Kërko

2024.07.21 Cardinale Luis Antonio Tagle, Messa finale del Congresso Eucaristico degli Stati Uniti ad Indianapolis 2024.07.21 Cardinale Luis Antonio Tagle, Messa finale del Congresso Eucaristico degli Stati Uniti ad Indianapolis

Kard. Tagle: për të qenë misionarë, duhet të keni në zemrën tuaj faljen

Në stadiumin Lucas Oil në Indianapolis, kardinali pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin kremtoi Meshën e fundit të Kongresit Kombëtar Eukaristik të SHBA-së, si i dërguar i Papës: nëse horizonti ynë është vetëm ai i suksesit dhe i fitimit, rrezikohemi të pëlqejmë marrëdhëniet “me 'miq' ose 'takime' të krijuara nga inteligjenca artificiale", pa i parë më "dhuratat në njerëzit me mish e me eshtra".

R.SH. / Vatikan

“Para se të vija këtu, e pyeta Atin e Shenjtë Françeskun nëse kishte ndonjë mesazh për ju. Ai tha, "Kthimi në Eukaristinë". Kështu e nisi Kardinali Luis Antonio Tagle predikimin, që vulosi Kongresin Kombëtar të Eukaristisë në Shtetet e Bashkuara, kremtuar në stadiumin Lucas Oil në Indianapolis me mandatin e Papës Françesku për të reflektuar mbi lidhjen ndërmjet kthesës eukaristike e kthesës misionare - pasi - vëren ai, Kongresi "do të pasohet nga dërgimi i misionarëve eukaristikë".

Marrëdhëniet artificiale

Në pikën e parë, që përcakton "Misioni dhe Dhurata", pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin u ndalua në faqet e Ungjillit, në të cilat Jezusi flet për misionin e tij. Krishti - vijoi - "ka vetëdijen e thellë se “u dërgua" nga Ati, "u dërgua, për t'u dhuruar". Misionari - nënvizoi Kardinali Tagle - "është dhuratë" e ndoshta, vërejti "pikërisht aty ku zelli misionar mungon, kjo ndoshta ndodh pjesërisht për shkak të një dobësimi të vlerësimit për dhuratat e për bamirësinë". Nëse ky horizont po zhduket – vazhdoi - “nëse horizonti ynë është vetëm ai i suksesit dhe i fitimit, nuk ka hapësirë as ​​për të parë e as për marrë dhurata falas”. Disa njerëz - vuri në dukje Kardinali - "preferojnë të lidhen me 'miq' ose 'takime' të krijuara nga inteligjenca artificiale, sepse nuk i shohin dhuratat tek njerëzit e vërtetë". E ky theksim pasohet nga një sërë pyetjesh drejtuar ndërgjegjes së burrave, grave, meshtarëve dhe laikëve, ipeshkvijve dhe baballarëve e nënave të familjeve, duke i nxitur të dhurohen, si Jezusi.

Të mos e humbasim zemrën

Po “Jezusi është dhuratë - apo problem?” - vijon kardinali filipinas, duke kaluar në pikën e dytë. Kur ai u tha dishepujve se ta marrësh Atë "do të thotë, së pari, të besosh në Të dhe, së dyti, të marrësh korpin dhe të pish gjakun e tij" - ata "filluan të dyshonin" dhe shumë e braktisën. E këtu Kardinali Tagle shtroi një sërë pyetjesh, që arrijnë drejt e në zemër: "A është e mundur që ne, Dishepujt, të kontribuojmë në largimin e të tjerëve nga Jezusi", në distancimin e tyre nga feja? “A ofrojnë bashkësitë tona të famullisë përvojën e afërsisë dhe të kujdesit për Jezusin? A janë ende familjet tona edukatorët dhe transmetuesit kryesorë të fesë?  E të rinjtë, a dëgjohen e a kuptohen kur janë në kërkim të Jezusit?”. Shumë nga të ashtuquajturit "të fshehur" - të varfër, emigrantë, të moshuar, të pastrehë, indigjenë - "mund të ndjehen si të huaj". Por, ftesa është, “të mos humbasim zemrën. Jezusi nuk do të lodhet duke ardhur tek ne me dhuratën e tij, edhe kur është i plagosur”.

Jezusi nuk imponohet

Në pikën e tretë të aspektit të misionit, Kardinali Tagle kthehet në çastin kur Jezusi i pyet apostujt nëse edhe ata kanë ndërmend ta braktisin. Shpresoj – vijon Kardinali - "se ne do të mund të përgjigjemi si Shën Pjetri: "Do të rri me ty! Nuk dua të jetojë larg teje!”.

Por këto - argumenton ai - nuk duhet të jenë fjalë boshe. Ashtu si Shën Pjetri, ne duhet të besojmë me bindje. Jezusi nuk ia imponon veten askujt. Ai i bën thirrje lirisë sonë shpirtërore”.

Pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin u kërkon misionarëve të shkojnë dhe të ndajnë "dashurinë e butë të Jezusit" me njerëzit e lodhur, me ata që kanë nevojë për dhembshuri. Në letrën që më dërgoi - vijon Kardinali Tagle: “Papa shprehu besimin 'se pjesëmarrësit në Kongres, plotësisht të vetëdijshëm për dhuratat universale që marrin nga ushqimi qiellor, mund t'ua kalojnë dhuratave të tjerëve’”.

 Të dashur miq – përfundoi Kardinali - “kur prifti apo djakoni thotë: “Mesha u krye. Shkoni në paqe!” - të lutem, shko! Shkoni! Çka dëgjuat, çka preket e çka shijuat, duhet ta ndani me të tjerët” -  për “jetën e botës”.

22 korrik 2024, 12:41