Imzot Gallagher: dy shtete, zgjidhja e vetme e konfliktit në Tokën Shenjte
Osservatore Romano
"Një zgjidhje me dy shtete, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij konflikti të pafund, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë më në fund në paqe dhe siguri": qëndrimi i Vatikanit në lidhje me situatën dramatike në Tokën e Shenjtë u përsërit mëngjesin e sotëm, e premte, 2 shkurt, nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, në Marsejë. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare mori pjesë në një konferencë në Bazilikën Notre-Dame-de-la-Garde me trupat konsullore, përfaqësuesit e bashkësive lindore, priftërinjtë, diakonët dhe krerët e shërbimeve arkidioqezane të Kishës lokale franceze, udhëhequr nga Kardinali Jean-Marc Aveline. Para se t'u përgjigjej pyetjeve të të pranishmëve, prelati foli për diplomacinë e Selisë së Shenjtë në rrethanat aktuale. Duke rikujtuar shqetësimet e shprehura në disa raste nga Papa Françesku, foli për Lindjen e Mesme të copëtuar nga përçarjet, për vuajtjet e popujve irakianë dhe sirianë dhe për refugjatët në Jordani e Liban; për «rrënjosjen e konfliktit të Federatës Ruse në Ukrainë, pas gati dy vjet lufte dhe qindra mijëra viktimave të pafajshme»; për marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit në Kaukazin jugor, me dramën e të shpërngulurve në Nagorno-Karabakh; për “Tensionet e forta në Amerikë, veçanërisht ndërmjet Venezuelës dhe Guajanës, Perusë dhe Nikaraguas, ku edhe nëse nuk ka luftë të hapur”, ka “dukuri polarizimi, që i dobësojnë institucionet demokratike”. Foli edhe për «kontinentin afrikan, goditur nga kriza të shumta humanitare nga terrorizmi ndërkombëtar (veçanërisht në Sahel), nga problemet komplekse socio-politike dhe nga efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, si dhe nga pasojat e grushteve të shtetit ushtarak dhe disa rezultate zgjedhjesh të karakterizuara nga korrupsioni, frikësimi dhe dhuna”, me pasojë fenomenet migratore, gjithashtu në qendër të vizitës së Papës në Marsejë, shtatorin e kaluar, për përfundimin e “Rencontres Méditerranéennes”.
Duke pyetur veten se çfarë mund të bëjë diplomacia përballë tragjedive të kësaj bote, Imzot Gallagher rikujtoi historinë e veprimit të Selisë së Shenjtë, e cila përmes rrjetit të përfaqësive papnore, ka marrëdhënie me 184 vende. Vendi i parë ishte mbretëria e Francës në shekullin e 15-të. “Objektivat e saj themelore dhe të pandryshueshme - të përbashkëta për papni të ndryshme – janë mbrojtja e lirisë së kultit dhe e lirisë fetare; promovimi i vizionit etik të çështjeve të mëdha, që shqetësojnë njerëzimin; mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave themelore; promovimi i pajtimit, i paqes dhe i zhvillimit të gjithanshëm të njeriut”.
Mbi të gjitha - shtoi - “duhet punuar për paqen, fjalë e brishtë e njëkohësisht kërkuese, në një çast historik kur kërcënohet, dobësohet e, pjesërisht, humbet gjithnjë e më shumë”. Imzot Gallagher e përkufizoi si "diplomaci atipike", "të lirë nga çdo ambicie politike, ekonomike apo ushtarake" që, me kalimin e kohës, "mundi ta kthejë veçorinë e saj, në forcë dhe zërin e saj, në busull që drejton ndërgjegjet nëpër tragjeditë e kësaj bote".
Konkretisht - vazhdoi Prelati - “veprimi ynë ka të bëjë me thurjen e rrjetave; me promovimin e dialogut ndërmjet palëve ndërluftuese, kushdo qofshin ata; me kontributin në zgjidhjen e konflikteve gjeopolitike pa poshtëruar të mundurit, për të arritur paqen e qëndrueshme; me luftën për zhdukjen e varfërisë; me politikën e çarmatimit, tranzicionin ekologjik, mbrojtjen e dinjitetin njerëzor, për të kursyer vuajtjet e popullatave". Me vetëdijen se "kjo etikë e jetës, e bazuar në parimet morale dhe kjo "kulturë e takimit" mes njerëzve kërkojnë durim të madh, aftësi për të dëgjuar, maturi dhe besim". Duke renditur "shenjat e shpresës në muajt e fundit, të cilat dëshmojnë se diplomacia është aktive, ai përmendi emërimin e një përfaqësuesi papnor me banim në Hanoi, falë edhe bashkëpunimit të Kishës së Vietnamit; ratifikimin e Marrëveshjes Suplementare ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kazakistanit, e cila lehtëson praninë e agjentëve baritorë në vendin e Azisë Qendrore; Njëqindvjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Panamasë, të 70-tin e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit, të 60-tin e marrëdhënieve me Republikën e Koresë dhe të 50-tin e atyre me Australinë.
Dhe gjithë kësaj, komentoi ai, “i shtohet qartë ndërmjetësimi i ndikimit të ushtruar drejtpërdrejt nga Papa”, duke qenë se “diplomacia e Selisë së Shenjtë parashikon edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Papës”, si gjatë seancave dëgjimore në Vatikan me krerët e shteteve dhe qeverive dhe personaliteteve të tjera publike, ashtu edhe gjatë shtegtimeve apostolike, si ato të fundit në Mongoli, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut e në Hungari. Së fundi, “një fushë tjetër është angazhimi i Kishës për dialogun ndërfetar” parë si “rrugë e mirëfilltë e paqes”.
Dita marsejeze e sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare nisi herët në mëngjes, në bazilikën e Saint-Victor, ku përfundoi procesioni tradicional i festës së Paraqitjes të Zotit. Prej shekujsh qyteti mesdhetar me rastin e "Kandelorës” - apo “Festës së Qirinjve" e kremton këtë rit të devoçmërisë popullore, duke u zgjuar në orën 6 nën tingujt e kambanave: pas mbërritjes së Ungjillit nga deti në Portin e Vjetër, një procesion lutjesh shkon deri në gërmadhat monumentale të Abacisë së moçme Saint-Victor, për kremtimin e Meshës në kriptën e lashtë.
Në predikimin e sotëm, Kryeipeshkvi Gallagher u përcolli të pranishmëve "falënderimet dhe inkurajimin e Papës Françesku" i cili - u kujtoi - "shtatorin e kaluar, u prek thellësisht nga ngrohtësia e pritjes suaj, nga guximi me të cilin përballoni ditë për ditë sfidat dhe fatkeqësitë dhe nga përkushtimi juaj për qytetërimin e takimit me Zotin dhe me të tjerët." E pikërisht "festa e takimit" është emri, me të cilin nisi në Lindje festa e Paraqitjes në Tempull. Duke rindërtuar historinë e saj, kremtuesi u përqendrua te "personazhet kryesore" të këtij takimi në Tempullin e Jerusalemit - Virgjëra Mari, Jozefi, Krishti Fëmijë dhe dy pleqtë, Simeoni dhe Ana - si dëshmitarë të shpresës. Po kështu edhe Marseja, kryeipeshkvnia dhe qyteti, i cili me banorët e tij përfaqëson një "mozaik shprese", duke mirëpritur emigrantët e shumtë, që mbërrijnë këtu në kërkim të një ardhmërie më të mirë. Lidhur me këtë, prelati i ftoi besimtarët të kërkojnë «forcën e Zotit, duke kujtuar antifonën e lashtë të festës së sotme: “Senex puerum portabat, puer autem senem regebat” (Plaku e barti djalin, por djali e sundoi plakun).
Riti përfundoi me bekimin e qirinjve të blertë, të cilët të kujtojnë ngjyrën e mantelit të Virgjërës, dhe të “navetave”, biskota të aromatizuara me lule portokalli, në formë varke karakteristike, që sipas traditës simbolizojnë mbërritjen në Provence të tri Marive, dishepulle të Krishtit.