Kard Cantalamessa, predikatar i madh Fjalës së Zotit, mbush 90 vjeç

Në gjurmët e Zotit, për të shpallur Fjalën e tij. Predikatar i Shtëpisë Papnore që nga viti 1980, Kard. Cantalamessa, autor i librave të shumtë, njihet nga publiku i gjerë për bashkëpunimet e tij me gazeta nga më të ndryshmet. Rregulltar kapuçin, i krijuar kardinal nga Papa Françesku më 28 nëntor 2020, nuk deshi të shugurohej ipeshkëv, që të vazhdonte të vishej me zhgunin françeskan. E la mësimdhënien në vitin 1979, për t'iu kushtuar plotësisht predikimit.

R.SH. / Vatikan

Kardinali Raniero Cantalamessa sot, 22 korrik, mbush 90 vjeç. Frat i vogël kapuçin, ka qenë predikatar i Shtëpisë Papnore për 44 vjet. Më 28 nëntor 2020 Papa Françesku deshi t'i vinte në kokë kësulën e kuqe të kardinalit. Po ai kërkoi përjashtimin nga shugurimi ipeshkvnor, i bindur se mund të bënte "shumë pak" si bari në të tetëdhjetat (ishte 86 vjeç në kohën e Koncistorit, që të mund të përfshihej në Kolegjin e Kardinajve) por se mund të shpallte ende Fjalën e Zotit, sipas zakonit françeskan e me dëshirën të vdiste si kishte jetuar: si frat!

Fytyra dhe zëri i Atë Ranieros - siç e quajnë zakonisht - janë shumë të njohura edhe për përhapjen e Ungjillit në TV. Shkroi artikuj të panumërt për gazeta të ndryshme, edhe për "L'Osservatore Romano". E intervista të shumta dha edhe për mediat e Vatikanit, përmes rrjeteve sociale të të cilave propozoi, gjatë Kreshmëve të kaluara, një javë reflektimi.

Nuk ka kurrë kohë të lirë. Merr e jep! Merr dije, e jep krijimtari nga më të dëshiruarat, sepse të shkruara me kulturë të pashoqe!

"Thirrja e Zotit"

I lindur në Colli del Tronto, në provincën e Ascoli Piceno, Itali, hyri në seminar në vitin 1946, ndërsa "thirrjen e Zotit", sipas pohimit të tij, e ndjeu në moshën 13-vjeçare. Zëri i Zotiti që e thërriste, ishte aq i qartë, sa nuk  e vuri kurr në dyshim!

Udha e jetës…

 U shugurua meshtar më 19 tetor 1958 dhe nisi shërbimin në Bazilikën e Shtëpisë Shenjte të Loretos, për t’u diplomuar, më pas, në teologji në Friburg të Zvicrës dhe në letërsi klasike, në Università Cattolica del Sacro Cuore, në Milano, për të thelluar studimin e Besëlidhjes së Re dhe të Etërve të Kishës dhe, në të njëjtin universitet, u emërua shpejt, profesor i rregullt i Historisë së Zanafillës së Krishterë dhe drejtor i Departamentit të Shkencave Fetare. Nga viti 1975 deri në vitin 1981 ishte anëtar i Komisionit Ndërkombëtar Teologjik dhe për dymbëdhjetë vjet, i delegacionit katolik për dialogun me Kishat Pentekostale.

Predikues i fjalës me kohë të plotë

Ishte viti 1979 kur frati i madh - e gjithnjë i përvuajtur - e la mësimin për t'iu përkushtuar me kohë të plotë shërbimit të Fjalës. Papa Gjon Pali II e emëroi  predikatar të Shtëpisë Papnore në vitin 1980. E kështu mbeti deri më sot, i rizgjedhur në këtë detyrë edhe nga Papa Benedikti XVI, në 2005 e akoma, nga Papa Françesku në 2013. Në këtë cilësi drejton meditimin e kohës liturgjike të Ardhjes dhe të kohës liturgjike të Kreshmëve për Kurien romake, në prani të Papës.

Orator e autor i mirënjohur…

Frati i përvujtë Cantalamessa njihet botërisht, ndaj thirret të flasë në shumë vende të botës, shpesh edhe nga vëllezër të feve të tjera të krishtera. Është autor i librave shkencorë shkruar si historian i origjinës së krishterë dhe i kristologjisë së Etërve, i Pashkëve në Kishën e lashtë dhe tema të tjera, duke botuar edhe shumë tekste të tjera shpirtërore, rezultat i predikimit të tij në Shtëpinë Papnore, të përkthyera në rreth njëzet gjuhë. Që nga viti 2009, kardinali Cantalamessa jeton në Vetmitarinë e Dashurisë së Mëshirshme, në Cittaducale, Itali, si kapelan i murgeshave klarise kapuçine eremite.

Shën Agustini, ndër autorët e tij të preferuar

Ndër autorët e tij më të thellë të krishterë, është Shën Agustini. Në vitin 2019, duke komentuar temën e zgjedhur për predikimet e Kreshmëve, titulluar “Kthehu tek vetvetja”, i frymëzuar nga përvoja e ipeshkvit të Iponës, pati shpjeguar për mediat e Vatikanit se për të ecur “mbi gjurmët e Zotit”, për të hyrë në Të, duhet të hyjmë në zemrën tonë.

“Siç na thotë Augustini, nëse nuk hyjmë në vetvete, nëse nuk shpëtojmë sadopak nga bota e jashtme, nga zhurma, nuk mund ta takojmë Zotin e gjallë”.

22 korrik 2024, 16:00