"Hapat për paqe" të Economy of Francesco drejt Jeruzalemit
R.SH. / Vatikan
Mbi 8 milionë hapa, distanca e vlerësuar midis Asizit dhe Jerusalemit, janë "dhuruar" përmes 135 shëtitjeve të ndërmarra nga rreth 2000 të rinj në mbarë botën si pjesë e iniciativës “Steps for Peace” ("Hapat për paqe") të Economy of Francesco, që sheh ekonomistët dhe sipërmarrësit e rinj të përkushtuar për ndërtimin e një botë më të drejtë.
Për një ekonomi paqeje
“Steps for Peace”, lexojmë në një deklaratë të Economy of Francesco (EoF), “nuk është thjesht një udhëtim fizik, por përfaqëson një mundësi unike për të krijuar takime dhe përhapur debate mbi ekonominë e paqes. Ky projekt është frymëzuar nga pakti që të rinjtë e Economy of Francesco nënshkruan me Papa Françeskun në vitin 2022, për një angazhim për të ndërtuar e një të ardhme të bazuar në parimet e drejtësisë, qëndrueshmërisë dhe dialogut”.
Caku është Jerusalemi
Momenti kulmor i këtij projekti do të mbahet në tetor, kur një delegacion i të rinjve botërorë nga Asizi do të arrijë në Jerusalem dhe më pas do të zhvendoset në Palestinë. Delegacioni i këtij projekti do të jetë mysafir i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, nën drejtimin e françeskanëve, do të bashkëndajë momente vëllazërimi dhe diskutimi me famullinë kishtare të Jeruzalemit, si dhe do të takohet me Patriarkun e Jeruzalemit, kardinalin Pierbattista Pizzaballa, për t'ia dorëzuar atij dhe të rinjve të pranishëm hapat që janë mbledhur nëpër botë për ndërtimin e një ekonomie paqeje. Më pas, delegacioni do të zhvendoset në Betlehem, ku do të takohet me disa komunitete palestineze dhe do të përjetojë një moment të rëndësishëm në spitalin pediatrik, Caritas Baby Hospital of Betlehem.
Mbledhja e fondeve
Për ta bërë këtë, Economy of Francesco ka filluar tashmë një fushatë për mbledhjen e fondeve të nevojshme, një crowdfunding në faqen www.francescoeconomy.org për të mbledhur 15 mijë eurot e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit dhe të ngjarjeve tjera që do të mbahen në terren, në mënyrë që të mund t’i dhurohet një ndihmë edhe Spitalit Caritas Baby Hospital of Betlehem, "një gjest ky që nënvizon më tej angazhimin për paqen dhe solidaritetin".