Kardinali Czerny viziton Sudanin e Jugut, një vit pas udhëtimit të Papës
R.SH. - Vatikan
Një vit pas udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Sudanin e Jugut, prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, do të shtegtojë në vendin afrikan nga 2 deri më 9 shkurt. Sipas programit të vizitës, do të vizitojë Juba-n, Malakal-in dhe Renk-un. Ndërmjet tjerash, do të kryesojë një Meshë në Katedralen e Shën Terezës, në Juba, të dielën, më 4 shkurt - dhe një Meshë në Malakal, në Kishën e Shën Jozefinës Bakhita, më 8 shkurt, Ditë botërore e lutjes dhe reflektimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Bekimi i një varke emigrantësh
Gjatë udhëtimit, kardinali Czerny do të vizitojë edhe Renk-un, në kufi me Sudanin, e do të bekojë një varkë, të cilën Karitasi lokal do ta përdorë për të transportuar emigrantë dhe refugjatë përgjatë lumit Nil, nga Renk në Malakal.
Shtegtimi i Françeskut
Papa Françesku e vizitoi Sudanin e Jugut nga 3 deri më 5 shkurt 2023, me moton "Lutem që të gjithë të jenë një". Ishte "shtegtim ekumenik i paqes" i kryer së bashku me Primatin e Kishës Anglikane, me Kryeipeshkvin e Canterbury, Justin Welby dhe me Moderatorin e Përgjithshëm të Kishës Presbiteriane Skoceze, Iain Greenshields. Gjatë vizitës së tij apostolike në Sudanin e Jugut, më 3 shkurt Papa u takua në kopshtin e Pallatit Presidencial me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik; më 4 shkurt takoi ipeshkvijtë, priftërinjtë, murgeshat dhe seminaristët në Katedralen e Shën Terezës, në Jubë; u takua, në Sallën e Lirisë, edhe me njerëzit e zhvendosur brenda vendit; mori pjesë në një shërbim lutjeje ekumenike në mauzoleumin John Garang dhe kryesoi Eukaristinë në Mauzoleumin John Garang, të dielën më 5 shkurt.