Kërko

“Pjetri është këtu”: kështu u zbuluan varri dhe eshtrat e Apostullit

Zemra e Kishës Katolike përqendrohet tek varri i Pjetrit, që i tërhoqi shtegtarët dhe besimtarët që në fillim, menjëherë pas martirizimit të Princit të Apostujve. Kujtimi i tij, me kalimin e kohës, është qendra e gravitetit të Bazilikës së Vatikanit e cila, me kërkimet arkeologjike të porositura nga Piu XII dhe më pas nga Pali VI, u bë dëshmi konkrete. T’i përshkojmë së bashku me profesor Vincenzo Fiocchi Nicolai-t ngjarjet e këtyre zbulimeve, ndër më të bujshmet në historinë e arkeologjisë.

R.SH. / Vatikan

Nga maja e kupolës së Mikelanxhelos, një fill i padukshëm zbret mbi plumbin dhe përshkon dritën, duke u zhytur në errësirën nëntokësore e duke përshkuar shekuj historie dhe fazash ndërtimi. Në fund, në thellësi të tokës, eshtrat e Pjetrit të varrosura pasi Apostulli u zbrit nga kryqi mbi të cilin kishte dhënë shpirt jo shumë larg, në zonën e cirkut të Neronit. Si u zdryp nga kryqi, u varros në një nekropol në Ager Vaticanus ndërmjet shumë njerëzve  të paemër e të varfër, si ai. E pra, kujtesa qe më e fortë. Ajo pikë u bë menjëherë cak shtegtarësh. Gjatë shekujve, faza të ndryshme ndoqën njëra-tjetrën pikërisht në atë gropë, me monumente gjithnjë e më madhështore: një kamare e thjeshtë, e ashtuquajtur Trofeu i Gait, më pas e mbyllur nga monumenti i Kostandinit dhe më pas akoma, nga rregullimet e Gregorit të Madh. (590- 604) e akoma kamarja e paliove a stolave me mozaikun e Krishtit të shekullit të IX-të, altari i Callistus II (1123) dhe së fundi ai i Klementit VIII më 1549, mbuluar nga tenda e madhe e Borrominit.

Kupola dhe baldakini në Shën Pjetër
Kupola dhe baldakini në Shën Pjetër

Nga shkëlqimi i artë i barokut në atë të shndritshëm të Mesjetës, nga ashpërsia themelore e shekullit të 4-të, në një edikul të hollë dhe të thjeshtë mbi varfërinë më ekstreme të një grope të hapur në tokë. Gjatë shekujve rreth varrit u formua bazilika ad corpus, i vetmi rast në botën e krishterë i një ndërtese të shenjtë krijuar drejtpërdrejtë mbi varrin e një martiri, që në këtë rast ishte Pjetri, Ipeshkvi i parë i Kishës së Romës.

Histori e ndërlikuar, kjo e varrit të Pjetrit. Me kalimin e kohës, kujtesa rezistoi dhe u bë fe, derisa Piu XII, në vitin 1939, vendosi të kryente gërmime arkeologjike, të cilat ishin të vështira si për shkak të kohës së luftës, ashtu edhe për shkak të kushteve objektive. E Varri i Pjetrit  u gjend! Gjatë mesazhit radiofonik të Krishtlindjeve, më 23 dhjetor 1950, në fund të Vitit të Shenjtë, Papa Pacelli njoftoi se varri qe gjetu. Por pyetja themelore qe kjo: “A ishte vërtet varri i Shën Pjetrit?”. Kësaj pyetjeje fundi i punimeve dhe i studimeve iu gjegj me qartësinë më të madhe me një “Po” shumë të qartë!  Ishte vërtet “Varri i Princit të Apostujve”.

Varri i Pjetrit
Varri i Pjetrit

T’i përshkojmë me profesor Vincenzo Fiocchi Nicolai-n, profesor i Topografisë së varrezave të krishtera pranë Institutit Papnor të Arkeologjisë Kristiane, ngjarjet e këtyre zbulimeve, ndër më të bujshmet në historinë e arkeologjisë. "Prania e varrit të Pjetrit dëshmohet mbi bazën e një sërë elementesh" - pohon profesori - "sepse pikërisht poshtë altarit të fundit të shekullit të pesqindët, ato u gjetën në vijë me altarin dhe si pasojë, domethënë, nën kupol, një altar mesjetar, pastaj një monument tejet i bukur mermeri, i cili është arkivoli që Kostandini donte të ndërtonte për të përfshirë një edikul, e cila tregon një varr, që gjendet ende poshtë. Një seri e vërtetë kutish. Ky varr gjendet në mes të varreve të tjera, që datohen ndërmjet dekadave të fundit të shekullit I pas Krishtit dhe fillimeve të shekullit II-të e që vërtetojnë se ky, mbi bazë të këtij elementi dhe të tjerëve, si grafiti, është varri i apostullit”.

Burimet e shkruara

Grafitet janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse tregojnë qartë veprimtarinë devocionale, lëvizjen e një mori besimtarësh të bashkësisë së Romës, që shkuan të parët tek ky varr, tropajoni i famshëm, i kujtuar nga Euzebi i Çezaresë, në Historiae ecclesiasticae (II 25, 5 –7).  Gaio - ndoshta ndonjë meshtar e, sigurisht, romak - i cili, për të kundështuar deklaratat e një heretiku montanist të quajtur Proclus lidhur me varret e Pjetrit dhe të Palit në Romë - pohon: "Unë mund t'ju tregoj trofetë e apostujve që themeluan këtë Kishë, pra Kishën e Romës. Nëse doni të shkoni në Vatikan ose në rrugën për në Ostia, unë do t'jua tregoj këto trofe".

Janë tregues të qartë topografikë, të cilët riduken edhe në Liber Pontificalis, i cili përveç se kujton, për Pjetrin, monumente të quajtura të  famshme nga epoka perandorake, e vendosin vendin e varrimit ndërmjet Via Aurelia dhe Via Trionfale.

Trofeu i Gait

Kamarja që kujton Profesor Fiocchi Nicolai, është Trofeu i Gaius, strukturë e lehtë me kolona, ​​e kurorëzuar nga një timpan, nën të cilën ishte varri prej dheu me mbetjet mortore të Pjetrit. “Trofetë - shpjegon profesori - janë elementët monumentale triumfaliste dhe fitimtare që shënojnë varrin e një apostulli martir, i cili e mundi vdekjen, falë martirizimit. Prej këndej, këtë aedicula” - shpjegon Fiocchi Nicolai - mund ta datojmë “mbi bazën e  Eusebius, i cili e vendos Gain në kohën e Papës Zephyrinus, pra ndërmjet viteve 198 dhe 217. Kjo aedicula ekzistonte në atë kohë dhe mbi bazën arkeologjike mund të datohet rreth viteve 60 të shekullit II. Sigurisht që kjo është edikula që shënonte varrin”, përfundon profesori.

Rindërtimi i Trofeut të Gaius
Rindërtimi i Trofeut të Gaius

 "Pjetri është këtu"

“Grafitet ndodhen në murin e kuq të suvatuar, murin e kuq të famshëm. Në një fragment të veçuar lexojmë një mbishkrim të njohur fragmentar që mban emrin e Pjetrit e, në rreshtin e mëposhtëm, në greqisht, një epsilon. Më më pas, një iota. Leximi i fragmentit ka shkaktuar shumë interpretime. Më joshësi”, kujton arkeologu, “u propozua nga profesori Guarducci: Petros eni, domethënë “Pjetri është këtu” ose “Pjetri është këtu brenda” duke iu referuar jo varrit, por depozitimit dytësor të eshtrave në një kuti të vendosur në një kamare në kohën e Kostandinit. Një interpretim i tretë do të ishte një thirrje për Pjetrin nëse dy shkronjat interpretohen si pjesë e fjalës eirene, paqe në greqisht: "Pjetri në paqe". Mund të përfundohet - nënvizon Fiocchi Nicolai - se emrin Pjetër në atë pozicion mund ta kishte vetëm Apostulli".

Qindra mbishkrime, dëshmi feje

“Mbi “murin G”, pra murin që mbylli njërën anë të edikulës në një kohë të mëvonshme, gjinden qindra grafite shumë të vështira për t’u deshifruar, por sigurisht me emra, me thirrje, me shenja kristologjike që tregojnë se kishte frekuentim të devotshëm të dendur të atij varri, i cili më pas bëhet pikëmbështetja e të gjitha atyre rregullimeve të tjera, deri tek altari aktual papnor dhe baldakini" - vëren profesor Nikolai.

Janë vërtet eshtrat e Pjetrit?

Siç u shpreh Papa Piu XII, pyetja e parë në lidhje me identifikimin e varrit të Pjetrit pasohet nga një e dytë: a janë gjetur vërtet eshtrat e Pjetrit? Kështu filloi një nga ngjarjet më bindëse në historinë e arkeologjisë! E protagoniste ishte një grua, e lindur në fillim të shekullit të njëzetë,  arkeologe dhe epigrafiste fiorentine, Margherita Guarducci, përgjegjëse për deshifrimin e grafiteve dhe veçanërisht të atyre që duhet të kishin të bëjnë me Pjetrin. Gërmimet ndërmjet viteve 1939 dhe 1958, të nxitura nga Papa Pacelli, zbuluan varrin e Pjetrit, por nën edikulën e Gaius nuk kishte eshtra. “U gjet gjithashtu një kuti e futur në një kamare të gërmuar në murin e grafiteve në një periudhë të papërcaktuar, por në çdo rast përpara Konstandinit, i cili e mbylli edikulën në arkivolin e madh prej mermeri të zbukuruar me porfir të kuq të çmuar, që mund të shihet ende nga Kapela e Klementit. Një kasetë që duhet të ketë pasur domethënie të rëndësishme si për vlerën, ashtu edhe për pozicionin e saj. Katër eksploruesit shkruan në raportin zyrtar se ajo kuti ishte gjetur krejt bosh”, vëren Fiocchi Nicolai.

Një mister arkeologjik

Rreth dhjetë vjet më vonë, Margherita Guarducci, duke kryer një hetim detektiv, i gjeti eshtrat përmes dëshmisë së një prej punëtorëve që kishte gërmuar gjatë viteve të para të kërkimeve. Punëtori pohoi se në një kuti druri, ndër magazina, kishte eshtra hequr gjatë punës normale të pastrimit pa dijeninë e katër arkeologëve të ngarkuar për ndjekjen e gërmimeve. “Pra, një punëtor duhet t'i kishte nxjerrë këto kocka nga kutia dhe duhet t'i kishte vendosur në një kuti tjetër druri e cila, më pas, do të përfundonte në magazina”, thotë profesori i Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë, i cili vazhdon: “Këto eshtra, pra, i atribuoheshin a posteriori kutisë të futur në murin G edhe sepse kishte një copë letër që tregonte prej nga vinte. Këto janë fragmente kockash, jo një trup i tërë. U krye një hetim antropologjik, i cili, megjithëse i përgjithshëm, ia atribuon ato një burri të pjekur, që mund të ishte bashkëkohës i Pjetrit. Hetimet nuk japin rezultate të sakta, por mund të thuhet se përputhen me ato të Apostullit”, përfundon Fiocchi Nicolai i cili e rindërton historinë kështu: “Ka mundësi që në çastin e krijimit të kapsulës konstantiniane, të jetë marrë nga varri çka kish mbetur nga eshtrat e Pjetrit për t’i vendosur në kutinë e në murin G për t'i ruajtur aty përgjithmonë".

Nje "njoftim i gëzuar"

Gjatë audiencës së përgjithshme të 26 qershorit 1968, Shën Pali VI, duke kujtuar hetimet dhe studimet e kaluara, ndonëse duke pohuar dhe se “kërkimet, verifikimet, diskutimet dhe kundërshtitë nuk do të shteroheshin me këtë ngjarje të jashtëzakonshme”, jep “një njoftim të lumtur”:

“Ne duhet jemi edhe më të kujdesshëm e më të gëzuar, tani që kemi arsye të besojmë se u gjetën mbetjet e pakta, por të shenjta, të vdekshme të Princit të Apostujve, Simonit, birit të Jonës, Peshkatarit që Krishti e quajti Pjetër,  atij që u zgjodh nga Zoti themeli i Kishës së tij dhe të cilit Zoti ia besoi çelësat e mbretërisë së tij, me misionin e bariut që ta kullosë grigjën e tij, e shpengoi njerëzimin, deri në kthimin e tij të fundit me lavdi”.

Reliket e dhuruara si simbol i unitetit të Kishës

Mbi relikuarin prej bronzi me nëntë copëza kockash, që i përkiste Papës Montini, dhuruar në vitin 2019 nga Papa Françesku Patriarkut të Kostandinopojës, me rastin e festës së Apostujve Pjetër dhe Pal, është shkruar me maturi folja putantur, që do të thotë se "konsiderohen si të Pjetrit", vëren përfundimisht profesor Vincenzo Fiocchi Nicolai. I gjithë mbishkrimi thotë: Ex ossibus quae in Arcibasilicae Vaticanae hypogeo inventi Beati Petri Apostoli esse putantur (Nga kockat e gjetura në hipogjeumin e Bazilikës së Vatikanit, të cilat besohet se i përkasin Apostullit të Lum Pjetër”.

Një fill që nuk këputet

Arkeologjia është shkencë që synon të bazohet mbi prova, por janë përfundimet ato, që shpesh arrijnë ta rindërtojnë historinë. Në rastin e varrit dhe eshtrave të Pjetrit, elementët që të gjithë konvergojnë rreth hapësirës së Dëshmimit rikrijojnë pamjen e së vërtetës, sepse përveç gjurmëve materiale, vendimtare është Feja. Feja e shtresëzuar gjatë shekujve nga mijëra e mijëra shtegtarë, papë dhe shenjtorë, që e drodhën së bashku fillin e kujtesës, duke e bërë atë të pakëputshëm!

19 qershor 2024, 16:59