Kremtimet e Papës për Javën e Shenjtë dhe Pashkën
R.SH. / Vatikan
Koha e Kreshmës është ende në fillimet e saj, por axhenda papnore - e bërë e ditur sot nga kryeipeshkvi imzot Diego Ravelli, mjeshtër i ceremonive papnore - tashmë po shikon drejt javës më intensive, e cila do të fillojë më 24 mars, të dielën e Larit, kur Françesku do të kryesojë në orën 10:00. Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, e cila përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe momentet e Mundimeve të tij. Me të Dielën e Larit fillon Java e Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Të enjten e Madhe të Pashkëve, më 28 mars, përsëri në Bazilikën e Vatikanit, Papa do të kremtojë Meshën e Bekimit të Vajrave të Shenjta, e njohur si Mesha e Bagmit në orën 9.30, në ditën kur meshtarët rinovojnë premtimet e tyre.
Nga e Premtja e Madhe deri në Pashkë
E Premtja e Madhe e Pashkëve do të shohë takimin e zakonshëm të dyfishtë me kremtimin e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht në orën 17:00 në Shën Pjetër, në Vatikan dhe më pas në orën 21:15 riti tradicional u Udhës së Kryqit midis pishtarëve të besimtarëve dhe harqeve të Koloseut, në Romë.
Kështu në mbrëmjen e datës 30 mars, të Shtunën e Madhe të Pashkëve, duke filluar nga ora 19.30, Vigjilja e kryesuar nga Françesku do të shoqërojë Natën e Shenjtë drejt Ngjalljes së Jezusit të Dielën e Pashkëve, kur Papa do të jetë në sheshin e Shën Pjetrit në orën 10:00 për Meshën e ditës së Pashkëve dhe më pas në orën 12 do të ngjitet në lozhën qendrore të Bazilikës vatikanase për të dhënë Bekimin e Pashkëve Urbi et Orbi.