i brezave të ardhshëm ishte një nga temat themelore të udhëtimit të Papës në Lisbonë (Portugali) për Ditën e 37-të Botërore të Rinisë, nga 2-6 gusht, me një ndalesë edhe në Shenjtëroren e Fatimes. Një milion e gjysmë djem dhe vajza ishin në kryeqytetin portugez për ngjarjen e madhe botërore, e cila do të përsëritet në vitin 2027 në Seul (Kore e Jugut). Një vorbull takimesh publike dhe private për Papën, i cili, në hapjen e DBR-së, shqiptoi një nga frazat më simbolike të papnisë:

"Në Kishë ka vend për të gjithë... Të gjithë, të gjithë, të gjithë"

Françesku  gjatë WYD në Lisbonë
Françesku gjatë WYD në Lisbonë

Mongolia

As një muaj pas Lisbonës, Papa ishte në Mongoli, një vend aziatik i vendosur ndërmjet Rusisë dhe Kinës, toka e Genghis Khan dhe "shtëpia" e një bashkësie të vogël katolike, rilindur mbi rrënojave të komunizmit, e rreth 1700 njerëzve të pagëzuar. Një grigjë kaq "e vogël" sa të gjithë përfshihen në një foto: ajo e bërë përpara Katedrales së Shën Pjetrit dhe Palit, në fund të një prej takimeve të ndryshme gjatë udhëtimit, e bërë gjithashtu e paharrueshme nga gjesti i Papës në fund të Meshës në Ulaanbaatar, që shtrëngoi duart e ipeshkvit të nderit dhe ipeshkvit në detyrë të Hong Kongut, pa harruar edhe përshëndetjen "popullit fisnik kinez".

Marseja dhe udhëtimi i humbur në Dubai

Pa u çlodhur mirë nga vështirësitë e Mongolisë, më 22 shtator Françesku u nis me një aeroplan tjetër për të mbërritur në Marsejë dhe për të marrë pjesë në Rencontres Méditerranéennes, ngjarje me temën e migrimit. Para autoriteteve civile dhe kishtare të vendeve me pamje nga Mesdheu, Papa Bergoglio mbajti një fjalim të gjatë dhe të detajuar, në të cilin kërkoi zgjidhje efektive për të parandaluar që "Mare Nostrum" të shndërrohet në "Mare Mortuum". Fjalë të forta, si ato që Papa donte t’i shqiptonte në një kontekst tjetër (Dubai) për një çështje tjetër aktuale (kriza klimatike) gjatë Cop28. Fluturimi ishte gati, programi i përgatitur për një sërë takimesh konfidenciale me krerët e shteteve dhe qeverive. Po bronkiti akut e detyroi Françeskun ta anulonte udhëtimin, me këshillin e mjekëve.

Papa në Marsejë
Papa në Marsejë

Problemet e shëndetit

Në vitin 2023, Papa Françesku u shtrua dy herë në spital në Poliklinikën Gemelli: e para, në mars për bronkit infektiv që kërkonte terapinë me antibiotikë; e dyta, ndërmjet majit dhe qershorit për një laparotomi dhe kirurgji plastike të murit të barkut me protezë. Qëndrimi i parë në spital zgjati një kohë të shkurtër; i dyti rreth dhjetë ditë. I dalë nga spitali më 16 qershor, Papa nisi aktivitetin e plotë pothuajse menjëherë. “Ende gjallë” ishte përgjigjja për këdo që e pyeste për gjendjen e tij shëndetësore. "Nuk është në rendin e ditës" – përgjigjja atyre që i trembeshin mundësisë së heqjes dorë nga papnia për shkak të ligështisësë trupit.

Një tjetër provë për Papën ishte bronkiti akut në fund të nëntorit,  që e detyroi të anulonte angazhimet publike dhe private. Ashtu si në kohën e Covid-it, Papa kremtoi Engjëllin, transmetuar nga Shtëpia e  Shën Martës, por për herë të parë, me ndihmën e një ipeshkvi, për shkak të vështirësive në lexim. E njëjta gjë vlen edhe për audiencën e përgjithshme, ku megjithatë Papa, ndonëse me pak zë, deshi t’i lexonte vetë thirrjet përfundimtare për paqe.

Poliklinika Gemelli
Poliklinika Gemelli

Dhimbja për luftërat dhe misioni i Zuppit

Lufta, të gjitha luftërat, duke filluar nga ajo në Ukrainë e duke përfunduar me atë që shpërtheu në Tokën e Shenjtë, qenë kryqi i këtij viti 2023. Një vit që do të mbahet mend edhe për misionin e kardinalit Matteo Zuppi, kryetar i KII, i dërguar i Papës për "lehtësimin e tensioneve" në Ukrainë. I ndarë në katër faza (Kiev, 5-6 qershor; Moskë, 28-29 qershor; Uashington, 17-19 korrik; Pekin, 13-15 shtator), gjatë misioni Zuppi dialogoi me autoritetet politike dhe kishtare të katër vendeve, veçanërisht për çështjen e fëmijëve ukrainas të dërguar me forcë në Rusi. E vetmja çështje për të cilën vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi ndihmë nga Selia e Shenjtë, i pritur më 13 maj, për 40 minuta, në Vatikan për herë të parë që nga fillimi i luftës, pas disa bisedave telefonike (e fundit më 28 dhjetor).

kardinali Zuppi me Prersidentin Zelensky
kardinali Zuppi me Prersidentin Zelensky

 Në frontin e Ukrainës, prania e Papës u gjallërua edhe me dërgimin e ilaçeve, ushqimeve dhe ndihmave dhe me udhëtimet e shumta të kardinalit lëmoshtar Konrad Krajewski në zonat e rrënuara nga konflikti. Krajewski ishte edhe përfaqësues i Papës në Jerusalem gjatë këtyre festave të Krishtlindjes, i dërguar për t’u çuar afërsinë e ipeshkvit të Romës të krishterëve të Betlehemit dhe, në distancë, popullsisë së masakruar të Gazës.

Kardinali Krajewski në Betlehem me një grup fëmijësh
Kardinali Krajewski në Betlehem me një grup fëmijësh

Thirrjet për Izraelin dhe Palestinën

Fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, pas sulmit brutal nga terroristët e Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor, kërkoi rimendimin e metodave të reja të ndërhyrjes për zgjidhjen paqësore. Nga ana e tij Papa, që në çastin e parë kujtoi se cilat do të ishin mënyrat për të dalë nga vorbulla e dhunës: lirimi i pengjeve izraelite dhe armëpushimi i menjëhershëm. Vetë Françesku, pas telefonatave me Bidenin, Abasin dhe Erdoganin, më 22 nëntor, u takua me familjet e pengjeve dhe të afërm të personave që vuanin nga pasojat e bombave në Rrip, ku viktimat deri tani janë mbi 20 mijë. Gjesti, si dhe disa nga fjalët e Papës për faktin se ajo që po ndodh tani në Tokën e Shenjtë është "terrorizëm", ngjallën kritika dhe polemika veçanërisht nga përfaqësuesit e botës hebraike. Ashtu si në rastin e Rusisë dhe Ukrainës, Papa Françesku mbron parimin e "barazisë" që ka qenë gjithmonë "stili" i diplomacisë së Vatikanit, siç tha së fundmi Kardinali Parolin, dhe që nuk hyn në kategoritë politike, por në misionin parësor të Pasardhësit të Pjetrit për të qëndruar pranë atyre që vuajnë, pa dallim.

Papa me familjet e njerëzve që vuajnë nga lufta në Gaza
Papa me familjet e njerëzve që vuajnë nga lufta në Gaza

Sinodi mbi Sinodalitetin

Lufta në fuçinë e barutit të Lindjes së Mesme shpërtheu ndërsa Sinodi mbi Sinodalitetin kremtohej në Vatikan gjatë gjithë tetorit, kulmi i një udhëtimi trevjeçar i nisur "nga poshtë", nga dioqezat e pesë kontinenteve dhe sesioni i parë i një itinerari, që Françesku dëshiron të vazhdojë në vitin 2024 Sinodi - i paraprirë nga publikimi i përgjigjeve të Papës pesë kardinajve për çështjet doktrinore - u hap më 4 tetor me pjesëmarrjen e 464 kardinajve, ipeshkvijve, rregulltarëve, misionarëve dhe laikëve. Të vendosur në tryeza rrethore, etërit dhe nënat sinodale ofruan pika reflektimi dhe sugjerime për t'iu përgjigjur kërkesave dhe dëshirave të kishave në mbarë botën për tema të tilla si roli i laikëve dhe i grave, shërbesa e ipeshkvijve, meshtaria, misioni dixhital, ekumenizmi, abuzimi… Gjithçka u përmblodh në një raport përfundimtar të votuar dhe publikuar më 28 tetor.

Sinodi mbi Sinodalitetin
Sinodi mbi Sinodalitetin

Laudate Deum dhe dokumente të tjera

Në një vit të karakterizuar nga kardinaj të rinj dhe emërime të reja në Kurie, nga rinovimi i C9, nga ngritje apo riemërtime pozicionesh, duhen theksuar edhe disa dokumente. Para së gjithash, nxitja apostolike Laudate Deum, vazhdim i Laudato si' me të cilën Papa bëri edhe një herë thirrje kundër krizës së shtëpisë së përbashkët (4 tetor); pastaj nxitja apostolike C'est la confiance për 150 vjetorin e lindjes së Shën Terezinës (15 tetor); në fund letra apostolike Sublimitas et miseria hominis kushtuar veprës së filozofit dhe teologut Blaise Pascal, në qindvjetorin e katërt të lindjes së tij (19 qershor).

Disa dokumente të tjera të publikuara në vitin 2023 vulosën faza të rëndësishme të procesit të reformës së nisur që nga fillimi i papnisë. Ndërmjet tyre spikat Ligji Themeltar i datës 13 maj, me të cilin Papa reformoi “Kushtetutën” e shtetit të qytetit të Vatikanit, duke zëvendësuar atë të vitit 2000, për të vënë në funksion angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Selia e Shenjtë. Më 6 janar, Papa botoi kushtetutën apostolike In Ecclesiarum Communion për të riorganizuar Vikariatin e Romës. Kjo u pasua, gjatë vitit, me dekrete, rishkrime dhe Motu proprio, duke përfshirë modifikimin e legjislacionit penal dhe të sistemit gjyqësor të Vatikanit (12 prill).

Besimi Supplicans

Përsa i përket çështjes së dokumenteve, meritojnë përmendje të veçantë ato të lëshuara nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë, tani të udhëhequr nga kardinali argjentinas Victor Manuel Fernández, ndërmjet nëntorit dhe dhjetorit, në përgjigje të pyetjeve të ipeshkvijve ose kardinalëve. Ka tema të ndryshme: mundësia e pagëzimit për personat transeksualë si dhe fëmijët e çifteve homoseksuale edhe nëse lindin nga një bark me qira; ndalimi i bashkimit të katolikëve me masonerinë; vendosja e hirit të të ndjerit; inkurajimi i nënave beqare për të hyrë në Sakramentet. Një dokument me vlerë të lartë doktrinore, i publikuar më 18 dhjetor, është Fiducia Supplicans, i cili, i miratuar nga Papa, hap mundësinë e bekimit të çifteve "të parregullta", por jashtë çdo ritualizimi dhe imitimi të një dasme. Dokumenti, megjithëse u pranua gjerësisht në disa dioqeza, shkaktoi reagime negative nga disa ipeshkvi.

Fiduacia Supplicans

Përsa i përket çështjes së dokumenteve, meritojnë përmendje të veçantë ato të lëshuara nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë, tani i udhëhequr nga kardinali argjentinas Victor Manuel Fernández, ndërmjet nëntorit dhe dhjetorit, në përgjigje të pyetjeve të ipeshkvijve ose kardinajve. Ka tema të ndryshme: mundësia e pagëzimit për personat transeksualë si dhe fëmijët e çifteve homoseksuale edhe nëse lindin nga një bark me qira; ndalimi i bashkimit të katolikëve me masonerinë; vendosja e hirit të të ndjerit; inkurajimi i nënave beqare për të hyrë në Sakramentet. Një dokument me vlerë të lartë doktrinore, i publikuar më 18 dhjetor, është Fiducia Supplicans që, i miratuar nga Papa, hap mundësinë e bekimit të çifteve "të parregullta", por jashtë çdo ritualizimi dhe imitimi të një dasme. Dokumenti, megjithëse u pranua gjerësisht në disa dioqeza, shkaktoi reagime negative nga disa ipeshkvi.

Procesi

Viti 2023 do të mbahet mend si viti që pa përmbylljen e procesit të gjatë dhe kompleks gjyqësor për menaxhimin e fondeve të Selisë së Shenjtë, i përfunduar pas 86 seancave dëgjimore më 16 dhjetor me një dënim të shkallës së parë prej 37 vjetësh për nëntë të pandehur. Gjyqi për çështjen civile të ish-auditorit të përgjithshëm Libero Milone dhe gjyqi për menaxhimin financiar të korit të Kapelës Sistine filluan më pas në Gjykatën e Vatikanit përkatësishnë janar dhe maj. Në temën e gjyqeve, më 27 tetor Françesku vendosi të heqë dorë nga parashkrimi për të lejuar gjykimin e ish-jezuitit dhe artistit të njohur Marko Rupnik, i akuzuar për abuzim psikologjik dhe seksual nga disa murgesha.

Një shikim në vitin 2024

Për sa i përket vitit 2024, vetë Papa kujtoi angazhimet e tij të ardhshme në disa nga intervistat e shumta të dhëna këtë vit. Papa Bergoglio ka folur disa herë për mundësinë e një udhëtimi në vendlindjen e tij, Argjentinë, nga nëntori nën drejtimin e presidentit të ri Javier Milei. E përsëriti këtë edhe në intervistën e fundit për TV meksikan N+ ku foli për udhëtime të mundshme në Belgjikë dhe Polinezi. Më parë pati përmendur edhe një udhëtim në Kosovë. Në pritje të konfirmimit për "lëvizjet ndërkombëtare", vitin e ardhshëm Papa do të vazhdojë të lëvizë brenda Romës, duke vazhduar takimet me priftërinjtë në famulli të ndryshme, nisur nga periferia, siç ka bërë muajt e fundit duke shkuar në lagjet e Primavalle, Villa Green dhe Acilia. Gjithashtu për vitin 2024 planifikohet një vizitë në Verona, më 18 maj. E tanimë sytë drejtohen nga Jubileut 2025, për të cilin, veç vijimit të përgatitjeve, janë zhvilluar dy takime dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë italiane.

30 dhjetor 2023, 19:29