Imzot Caccia: interesat sovrane nuk mund të justifikojnë kurrë krimet kundër njerëzimit
R.SH. – Vatikan
Duhet arritur në “një mjet juridik universal, shumëpalësh dhe ligjërisht të detyrueshëm, i cili kodifikon të drejtën zakonore ekzistuese" mbi temën "krimet kundër njerëzimit si krime ndërkombëtare". Kjo, “me siguri, do të nxiste bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre akteve të urryera”. Kështu pohoi kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat ndërkombëtare, në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kushtuar shqyrtimit të një projektligji për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit.
"Konventa e ardhshme do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare të realizojë më mirë të mirën e përbashkët", e cila – nënvizoi kryeipeshkvi, duke cituar Papën Françesku - ekziston vetëm duke pasur parasysh "çdo çast, njeriun". Prandaj, në hyrje të tekstit, do të ishte mirë të shtohej diçka për dinjitetin njerëzor, si edhe për "detyrën e parandalimit". Vërtet, "detyra morale e ndërthurur me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe promovimin e së mirës së përbashkët çojnë në përfundimin se interesat sovrane nuk mund t’i justifikojnë kurrë krimet kundër njerëzimit": për këtë arsye, përfundoi imzot Caccia, përkufizimi i krimeve në fjalë "nuk duhet të shmanget nga normat zakonore ekzistuese”.