Imzot Peña Parra në Ajaccio për "Madunnuccia": Maria largon çdo frikë dhe rrezik
R.SH. – Vatikan
Drita, për ata që besojnë në Zotin, përfaqëson Krishtin, i cili, "duke u bërë njeri, shpërndau errësirën e misterit, duke u zbuluar njerëzve fytyrën e Atit Qiellor dhe me ringjalljen e Tij natën e Pashkëve, na dha dritën e jetës së pavdekshme". Këtë nënvizoi kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, gjatë meshës që kremtoi në Katedralen e Ajaccio-s, sot paradite, 18 mars, në festën e Zojës së Mëshirës, quajtur me dashuri "La Madunnuccia". Festë drite, e shprehur nga mijëra qirinj dhe pishtarë, që mbushin kryeqytetin e Korsikës dhe bregdetin, duke ndriçuar çdo vit natën ndërmjet 17 dhe 18 marsit. Është dëshmi e dashurisë së besimtarëve për Pajtoren e tyre. Një përvjetor që mbledh mijëra njerëz, të cilëve me këtë rast prelati venezuelian u çoi bekimin e Papës Françesku.
Në prani të kardinalit françeskan konventual François-Xavier Bustillo, ipeshkëv i dioqezës së Korsikës, Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit shpjegoi se si qiriu i ditës së Pagëzimit simbolizon "fenë e shpresën, duke kujtuar se prania e Zotit mbështet dhe shndrit rrugën tonë, edhe përgjatë shtigjeve më të errëta". Më pas, vuri në dukje se kremtimi i Pajtores së Ajaccio-s i ka rrënjët në një periudhë të vështirë të historisë së ishullit, kërcënuar nga murtaja. “Epidemia – tregoi ai – po shkatërronte veçanërisht Gjenovën, nga ku drohej se anijet dhe ekuipazhet “e infektuara” mund të mbërrinin në brigjet e Korsikës dhe ta përhapnin infeksionin”. Popullsia iu lut Zojës dhe "në sajë të erërave të kundërta, asnjë anije nuk arriti të mbërrinte në breg: rreziku u shmang dhe njerëzit qenë dëshmitarë të përgjigjes plot dashuri të Nënës Qiellore ndaj kërkesave të bijve të saj".
Kryeipeshkvi Peña Parra shtoi se për këtë arsye, më 16 mars 1656, bashkësia e Ajaccio-s vendosi ta shpallte Marinë, Pajtore të qytetit, me titullin Virgjëra e Mëshirës, duke parashikuar edhe «ndërtimin e një kapele në nder të saj brenda katedrales".
Që atëherë, nënvizoi ai, "Madunnuccia" kremtohet çdo vit "duke ndjekur të njëjtin ritual të lashtë". Kështu, "dashuria, lutja dhe besimi, që para katër shekujsh, me ndërmjetësimin amnor të Marisë, larguan rreziqet dhe frikën e kësaj toke të bukur dhe të banorëve të saj, kanë vazhduar të veprojnë kështu gjatë shekujve". E kush më shumë se Nëna Qiellore mund t'i ndihmojë njerëzit, pyeti Zëvendësi? Që këtej, ftesa për t'iu besuar asaj, siç këshilloi Papa Françesku, në solemnitetin e Nënës së Zotit, më 1 janar.
Me Marinë, theksoi prelati, ne mësojmë të jetojmë, edhe "në vuajtje, përvojën e besimit te Zoti që na shpëton, ngushëllon dhe përkulet mbi varfërinë", duke përqafuar "vetminë tonë, sepse nuk jemi më vetëm, por Ai bart me ne kryqet më të rënda dhe ndez dritat e shpresës në netët e vuajtjes”.