Me sytë e të Ngjallurit
R.SH. / Vatikan
Kjo është Dita e shëlbimit tonë!
Vdekja u mund! Qengji i gjallë ngadhënjen. Aleluja.
Aleluja! Sot Krishti u Ngjall dhe na hapi udhën drejt jetës së amshuar!
Nga fundi i varrit, si nga ujtë e pagëzimit,
shpëtimi lulëzoi për ne.
Jeta e re është larg honit,
larg humnerës së mëkatit,
larg kalbësirës së vdekjes…
Bijtë e Zotit rilindën
për të mos vdekur kurrë më!
"Këtë bëri Zoti, një mrekulli para syve tanë!"
Por, kush kaloi me Krishtin nga vdekja në jetë,
jetën e sheh me sy të rinj,
si sytë e Gjonit, dishepullit:
sy qiellit, të aftë për të pa në tokën
mbështjellë në retë e zeza të vdekjes
shenjat e ndritshme të jetës së ringjallur.
Varri është bosh, guri, i flakur tutje!
Pëlhurat e mortjes mbështjellë me kujdes...
Në një skaj, për kujtim…
Dishepulli i dashur «pa dhe besoi»!
Po çfarë janë Pashkët, nëse jo "soditje amshimi"?
Nga shikimi me sytë e trupit,
deri te soditja me sytë e Shpirtit.
Nëse në Ungjill dishepujt nuk e takojnë ende të Ngjallurin,
kjo ndodh
sepse dhurata e parë e vërtetë e Pashkëve
është besimi që vjen nga zemra e tyre,
ashtu si nga zemrat tona:
aftësia për ta kuptuar historinë
përtej asaj që duket:
për ta parë me sytë e të Ngjallurit,
e për të qenë pjesëmarrës në lavdinë e tij,
jo dikur, por tani!