Imzot Gallagher në Manastirin e Shndërrimit (Malaybalay Bukidnon, Filippine, 4 luglio 2024) Imzot Gallagher në Manastirin e Shndërrimit (Malaybalay Bukidnon, Filippine, 4 luglio 2024) 

Imzot Gallagher: mbrojtje e vërtetë është sigurimi i paqes ndërmjet popujve

“Diplomacia e Selisë së Shenjtë në rrethanat e sotme ndërkombëtare” ishte tema e fjalimit mbajtur të premten, 5 korrik, nga Kryeipeshkvi Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në Pasay City të Filipineve. U ritheksua rëndësia e "ndërtimit të urave" ndërmjet kombeve, duke përparuar në rrugën e dialogut.

R. SH. - Vatikan

Përballë konflikteve që sot copëtojnë pjesë të ndryshme të botës në një "luftë të tretë botërore pjesë-pjesë"; përballë garës së armatimeve, kërcënimit bërthamor, terrorizmit, është "themelore të kuptohet se mbrojtja nuk është vetëm çështje e fuqisë ushtarake, por edhe e mbështetjes për institucionet dhe e nxitjes së marrëveshjeve ndërmjet popujve": këtë nënvizoi Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher në përfundim të vizitës së tij pesëditore në Filipine, të premten 5 korrik. Duke folur në selinë e Institutit për Shërbimin e Jashtëm, në Pasay City, sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare bëri një reflektim të gjerë të diplomacisë të Selisë së Shenjtë në rrethanat bashkëkohore ndërkombëtare, duke përsëritur - në gjurmët e Papës Françesku - se sot të flasësh për fitore apo disfatë “nuk është realiste”. Përkundrazi, vuri në dukje ai, është e nevojshme "të vendoset një rend i ri dhe i drejtë".

Detyra e Selisë së Shenjtë - shtoi imzot Gallagher - është "të jetë shenjë shprese" me "neutralitet pozitiv". Në vend që të ndjekë pushtetin ose sundimin, i ka rrënjët në ato parime që “i japin përparësi mirëqenies së gjithë njerëzimit, mbështesin dinjitetin njerëzor dhe paqen e qëndrueshme”, duke mbrojtur “të mirën e përbashkët, solidaritetin dhe miqësinë ndërmjet kombeve”.

Selia e Shenjtë – vazhdoi Kryeipeshkvi -  është ndërmjetëse "e besueshme" dhe "e pavarur" nga aleancat dhe blloqet politike, në gjendje të "ndërtojë ura, ku të tjerët shohin vetëm ndarje të pakapërcyeshme".

 Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare u ndalua edhe tek figura e Papës Françesku: tek angazhimi i tij i vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për zhvillimin integral njerëzor, për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, për mbrojtjen e paqes, gjëra që e bëjnë "aktor kryesor" të diplomacisë së Vatikanit.

 Imzot Gallagher nënvizoi edhe "përgjegjësinë morale" të diplomacisë papnore, shprehur në fusha të shumta, duke përfshirë mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore nga zënia, deri në vdekjen natyrore; mbrojtjen e Krijimit; luftën kundër “kulturës së hedhurinës” dhe “globalizimit të indiferencës”, shoqëruar me nxitjen e “kulturës së takimit” dhe të “globalizimit të vëllazërisë”.

 Së fundi, duke kujtuar mandatin e tij si këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Manila nga viti 1991 deri në 1995, si dhe vizitat e katër Papëve në Filipine (Shën Pali VI në 1970, Shën Gjon Pali II në 1981 dhe 1995, Papa Françesku në 2015) Kryeipeshkvi Gallagher e mbylli fjalën e tij duke inkurajuar vendin e Azisë Juglindore të vazhdojë "rolin e tij vendimtar" si nxitës i "bashkëpunimit rajonal" në Azi dhe si ndërtues i "një shoqërie më humane dhe gjithëpërfshirëse".

08 korrik 2024, 12:58