Kërko

Kard. Konrad Krajewski në Borodjanka, Ukrainë Kard. Konrad Krajewski në Borodjanka, Ukrainë 

Kard. Krajewski: "Zot, të kërkoj përvujtnisht mrekullinë e paqes në Ukrainë"

Me rastin e dyvjetorit të shpërthimit të luftës në vend, Kardinali lëmoshtar i Papës reflekton për konfliktin, duke nënvizuar rëndësinë e lutjes dhe duke kujtuar solidaritetin e madh ndaj këtij populli të plagosur. Kardinali ka bërë deri më sot shtatë udhëtime, me më se 240 kamionë ndihma dërguar në Ukrainë gjatë dy vjetëve.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e dyvjetorit të shpërthimit të luftës në vend, Kardinali lëmoshtar i Papës, kardinali Krajewski reflekton për konfliktin, duke nënvizuar rëndësinë e lutjes dhe duke kujtuar solidaritetin e madh ndaj këtij populli të plagosur. Kardinali ka bërë deri më sot shtatë udhëtime, me më se 240 kamionë ndihma dërguar në Ukrainë gjatë dy vjetëve.

Prej dy vitesh e mbaj distinktivin e flamurit të Ukrainës, për të mos harruar se ka luftë, se çdo ditë në të, dy kombet në konflikt, vdesin kaq shumë njerëz. E shtohet numri i jetimëve, i të vejave, i të plagosurve.  Prej dy vjetësh ndjehem ukrainas dhe vuaj me ukrainasit. Prej dy vjetësh lutem për paqen dhe çdo ditë, kur kremtoj Meshën Shenjte, ndalem në heshtje, pas uratës së Atynës, kur shqiptoj fjalët: "Çlirona, o Zot, nga çdo e keqe dhe jepu paqe ditëve tona".

Për dy vjet, çdo ditë jam lutur që dy presidentët dhe këshilltarët e tyre të ulen rreth një tryeze: kjo do të ndihmonte për shpëtimin e jetëve njerëzore. Derisa ta bëjnë këtë, vallja e vdekjes do të vazhdojë.

Shtatë herë kam qenë në Ukrainë në emër të Atit të Shenjtë dhe kam parë atë që nuk duhet të ndodhë kurrë më: burrin duke vrarë burrin, vëllai- vëllain. Të duket sikur  lufta ka nisur nga hakmarrja kundër një populli që ka të drejtë të jetojë në paqe.

Në këto dy vite të gjata pashë edhe shumë gjeste solidariteti, gjë që është e pabesueshme.

Takova shumë njerëz vullnetmirë, që ia kushtojnë kohën e burimet e tyre   të tjerëve, domethënë miliona refugjatëve, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës me një qese të vetme plastike në dorë. Shumë njerëz vullnetmirë vijojnë edhe sot të strehojnë refugjatë ukrainas në shtëpitë e tyre. Kjo është faqja tjetër e luftës së mallkuar, ajo që jep shpresë.

Falënderoj Zotin sepse vetëm nga Roma, falë kaq shumë njerëzve, arritëm t’u dërgojmë më shumë se 240 kamionë me ndihma humanitare territoreve në luftë.

Është e vërtetë se çdo luftë është disfatë, thotë Papa Françesku.

E vërtetë se të gjitha shtetet prodhojnë armë, i shesin dhe fitojnë shumë. Dhe është po kaq e vërtetë se pothuajse askush nuk flet për paqen, përveç Atit të Shenjtë. Ata përsërisin vetëm këtë frazë: "Kushdo që dëshiron paqen, duhet të përgatitet për luftë". Domethënë, duhet të blejë armë.

Prandaj e pyes veten: “Kur do të mbretërojë paqja në zemrën time? Kur mund të bëhem njeriu i aftë për të mbjellë paqe dhe për të dhuruar paqe?” Unë personalisht mbushem me paqe kur përjetoj mëshirën. Kur pas rrëfimit më falen mëkatet e kur filloj të fal. Në atë çast jam plot paqe, paqe që nuk vjen nga bota, por drejtpërdrejt nga Zoti. Në atë çast i ngjas Atij, që më fali.

Mëshira është emri i dytë i Zotit, i pari është Dashuria. Urdhërimi më i rëndësishëm na fton t’i duam Zotin dhe të tjerët. Paqe nuk do të thotë thjesht të ndalosh zjarrin, të bësh armëpushim, por të jesh i veshur me mëshirë, domethënë të falësh dhe të kërkosh falje.

Ne duhet ta vendosim Zotin në vend të parë, të tjerët në vend të dytë e "veten" në të tretin, të gjithë përpara, të gjithë janë më të rëndësishëm se unë, jeta e tyre është më e rëndësishme se imja. Kushdo që vë në vend të parë Zotin, Zotin që do jetën, çdo jetë njerëzore, ndërton paqen.

Një tjetër kamion me ushqime për popullin ukrainas do të niset nesër nga Bazilika e Shën Sofisë në Romë, në emër të Atit të Shenjtë. Është ndihmë për njerëzit që janë të rraskapitur nga lufta, por jo të zhgënjyer, e dhe të bindur se paqja është ende e mundur.

Ne duhet t'i mbështesim ata me lutje, e cila për besimtarët mund të lëvizë malet, e lëre më të ndalojë këtë luftë të marrë:

Zot, të kërkoj përvujtërisht mrekullinë e paqes. Ti, që je i Gjithëpushtetshëm, e di se ne kemi nevojë për paqe, atë paqe që vetëm Ti mund të na e japësh. Jepu atyre që e duan, dëshirën për të bërë mirë, e atyre që e pengojnë, shërimin e pajtimin me Ty dhe me vëllezërit e tyre, duke u larguar nga e keqja, sepse çdo luftë është gjithmonë disfatë".

24 shkurt 2024, 11:47