Kard. Czerny: nëse do të përjetonim presionet e migrantëve, edhe ne do të iknim

Në paraqitjen e Mesazhit të Papës për Ditën e Emigrantëve dhe të Refugjatëve në Sallën e Shtypit të Vatikanit, prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor nxit të kujtohen rrënjët migratore mbi të cilat u themelua Evropa dhe çështja të mos trajtohet thjesht në nivelin e abstraksionit

R.SH. – Vatikan

Migrimi nuk duhet trajtuar si problem. Vuajmë nga hendeku ndërmjet vlerave migratore mbi të cilat u themelua Europa dhe vlerave të shprehura nga politika aktuale: ky është problemi i vërtetë. Kështu pohoi kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në një nga përgjigjet për gazetarët, me rastin e paraqitjes së sotme, 3 qershor, të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 110-të Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, e cila do të kremtohet të dielën, më 29 shtator, me temën "Zoti ecën me popullin e Tij".

Gabon kush thotë se migrimi është krizë globale

Emigranti detyrohet të bëhet i tillë e nuk ikën për qejf, deklaroi kardinali në dialogun me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit, pas fjalës, që hapi serinë e dëshmive në terren përkrah emigrantëve. "Shpesh propaganda a ideologjia jep përshtypjen se emigranti bëhet i tillë për qejf, për aventurë. Kjo është e rreme, e rreme dhe e papranueshme". I nxitur për të komentuar votimin e ardhshëm evropian, kardinali kërkoi të mos reduktohet tema në nivelin e abstraksionit. Për shembull, nënvizoi ai, mos thoni “emigracion”, por “emigrantë”: "Edhe kjo ndihmon. Gabon kush thotë se migrimi është krizë globale". Kardinali kërkoi që emigrantët të shihen si vëllezër e motra. Me pak vëllazërim gjithçka do të ishte ndryshe, saktësoi ai: "Do të ishte e dobishme t’i kujtonim rrënjët migratore evropiane. Është turp që pas dy brezash i kemi harruar".

Kushtojini vëmendje faktorëve të migrimit

"Sot, në vend që t’i refuzojmë njerëzit në lëvizje, duhet t'u kushtojmë vëmendje faktorëve shtytës dhe tërheqës, që mbështesin migrimin e detyruar. Edhe ne, nëse do të përjetonim presione të ngjashme, do të iknim. Pra, le të përpiqemi t'i shohim emigrantët si vëllezër dhe motra. Udhëtimet e tyre të dëshpërimit dhe të shpresës mund të jenë tonat", pohoi kardinali Czerny, duke bërë thirrje të rilexohet Libri i Daljes, përmendur nga Papa në Mesazhin e tij: për popullin e Izraelit, si shtytja për të ikur (puna e detyruar, skllavëria, shtypja) ashtu edhe tërheqja e Tokës së Premtuar, pohon ai, ishin faktorë të parezistueshëm. "Asgjë nuk mund t'i bindte ata të mos planifikonin atë udhëtim të rrezikshëm". Kardinali jezuit vuri në dukje se në prag të dëshpërimit, shumë emigrantë mbajnë me vete Biblën dhe objekte të tjera fetare, sepse besojnë në të vetmen spirancë shpëtimi, që është feja. Takimet me emigrantët, nënvizoi prefekti, janë çaste Zbulese hyjnore. Vetë Kisha, saktësoi më tej Czerny, "është në rrugë sinodale, një lloj migrimi edhe ky". E përfundoi: “Mikpritja e udhëtarëve të shumtë në tokë është mënyra me të cilën e vazhdojmë së bashku shtegtimin drejt atdheut qiellor”.

04 qershor 2024, 15:48