Papa në G7, publikohet programi: dhjetë takime bilaterale
R.SH. / Vatikan
Dhjetë takime dypalëshe dhe një fjalim publik do të karakterizojnë pjesëmarrjen e Papës Françeskut në G7 nesër, e premte 14 qershor, që u hap sot në Borgo Egnazia, Pulia, Itali. Kështu njofton zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë, duke bërë të njohur programin e vizitës së Papës përgatitur nga Prefektura e Shtëpisë Papnore.
Ati i Shenjtë Françesku do të niset në orën 11:00 nga heliporti i Vatikanit për të zbritur pas rreth një ore e gjysmë në fushën sportive në zonën e Brindisit, ku aktualisht pritet grupi ndërqeveritar informal i shtatë vendeve më të përparuara ekonomikisht.
Pjesa e parë e takimeve bilaterale
I pritur nga Presidentja e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane Giorgia Meloni, Papa do të kalojë me makinë golfi në rezidencën e rezervuar, ku është programuar mbajtja e pjesës së parë të bisedimeve bilaterale me znj. Kristalina Georgieva, drejtoreshë e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Volodymyr Zelenskyy, President i Republikës së Ukrainës; Emmanuel Macron, president i Republikës Franceze; dhe Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë.
Ndërhyrja e Papës
Më pas, kryeministrja italiane Meloni do të presë zyrtarisht Papën në oborrin e Borgo Egnazia, i cili do të marrë pjesë në seancën e përbashkët të G7 në sallën Arena, ku do të mbajë fjalën e tij. Më pas do të vijojnë ndërhyrjet e tjera të pjesëmarrësve.
Takimet tjera bilaterale
Në pjesën e dytë, duke filluar rreth orës 17:30, në program është fotografia zyrtare e të gjithë pjesëmarrësve që do të hapë edhe një seancë tjetër të takimeve bilaterale me z. William Samoei Ruto, president i Kenias; Narendra Modi, kryeministër i Indisë; Joseph Biden, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Luiz Inácio Lula da Silva, president i Brazilit; Recep Tayyip Erdoğan, President i Republikës së Turqisë; dhe Abdelmadjid Tebboune, President i Republikës së Algjerisë.
Në fund, helikopteri me Papën në bord do të niset nga fusha sportive e Borgo Egnazia drejt heliportit të Vatikanit, ku ulja duhet të bëhet rreth orës 21:15.