Kërko

Ushtrime shpirtërore, meditimi i dytë i Cantalamessa-s: "Vetëm një gjë është e nevojshme"

Nga data 19 deri më 24 shkurt, një minutë me predikatarin e familjes papnore, për t'u lutur me Papën dhe Kurien Romake nëpërmjet rrjeteve shoqërore të Vatican Neës: "Ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi"

R.SH. – Vatikan

Në këtë javë, në të cilën Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake janë të impenjuar me Ushtrimet Shpirtërore të Krezhmëve, Vatican News propozon, nga 19 deri më 24 shkurt, një reflektim të përditshëm të predikatarit të Shtëpisë Papnore, kardinalit Raniero Cantalamessa, në rrjetet e tij shoqërore në X, Facebook, Instagram dhe WhatsApp. “Më kërkuan të ndaj me ju, për gjashtë ditë, një reflektim prej rreth një minuti. Në botë ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi të shpirtit”, shpjegon kardinali françeskan kapuçin.

Reflektimi i kardinalit

“Fjalët e Jezusit në Ungjill kanë një “gradacion” tejet të lartë. Shijohen duke i marrë me pika”, nënvizon Cantalamessa në meditimin e dytë, publikuar sot, më 20 shkurt. "Pika" e sotme është fjala, që Jezusi i tha Martës, zënë me një mijë punë: "Marta, Marta: vetëm një gjë është e nevojshme" (Lk 10,42). Tani kjo fjalë i drejtohet secilit prej nesh. Vetëm një gjë është e nevojshme! Nëse e ke këtë gjë, ke gjithçka, edhe nëse nuk ke asgjë tjetër; nëse nuk e ke, nuk ke asgjë, edhe sikur e gjithë bota të ishte e jotja!

Se ç’është kjo gjë e nevojshme, dua t’jua thotë një filozof dhe besimtar i madh i shekullit XIX, Soeren Kierkegaard, që të mos mendohet se vetëm ne predikatarët e besojmë. Ai pohon: 'Flitet shumë për jetë të humbura kot. Por e humbur është vetëm jeta e atij burri [e të asaj gruaje, shtoj unë], që e la të kalojë ashtu, mashtruar nga gëzimet dhe shqetësimet e saj, duke mos e kuptuar kurrë se ekziston një Zot dhe se ai, pikërisht ai vetë qëndron përpara këtij Zoti' (Kierkegaard, ‘Sëmundja vdekjeprurëse’). Se cila është gjëja e vetme e nevojshme, na e thotë vetë Jezusi me dy shëmbëlltyra. Është thesari i fshehur, për të cilin ia vlen të shitet gjithçka; është perla e çmuar, të cilën, për ta pasur, ia vlen t’i dhurosh të gjitha perlat e botës (Mt 13, 44-45). E vetmja gjë e nevojshme është Mbretëria e Zotit, pra është Zoti!”.

20 shkurt 2024, 11:54