Kërko

9 Arrivo del cardinale Parolin curia arcivescovo latino di Lviv (Leopoli), 2024.07.1 9 Arrivo del cardinale Parolin curia arcivescovo latino di Lviv (Leopoli), 2024.07.1

Kard. Parolin: në Ukrainë, për të çuar afërsinë e Papës e lutje

Sekretari i Shtetit të Vatikanit ndodhet në Ukrainë, ku nesër, më 21 korrik, do të kryesojë kremtimin përfundimtar të shtegtimit të katolikëve të ritit latin në shenjtëroren Mariane të Berdychiv. Shtegtim lutjeje, pohon për mediat e Vatikanit, me shpresën "se mund të gjenden shtigje për përfundimin e shpejtë të konfliktit". Kardinali çon në këto vise të dërmuara, afërsinë e Papës i cili "që në fillim u përpoq të gjejë mënyra për t'i dhënë fund luftës dhe për t’i hapur udhën paqes së drejtë".

R.SH. / Vatikan

Nisi me një takim në Lviv, me përfaqësues të Kishës dhe civilëve, vizita në Ukrainë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin emëruar nga Papa Françesku si Legat i tij për festimet përfundimtare të shtegtimit kombëtar të katolikëve latinë të Ukrainës në shenjtëroren e Virgjëreshës së Bekuar të Berdychiv, e cila do të mbahet të dielën, më 21 korrik. Dje, e premte 19 korrik, kardinali Parolin, i shoqëruar nga nunci apostolik në Ukrainë, Kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, mbërriti pasdite vonë në Kurien e kryeipeshkvnisë katolike romake të Lviv-it, ku u prit nga Metropoliti Mieczyslaw Mokrzycki dhe ipeshkvijtë ndihmës Edward Kava dhe Leon Maly. Në takim mori pjesë edhe Imzot Volodymyr Hrutsa, ipeshkëv- ndihmës i Kryeheparkisë së Lvivit të Kishës Katolike Greke. Të pranishëm edhe Maksym Kozytskyi, kreu i administratës rajonale të Lviv dhe Andriy Sadovyi, kryebashkiak i Lviv.

Lutje për paqen

Pas një përshëndetjeje të shkurtër me të pranishmit, legati papnor, kardinali Parolin bëri komentin e parë për mediat e Vatikanit. “Rasti i vizitës lidhet me kremtimin në Shenjtëroren Mariane të Berdyçivit. Kjo ishte arsyeja që Ati i Shenjtë Françesku më dërgoi si përfaqësues të tij të posaçëm, edhe me kërkesë të ipeshkvijve latinë, për lartimin e Bazilikës minore në Shenjtërore”, shpjegon Kardinali. “Prandaj, arsyeja e parë do të jetë pikërisht për ta jetuar këtë festë dhe këtë lutje me besimtarët që, natyrisht, do të jetë sidomos, lutje për paqen,  lutje korale lartuar Nënës së Zotit, që ajo më në fund t’i sjellë paqe këtij vendi, të cilin Ati i Shenjtë e quan gjithnjë 'të martirizuar', 'Ukraina e martirizuar'. E kjo rrethanë më  krijon edhe mundësinë për të t’u takuar me autoritet e vendit. Edhe sepse - shton Kardinali Parolin -  nga Ukriana kishte ardhur prej kohe ftesa për këtë vizitë, në këtë situatë të veçantë të luftës. E për këtë arsye, pas kremtimit të nesërm, do të ketë mundësi për t'u takuar edhe me autoritetet, duke nisur, besoj, nga presidenti, me të cilin do të flasim për paqen e perspektivat e mundshme për paqen”.

Kardinali Parolin në kapelën e Kuries së Kryedioqezës Latine të Lviv
Kardinali Parolin në kapelën e Kuries së Kryedioqezës Latine të Lviv

Afërsia e Papës

Dhurata që Sekretari i Shtetit të Vatikanit sjell në tokën ukrainase është pra "afërsia e Atit të Shenjtë": "Kjo vizitë - nënvizon kardinali Parolin - është më shumë shprehje e vëmendjes që Papa vazhdon t'i kushtojë Ukrainës. Dhe pastaj shpresat  e tij të mëdha për paqen: që nga fillimi Papa u përpoq të gjejë mënyra për t'i dhënë fund luftës, asaj që tani  ka nisur të quhet paqja e drejtë. Ne folëm për të edhe në Bürgenstock [në Zvicër], në konferencën për paqen. Prej këndej, afërsia, lutja dhe shpresa, që të gjenden mënyra për të arritur në përfundimin sa më të shpejtë të këtij konflikti”.

Kardinali Parolin në Lviv
Kardinali Parolin në Lviv

Angazhimi për një paqe të drejtë

Sërish në emër të Papës Françesku dhe të Selisë së Shenjtë, Kardinali Parolin shprehu edhe një herë shqetësimin e tij për situatën në Ukrainë dhe ritheksoi angazhimin "për të gjetur zgjidhje paqësore e për të arritur në atë paqe të drejtë, për të cilën ka folur". "Deri tani - vazhdon të kujtojë për mediat e Vatikanit - na dukej, duke nisur edhe nga vizita që Kardinali Zuppi bëri këtu në Kiev dhe më pas në Moskë, se angazhimi humanitar ishte një mënyrë për ta promovuar këtë paqe. Për më tepër, me sa më duket  mua - shton kardinali - këto janë edhe mendimet e autoriteteve në Kiev, sepse në Zvicër folën edhe për tri përmasat: para së gjithash, për çështjen e energjisë bërthamore, pastaj për shmangien e shkallëzimit të mallrave e, së fundi, mbi të gjitha, për temën humanitare. Pra Selia e Shenjtë u përqëndrua mbi këtë, edhe me kërkesën e vetë Qeverisë, por duke synuar të bëjë hapa, që do të mund të sjellin vërtetë paqen e drejtë”.

20 korrik 2024, 12:54