Un'immagine realizzata dal telescopio spaziale Webb Un'immagine realizzata dal telescopio spaziale Webb

Në origjinën e universit me Teleskopin kozmik Webb

Një konferencë e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave në bashkëpunim me Universitetin Sapienza të Romës bën përmbledhjen e pamjeve të realizuara nga teleskopi më i madh i krijuar deri më sot. Që nga lindja e yjeve të parë.

R.SH. / Vatikan

Makinë kohore, e aftë për të fotografuar yjet e parë, vrimat e para të zeza dhe galaktikat e para, që u formuan pak pas big bang, apo shpërthimit të madh, dhe për të studiuar atmosferat e planetëve më të ngjashëm me Tokën. Këtë është në gjendje të bëjë teleskopi kozmik James Webb, më i madhi i ndërtuar ndonjëherë, i lëshuar në orbitë në Krishtlindjen e vitit 2021 nga NASA, Agjencia Kozmike Evropiane dhe Agjencia Kozmike Kanadeze.

Një konferencë titulluar "Universi i padukshëm i zbuluar nga teleskopi kozmik James Webb", organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave dhe Universiteti Sapienza i Romës, po mbahet sot, 29 shkurt, në departamentin e fizikës të universitetit romak, për të bërë bilancin e rezultateve dhe zbulimeve të realizuara deri tani, falë pamjeve të teleskopit. Ndërmjet folësve, edhe profesori Roberto Maiolino, nga Universiteti i Kembrixhit, anëtar i ekipit të shkencëtarëve, i cili e ndoqi projektin që në fillim.

Profesor, çfarë është Teleskopi Kozmik Webb?

Është teleskopi më i madh kozmik në orbitë. U optimizua për vëzhgimin e brezave infra të kuqe, të cilat janë veçanërisht të dobishme për studimin e fenomeneve të caktuara qiellore dhe kategorive të caktuara të objekteve; e është, ndoshta, një nga projektet më ambicioze të zhvilluara nga astronomia ndonjëherë. Për t'ju dhënë një ide, kushtoi dhjetë miliardë dollarë. Gjë që nuk është doemos tregues i cilësisë, por jep një ide për vëmendjen që bashkësia shkencore dhe astronomike i kushtoi këtij teleskopi.

Çfarë lejon të shihet?

Vëzhgimi në rrezet infra të kuqe është i rëndësishëm për një numër studimesh astronomike jashtëzakonisht të rëndësishme, si zbulimi dhe kategorizimi i atmosferave të planetëve në sisteme të tjera diellore. Në këtë drejtim, teleskopi i Webb-it është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe na lejon të depërtojmë në retë e pluhurit, me të cilat mbështillen zonat ku formohen yjet e rinj. Kujtojmë se hapësira ndëryjore përmban një sasi të madhe grimcash të vogla të ngurta, që ne i quajmë pluhur ndëryjor. Këto grimca, edhe pse jashtëzakonisht të vogla, janë shumë efektive në thithjen e dritës së yjeve, kështu që ne shpesh nuk jemi në gjendje të shohim zonat në të cilat formohen yjet e rinj. Megjithatë, këto grimca bëhen pothuajse transparente në rrezet infra të kuqe, të cilat janë në gjendje të depërtojnë dhe të shohin çfarë kanë brenda këto re të dendura pluhuri dhe, për këtë arsye, edhe sesi formohen yjet e rinj, jo vetëm në galaktikat e afërta, por edhe në universin e largët. Për shkak të zgjerimit të universit, drita që arrin tek ne zgjerohet në gjatësi vale, kështu që drita e dukshme e yjeve të galaktikave të largëta zhvendoset gradualisht në infra të kuqe dhe ky efekt është më i fortë, sa më larg të jenë galaktikat. Pra, nëse doni të shihni gjeneratat e para të yjeve, galaktikat e para, vrimat e para të zeza, është themelore të vëzhgoni në gamën infra të kuqe. Teleskopi Webb ka rritur aftësinë tonë për të parë objekte të zbehta 100 mijë herë më shumë se teleskopët e përdorur më parë, e kjo është themelore sepse sa më të largët të jenë këto objekte, aq më të zbehta janë.

Një nga aspektet më magjepsëse të teleskopit është se ai jo vetëm  lejon një vizion në hapësirë, por edhe në kohë…

Drita ka shpejtësi të përcaktuar. Dielli, që e shohim tani, nuk është i vetmi që ekziston, por është ashtu siç ishte rreth 8 minuta më parë për shkak të kohës që i duhet dritës të mbërrijë nga dielli. Galaktikat më të largëta të vëzhguara tani, janë rreth 300-400 milionë vjet pas Big Bang-ut, gjë që mund të duket si shumë, por në të vërtetë është një çast i vetëm në kontekstin e jetës së një universi, nëse mendoni se tani universi është mbi 13 miliardë vjet i vjetër, kështuqë po flasim për çastet e para të jetës së universit, kur u formuan yjet e para, vrimat e para të zeza dhe strukturat e para kozmike. Nga ky këndvështrim, Webb është makinë fantastike e kohës dhe na lejon të shohim mbrapa, si nuk na ka lejuar asnjë teleskop tjetër deri më sot.

A mund ta përfytyrojmë se çfarë kishte përpara kësaj kohe e cila, në  nivel astronomik, është shumë e shkurtër? Çfarë kishte përpara shpërthimit të madh (Big Bang)?

Para shpërthimit të madh është një fazë me të cilën merret kozmologjia dhe studiohet përmes mjeteve të tjera. Ne po studiojmë atë që ndodhi pas Big-Bang-ut. Me Webb po përpiqemi të gjejmë formimin e yjeve të parë. Në këtë periudhë kohore ndërmjet shpërthimit të madh dhe formimit të yjeve të parë nuk ndodhi asgjë:  janë ato që ne i quajmë "epokat e errëta", epoka e errët, në të cilën kishte vetëm hidrogjen dhe helium dhe  graviteti ndikonte në një farë mënyre, duke shkaktuar kolapsin e materies. Nuk kishte asnjë dritë, derisa u shkaktuan reaksionet e para bërthamore brenda yjeve të parë, që u formuan pas përplasjes së bërthamave të para të gazit.

Një kontribut tjetër nga Webb është studimi i atmosferës së ekzoplaneteve, atyre jashtë sistemit diellor. Cila është situata?

Planetët që janë gjetur, jo nga Webb, por nga misione të tjera kozmike dhe teleskopë të tjerë nga toka, janë me mijëra. Webb është përqendruar kryesisht tek hulumtimi i atmosferave të tyre me sukses të jashtëzakonshëm, duke gjetur prova të molekulave të ndryshme, si uji, anhidridi karbonik, metani. Interesante është se fillimisht objektivi ishin planetet gjigante, si Jupiteri dhe Saturni, të cilët janë disi më të lehtë për t'u vëzhguar, sepse atmosfera e tyre është më e shpeshtë, por kohët e fundit objektivi më i vështirë është studimi i atmosferave të planeteve më të ngjashme me Tokën, që gjenden në të ashtuquajturën "zonë të banueshme", pra në orbita, ndër të cilat temperatura nuk është as shumë e lartë dhe as shumë e ulët, gjë që lejon ekzistencën e ujit të lëngshëm.

29 shkurt 2024, 09:25