Kërko

Dita Botërore e Fëmijëve: dy “ditë pastrije” për paqen

U paraqit në Stadiumin Olimpik, në Romë, DBF-ja e parë, e cila do të kremtohet më 25 e 26 maj. Dita e parë do t'i kushtohet dëshmive dhe shfaqjeve. Do të jetë i pranishëm edhe Papa Françesku që, të nesërmen, do të kremtojë Meshën Shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit. Koordinatori, Atë Enzo Fortunato: po marrim një stuhi dashurie. Më shumë se 57 mijë regjistrime në pak më shumë se tri javë

R. SH. - Vatikan

 “Jemi ne risia e drita/ Gëzimi e hareja/ Do të këndojmë këngën e paqes/ E shpresat për ditët e reja” - këndojnë fëmijët e korit të Antonianos. Është himni i Ditës Botërore që u kushtohet, e para e themeluar nga Papa Françesku, që do të kremtohet në Romë më 25 dhe 26 maj. Dy ditë veprimtari, të cilat u paraqiten në sallën e shtypit të Stadiumit Olimpik, që do të jetë edhe selia e festës së ditës së parë, me artistë nga e gjithë bota e me praninë e Papës Françesku.

Objektivi, njëqind mijë pjesëmarrje

"Të shumta, email-et që vijnë" - shpjegon Atë Enzo Fortunato, koordinator i ngjarjes. Tri javë pas hapjes së faqes zyrtare, arriten mbi 57 mijë regjistrime. "Stuhi dashurie" për ato që do të jenë "dy ditë pastrie", përsërit ai, i bindur se qëllimi është të arrihet në njëqind mijë prani. “Edhe në themlimin e kësaj dite Papa është profetik” - nënvizoi Atë Fortunato, i mahnitur nga dëshmitë, të cilat  vijojnë të vijnë nga mbarë bota, si ajo e një vullnetari që ndodhet në Ugandë prej 54 vjetëve e që shprehu gëzimin për festën fëmijnore, sepse do të mundë të sjellë në Romë katër fëmijë tetë vjeçarë.

Fëmijët për paqen

Deri tani janë gjashtëdhjetë, vendet prej nga do të vijnë fëmijët - nënvizon drejtorjesha e marrëdhënieve me jashtë e DBF, Stella Cervogni, por numri është në rritje. Ndërmjet tyre, Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Eritrea dhe Siria. Një delegacion do të mbërrijë nga Mozambiku verior, i rrënuar prej grupeve xhihadiste. Fëmijët dërgojnë vizatime dhe dëshmi - pohon Cervogni - dhe të gjitha janë mesazhe paqeje e dialogu në këtë takim të jashtëzakonshëm, në të cilin do të jenë të pranishëm edhe fëmijë nga Ukraina, Rusia e Toka Shenjte.

Ngjarje e hapur

Dita Botërore e Fëmijëve - shpjegon Marco Impagliazzo, kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit, që së bashku me kooperativën Auxilium dhe Dikasterin e Selisë së Shenjtë për kulturën dhe edukimin dha ndihmesën për organizimin e ditës, "do të jetë ngjarje e hapur, jo e mbyllur", jo vetëm për fëmijët e krishterë, por edhe për ata të feve të tjera.  “Duhen pranuar të gjithë fëmijët, veçanërisht më të vuajturit dhe viktimat e luftës” - përsërit Impagliazzo. Objektivi është t'ia ngjallim shpresat kësaj bote. "E qëllimi, shumë më fisnik se sa fitorja e thjeshtë e një kupe apo një trofeu sportiv" - komentoi Gianluigi Buffon, kreu i delegacionit të kombëtares së futbollit, i cili mori pjesë në paraqitje, së bashku me kryetarin e Sport dhe Shëndet, Marco Mezzaroma dhe me përfaqësues të Bashkisë së Romës, Rajonit të Lazios dhe shoqatave dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë ngjarje të jashtëzakonshme.

 Programi i DBF

Dita Botërore e Fëmijëve do të fillojë të shtunën, më 25 maj, në stadiumin Olimpik, nga ora 15:00 deri në 18:00. Dy orët e para do të ketë shumë dëshmi dhe artistë të ardhur nga mbarë bota. Do të ketë meshtarë të ardhur nga Buenos Ájres e do të jetë edhe Ibrahim Balde, djaloshi emigrant, autor i librit “Vëllai i vogël” cituar shpesh nga Papa. Ndër artistët italianë, do të jenë të pranishëm zëvendëskoordinatori Aldo Cagnoli, aktori Lino Banfi, prezantuesi Carlo Conti dhe këngëtarët Gianni Morandi dhe Z. Rain. Të dielën, 26 maj, takimi i madh do të jetë në Sheshin e Shën Pjetrit ku, në orën 10.30, Papa Françesku do të kryesojë Meshën Shenjte.

04 mars 2024, 11:38