Të lutemi, me Motrën Faustina: O Zot, mëshirën Tënde dua
R.SH. / Vatikan
Të lutemi, me Motrën Faustina...
Si lypësit, kërkoj mëshirën tënde për mëkatarët
Jezus, e vërteta e përjetshme dhe jeta jonë,
si lypësit kërkoj mëshirën tënde për mëkatarët.
Zemra e ëmbël e Zotit tim, plot dhembshuri dhe mëshirë,
po të lutem për ta.
O Zemër, gurrë e mëshirës,
nga e cila rrjedhin rreze hiresh
të pakrahasueshme mbi mbarë njerëzimin,
të kërkoj dritë për ata që janë në mëkat.
Jezus, kujto mundimin tënd të hidhur
e mos lejo që shpirtrat e shpenguar
me çmimin kaq të lartë të gjakut tënd, të humbasin.
Jezus,
kur mendoj për vlerën e madhe të gjakut tënd,
gëzohem për një madhështi të tillë!
Edhe pse mëkati është humnerë mosmirënjohjeje e ligësie,
çmimi që u pagua për të është pafundësisht më i madh se mëkati.
Një gëzim i pamasë ndizet në zemrën time,
kur admiroj këtë mirësi të paadmirueshme.
Jezusi im!
dëshiroj t'i sjelli të gjithë mëkatarët tek këmbët e tua,
që të lavdërojnë mëshirën tënde të pafund.
“Dashuria e përjetshme e flaka e pastër,
digjen paprerë në zemrën time!
duke më thirrur
të marr pjesë në lumturinë Tënde të përjetshme...”
(Ditari, 1523).
“O Zot i mëshirshëm, që nuk na përbuz,
por na mbush vazhdimisht me hiret e Tua,
na bëj të denjë për mbretërinë Tënde dhe,
në mirësinë Tënde,
mbushi me njerëz vendet që u braktisën
nga engjëjt mosmirënjohës.
O Zot i Mëshirës së Madhe,
që e largove shikimin Tënd të shenjtë nga engjëjt rebelë
dhe e solle nga njeriu i penduar,
nderi dhe lavdia i qofshin
Mëshirës Sate të padepërtueshme..”
(Ditari, 1339).
“O Jezus, i mbërthyer mbi kryq,
të lutem, më jep hirin të përmbush me besnikëri
vullnetin e shenjtë të Atit Tënd,
gjithmonë, kud, në gjithçka.
E kur vullneti i Zotit të duket i rëndë dhe i vështirë,
të lutem, Jezus, zbrit mbi mua,
e buzët e mia do të përsërisin:
Zot, u bëftë vullndesa jote …
Më jep hirin të harroj veten time,
e të jetoj plotësisht për shpirtrat,
me Ty në veprën e shëlbimit,
sipas vullnetit shenjt të Atit tënd..."
(Ditari, 1265)
“...O Zot, dëshiroj të shndërrohem tërësisht
në Mëshirën Tënde
e të jem pasqyra e gjallë e Jotja.
Më ndihmo, o Zot, që sytë e mi të jenë të mëshirshëm,
e kurrë të mos kem dyshim;
të mos gjykoj në bazë të pamjeve të jashtme,
por të shoh atë që është e bukur në shpirtin e gjithkujt!
Më ndihmo, që veshët e mi
të mos jenë të çkujdesur ndaj dhimbjes së tjetrit!
Më ndihmo, o Zot, që gjuha ime të jetë e mëshirshme
dhe të mos flasë kurrë keq për të tjerët,
por të ketë fjalë ngushëllimi dhe falje për të gjithë.
Ndihmomë, o Zot, që duart e mia të jenë të mëshirshme
e plot me vepra të mira,
Më ndihmo, o Zot, ta bëj zemrën time të mëshirshme,
që të rrahë veç për tyt
edhe për vuajtjet e të tjerëve (...)
(Ditari, 1523).