Kërko

Hyrja e spitalit Bambino Gesù Hyrja e spitalit Bambino Gesù

100 vite më parë, “Bambino Gesù” bëhej “Spitali i Papës”

Që nga dhurata e dukës Salviati për Selinë e Shenjtë, në vitin 1924, spitali i parë pediatrik italian është bërë një nga më të mirët në fushën e mjekësisë e të punës kërkimore shkencore. Një video kujton historinë e tij

R.SH. – Vatikan

Njëqind vjet më parë, Spitali Pediatrik “Bambino Gesù” u bë "Spitali i Papës", pikë referimi për trajtimin e gjithë fëmijëve të sëmurë në Romë dhe në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. Një "histori dashurie", siç nënvizohet në videon zyrtare, që përkujton ngjarjen e 20 shkurtit 1924, kur familja e dukëve italianë Salviati, përmes vikarit të atëhershëm, kardinalit Basilio Pompili, me pëlqimin e Papës Piu XI, i dhuroi Selisë së Shenjtë ndërtesën e spitalit, themeluar më 1869. Gjithsej, 12 shtretër në shtëpinë, që ishte pronë e dukëve Arabella dhe Scipione Salviati në Via delle Zoccolette, në qendër të Romës, spitali i parë pediatrik italian.

Videoja përkujtimore e 100-vjetorit të dhurimit të spitalit “Bambino Gesù” Selisë së Shenjtë

Historia e spitalit

Në pak më pak se njëzet vjet, më 1887, spitali u zhvendos në manastirin e lashtë të Shën Onufrit, në Gianicolo, ku ndodhet aktualisht, në pritje për transferimin në zonën e ish-spitalit romak Forlanini, planifikuar për vitin 2030. Përpara se t’i dhurohej Selisë së Shenjtë, në spitalin “Bambino Gesù” ishin kuruar 33 mijë fëmijë, ishin përballuar emergjenca si tërmeti i Avezzano-s, më 1915, kur u strehuan 420 fëmijë dhe epidemia e gripit spanjoll gjatë Luftës së Madhe të 1918-ës, kur të shtruarit në spital arritën në 300 vetë.

Një qendër jashtëzakonisht cilësore

Pas mbylljes së detyruar, për shkak të Luftës II Botërore, spitali u zhvillua gjithnjë e më shumë në dekadat në vijim, duke hapur seli të tjera si në Santa Marinella më 1917, në Palidoro më 1978, në zonën romake të San Paolo-s më 2012 dhe në Passoscuro më 2022. Gjithashtu, ai është i integruar në  Shërbimin Shëndetësor kombëtar italian dhe njihet si spital kërkimor e universitar. I vizituar për herë të parë nga Papa Gjoni XXIII më 1958 e, pastaj, edhe nga Pali VI më 1968, Gjon Pali II më 1979, Benedikti XVI më 2005 dhe nga Papa Françesku më 2017, spitali “Bambino Gesù” është sot poliklinika dhe qendra më e madhe e pediatrisë kërkimoro-shkencore në Evropë, e lidhur me qendrat kryesore ndërkombëtare në këtë sektor. Mbi 30% e shtrimeve kanë të bëjnë me pacientë që vijnë nga jashtë rajonit të Lazio-s, ndërsa 14% janë me shtetësi të huaj. Në vitin 2023, 18 mijë fëmijë u kuruan për sëmundje të rralla

Spitali Bambino Gesù, Pavijoni i Shën Onufrit (1923)
Spitali Bambino Gesù, Pavijoni i Shën Onufrit (1923)
20 shkurt 2024, 13:05