Ilustrimi i Maupal Ilustrimi i Maupal

Larg idhullit të parasë: vepër e re e Maupal për Mesazhin papnor të Krezhmëve

Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor publikon një ilustrim të ri të artistit të njohur të rrugës, pikturat e të cilit po shoqërojnë fjalët e Papës gjatë rrugëtimit të Krezhmëve

R.SH. – Vatikan

 "Ose i shërben Zotit, ose je shërbëtor i parasë". Artisti Maupal frymëzohet nga deklaratat e shumta të Papës Françesku kundër idhujtarisë së parasë, e cila – siç paralajmëron shpesh Ati i Shenjtë – robëron, shkatërron më të brishtët dhe bëhet rrugë e lehtë që djalli të “hyjë nga xhepat”. Ilustrimi i ri i artistit të rrugës, që në të vërtetë quhet Mauro Pallotta, u publikua nga Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor sot, 4 mars: në njërën anë, shihet Papa, në anën tjetër, një burrë i moshuar, i ndihmuar nga një vajzë dhe një djalë. Të gjithë tërheqin tre litarë për të hedhur poshtë nga piedestali i "Hyjnisë" simbolet e euros, të dollarit dhe të jenit.

Veprat e Maupal, i famshëm për pikturat murale kushtuar Papës në rrethinat e Vatikanit, po shoqërojnë Mesazhin e Atit të Shenjtë për Krezhmët 2024 deri ditën e Pashkëve. Sot u publikua ilustrimi i tij i katërt, që shoqërohet me një citim nga Mesazhi papnor: "Jashtë idhujt që na rëndojnë, larg lidhjet, që na burgosin. Vetëm atëherë zemra e atrofizuar dhe e izoluar do të zgjohet".

 Mesazhi i Papës për Krezhmët e këtij viti, i paraqitur më 1 shkurt, ka si temë: "Nëpër shkretëtirë Zoti na prin drejt lirisë". Frymëzohet nga Libri i Daljes: " Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë” (Dal 20,2). Pikërisht liria është tema qendrore e veprave të Maupal. "Eksodi i Krezhmëve - shpjegon në një notë të shkurtër Dikasteri i kryesuar nga kardinali Michael Czerny - na ndihmon të çlirohemi nga skllavëria. Zoti e mbështet shpresën tonë - përmes një rrugëtimi kishtar, komunitar dhe personal kthese - për të na udhëhequr drejt tokës, që Ai dëshiron të na japë".

04 mars 2024, 13:04