Kërko

San Giovanni Paolo II San Giovanni Paolo II

Kujtojmë Papën Wojtila, në përvjetorin e 19-të të vdekjes

Sot kujtojmë Gjon Palin II, Papën e ardhur nga Lindja, që na la më 2 prill 2005. Fjalët e tij ende jehojnë fuqishëm: "Gjithçka mund të ndryshojë. Kjo varet nga secili prej nesh. Secili mund të zhvillojë brenda vetes potencialin e tij të fesë. Prandaj është e mundur të ndryshohet rrjedha e ngjarjeve". Trashëgimia e gjallë e Shën Gjon Palit II.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot 19-vjetorin e kalimit në Amshim të Papës Shën Gjon Palit II. Njeri i Zotit pranë popullit, Papë me shpirt misionar që diti të nxiste dialogun ndërfetar, të hynte në zemrat e njerëzve me humanizmin e tij dhe të afronte shumë të rinj me fenë.

Dy këndvështrime a pika kryesore të papnisë së Shën Gjon Palit II janë: një ad extra- drejt botës- e një ad intra-drejt Kishës. Përsa i përket botës, Papa Wojtila, me fjalimet e tij, me personin e tij, me praninë e tij, me aftësinë e tij për të bindur, krijoi një vetëdije të re për vlerat morale, për rëndësinë e fesë në botë. E kjo bëri që të niste një fillesë e re, të fitohej një vetëdije e re për problemet e çështjet e fesë, për nevojën e përmasës fetare të njeriut e, sidomos, u rrit në mënyrë të papërfytyrueshme rëndësia e figurës së Ipeshkvit të Romës.

Të gjithë të krishterët, pavarësisht nga ndryshimet, e pavarësisht se nuk e njohin Pasardhësin e Shën Pjetrit, pranuan se Ipeshkvi i Romës ishte zëdhënës i krishtërimit. Askush tjetër në botë, në nivel botëror, nuk mund të fliste kështu në emër të krishterimit e t’i jepte zë e forcë aktualitetit të fesë së krishterë, në aktualitetin e botës. Por edhe për ata, që nuk ishin të krishterë, ashtu si për ata, që ndiqnin fe të tjera, Wojtila ishte zëdhënësi i vlerave të mëdha të njerëzimit.

Është për t’u theksuar edhe se Papa Gjon Pali II ia doli mbanësh të krijojë klimën e dialogut ndërmjet feve të mëdha, si edhe vetëdijen e përgjegjësisë, që ka secili nga ne për fatet e botës, duke i bindur njerëzit se feja në Zotin dhe dhuna nuk mund të përkojnë kurrë me njëra-tjetrën e se të gjithë së bashku duhet të hapin rrugën e paqes, me përgjegjësi të përbashkët për njerëzimin mbarë.

Ta zhvendosim vëmendjen, tani ad intra- tek situata e Kishës. Mbi të gjitha, Gjon Pali II diti ta entuziazmojë rininë për Krishtin. Kjo ishte një gjë krejt e re, në se mendojmë për rininë e viteve ’68 e ’70. Vetëm një personalitet me karizmën e tij, mund ta entuziamonte rininë për Krishtin e për Kishën, madje edhe për të mbrojtur vlerat më të rëndësishme e më të vështira. Vetëm ai mund t’ia dilte mbanësh ta mobilizonte me atë zjarr rininë e botës për kauzën e Zotit , për dashurinë e Krishtit e për dashurinë ndaj njeriut.

Gjon Pali II krijoi në Kishë një dashuri të re për Eukaristinë, krijoi një vetëdije të re për madhështinë e Mëshirës Hyjnore: e thelloi shumë dashurinë dhe devocionin për Zojën e Bekuar, Virgjrën Mari duke na mësuar, kështu, ta ndjejmë fenë në shpirt e me shpirt e, njëkohësisht, të punojmë me përkushtim për të. Natyrisht duhet kujtuar, siç e dimë të gjithë, edhe kontributin themelor të Gjon Plit II për ndryshimet e mëdha të botës, në 1989-ën, ndihmesa e tij e jashtëzakonshme për shembjen e të ashtuquajturit socializëm real.

I zgjedhur në selinë romake në moshë relativisht të re, Papa Karol Wojtila u bë shumë shpejt një nga personalitetet më në zë të fundshekullit XX e Figurë e madhe, që i priu Kishës drejt Mijëvjeçarit të Tretë. E kujton ai vetë në testamentin e shkruar herë pas here, gjithnjë gjatë ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, që dokumenton vizionin mistik të historisë e të udhës së tij personale, guximtare e dramatike.

I zgjedhur Papë më 16 tetor 1978, gjatë gjithë papnisë Wojtilës iu desh të përballojë kohë, që i quajti “të vështira e të shqeta”, ndërmjet persekutimeve të pamëshira, atentatit kundër jetës së tij, frikës së konfliktit bërthamor e problemeve dhe ndeshjeve të reja, pas shembjes së komunizmit evropian. 

Papa Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Ndërroi jetë pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit.

Papa Wojtila ka mbetur gjithnjë i gjallë në kujtesën e Kishës katolike, edhe jashtë kufijve të saj të dukshëm, për forcën dhe guximin, me të cilin diti ta bënte të dukshëmn mesazhin e Krishtit në mbarë botën duke u bërë “shok udhe për njeriun e kohëve tona dhe luftëtar i pamposhtur në luftën “për shëlbimin e njerëzve dhe shpëtimin e familjes njerëzore!”.  

Gjon Pali II u shpall i Lum më 1 maj 2011 nga Benedikti XVI. Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Françesku. Kisha katolike, sipas kalendarit liturgjik, e kremton festën liturgjike të Papës Shën Gjon Pali II më 22 tetor.

Polaku i madh mbeti në kujtesën e kohës posaçërisht si mbrojtës i patundur i popujve, që  martirizoheshin nën thundrën e pushteteve diktatoriale e gjakatare antinjerëzore e antikristiane, siç ishte edhe për popullin shqiptar, nën diktaturën komuniste, për të cilin i pati drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë lutjen tejet aktuale:

“Nëna jonë e ëmbël! 

Ti, që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: 

silli sytë e tu mbi këtë komb 

i cili pati fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve 

e Ty të nderoi përherë me dashuri të pastër bijnore”.

 

02 prill 2024, 10:41