Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

"Françesku kërkon guximin e negociatave për Ukrainën"

Drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, u përgjigjet gazetarëve në lidhje me deklaratat e Papës në intervistën për Radio Televizionin Zviceran (RSI): “Papa merr imazhin e flamurit të bardhë të propozuar nga intervistuesi, për të treguar ndaljen e armiqësisë, arritjen e armëpushimit me guximin e negociatave. Shpresa e tij është një zgjidhje diplomatike për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

R.SH. – Vatikan

Me fjalët e tij për Ukrainën, Papa donte të kërkonte një armëpushim dhe të propozonte guximin e negociatave. Drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, u përgjigjet pyetjeve të disa gazetarëve në lidhje me pjesët e intervistës për Radio Televizionin Zviceran (RSI) të botuara paraprakisht sot, duke shpjeguar se shpresa e Françeskut për vendin, i cili gjithmonë është përcaktuar si "i torturuar”, përmbahet në fjalët e shprehura tashmë gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit shqiptuar më 25 shkurt, një ditë pas dy vjetorit dramatik të shpërthimit të konfliktit, në të cilin Ati i Shenjtë përsëriti “dashurinë e tij më të thellë” për popullatën. Dhe kjo do të thotë "krijimin e kushteve për një zgjidhje diplomatike në kërkim të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".

Rrugëgjidhje diplomatike për paqen

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të 25 shkurtit të kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku, nga dritarja e Pallatit Apostolik, bën thirrje për t'i dhënë fund këtij konflikti brutal i cili, kujtoi, "jo vetëm që po shkatërron atë zonë të Evropës, por po lëshon edhe një valë globale frike dhe urrejtjeje". Papa përdori superlativat që të nënvizonin "dashurinë e tij të thellë" për "popullin e torturuar ukrainas" dhe për të siguruar lutjet "për viktimat e shumta të pafajshme". Më pas i drejtoi lutjen Zotit dhe atyre që kanë role me përgjegjësi në këtë tokë: “Lutem që të gjendet ajo thërrime humanizmi, që na lejon të krijojmë kushtet për një zgjidhje diplomatike në kërkim të paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.

“Papa – saktëson Drejtori i sallës së shtypit Bruni – përdor termin ‘flamur i bardhë’, dhe përgjigjet duke marrë imazhin e propozuar nga intervistuesi, për të treguar me të ndërprerjen e armiqësive, armëpushimin që arrihet me guximin e negociatave. Në një pjesë tjetër në intervistës, duke folur për një situatë tjetër konflikti, por duke iu referuar çdo situate lufte, Papa tha qartë: “Negocimi nuk është kurrë një dorëzim”.

09 mars 2024, 21:31