Kërko

S.E.R. Visvaldas Kulbokas, Nunzio Apostolico in Ucraina S.E.R. Visvaldas Kulbokas, Nunzio Apostolico in Ucraina

Ukrainë, nunci apostolik: Selia e Shenjtë punon për një tryezë humanitare

Imzot Visvaldas Kulbokas, në një intervistë dhënë për TV2000, shpreson se një grup vendesh do të shoqërojnë dhe ndihmojnë Kievin dhe Moskën, "sepse në kuptimin njerëzor sot është mëse e nevojshme që ne të gjithë të ulemi rreth një tavoline në emër të njerëzimit". Dhe shton: “Misioni i kardinalit Zuppi ka krijuar kanale përmes të cilave puna vazhdon”

R.SH. / Vatikan

“Kemi nevojë për një tryezë humanitare për të arritur paqen”: këtë deklaroi Nunci Apostolik në Ukrainë, Imzot Visvaldas Kulbokas, në një intervistë për TV2000, duke folur për konfliktin që vazhdon në vend. “Një luftë si kjo - shpjegon imzot Kulbokas - nuk zgjidhet lehtë, por Selia e Shenjtë, duke pasur një rol të veçantë si Kishë, ka mundësinë të propozojë mekanizma për të arritur këtë qëllim. Në këtë drejtim përpjekjet vazhdojnë. Kur kuptohet që një format nuk funksionon, duhet kërkuar një tjetër, duhen provuar shtigje tjera të mundshme. Është një punë e pareshtur”.

“Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën – shton imzot Kulbokas – sepse një luftë kaq e egër shkatërron mekanizmat e dialogut dhe kontakteve. Na duhet sigurisht një grup shtetesh për të shoqëruar dhe ndihmuar Kievin e Moskën. Jo vetëm Ukrainën si një vend i sulmuar, por edhe Rusinë, sepse në aspektin njerëzor sot është e nevojshme që ne të gjithë të ulemi rreth një tavoline në emër të njerëzimit. Kisha nuk ka propozime specifike në nivelin politik - vazhdon përfaqësuesi diplomatik i Selisë së Shenjtë në Ukrainë -. Ne përqendrohemi në aspektet njerëzore, por nëse gjejmë një tryezë të përbashkët pune për aspektet humanitare, kjo mund të inkurajojë të përshkohen edhe aspekte të tjera të dialogut”. Dhe pikërisht nga kjo tryezë humanitare diplomati i Vatikanit shpreson se mund të ndizet një shkëndijë shprese.

Angazhimi humanitar i Selisë së Shenjtë

Nunci apostolik në Ukrainë Imzot Kulbokas më pas nënvizon se “Selia e Shenjtë nuk mund të heqë dorë nga përpjekjet për të gjetur paqen”. “Ne jemi ende në fushën e tentativave, por konkrete – shpjegon ai –. Ashtu si misioni që Papa Françesku i besoi kardinalit Zuppi. Ajo nuk u kufizua vetëm në disa vizita. Vizitat e kardinalit Zuppi kanë krijuar kanale dhe mekanizma mbi të cilët puna vazhdon. Më e rëndësishmja, për shembull, është puna që përfshin fëmijët, e ne shpresojmë që ata të mund të kthehen në Ukrainë". Është "një punë shumë komplekse që përfshin zyra të ndryshme: nunciaturën apostolike të Kievit dhe Moskës dhe Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit", saktëson Imzot Kulbokas, duke informuar se "për momentin po punohet për rreth njëqind fëmijë", me idenë për të ndihmuar edhe 4 mijë të tjerë.

31 janar 2024, 10:07