Kard. Parolin: pa besim reciprok, nuk mund të ketë paqe
R.SH. / Vatikan
“Më vjen mirë që ruhen këto tradita të bukura. Tradita, që janë njëkohësisht fe e kulturë, të dobishme edhe për të tashmen”. Kështu u shpreh Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kard. Pietro Parolin, në procesionin e "fiumarola-s" Zojës së Lumit, në Romë, që u kremtua mbrëmjen e 28 korrikut, mbi ujërat e lumin Tiber. Ceremonia - të cilën Papa e kujtoi edhe në lutjen e Engjëllit (shiko videon) - filloi rreth orës 19:30, kur Kardinali mbërriti në Rrethin historik të kanotazhit të Lazios, të "fiumarolëve" romakë.
Traditat na ndihmojnë të jetojmë mirë në të tashmen
Me mbërritjen e kardinalit, u zbulua shtatorja e Zojës, të cilën kardinali Parolin e bekoi e, menjëherë pas, u ngarkua mbi supet e tetë anëtarëve të Bashkëvëllazërisë të të Shenjtnueshmes Mari, në Trastevere. Varka lundroi ngadalë përgjatë lumit, nga Lungotevere Flaminio, deri në hyrje të lagjes Trastevere, në Urën Garibaldi pranë ishullit Tiberin. Prej këtu, kalimi nëpër lagjen drejt kishës së Shën Marisë në Trastevere. “Me sa duket ne duhet të kemi rrënjët tona” - nënvizoi kardinali Parolin - “sepse rrënjët e së tashmes duhet të zhyten në të kaluarën, në gjërat e bukura dhe të mira të së shkuarës.
Përpara se të nisej së bashku me shtatoren, Sekretari i Shtetit u drejtoi gjithë të pranishmëve një urim: "Këto tradita të bukura dhe të mira të së kaluarës, na ndihmofshin ta jetojmë mirë të tashmen". Festa - e kujtojmë - i kushtohet Zojës Karmë dhe origjina e saj vjen nga vitet 1535, kur një grup peshkatarësh gjeti shtatoren e gdhendur në dru kedri përgjatë lumit Tiber, pranë grykës së Ripa Grande. Shtatorja u konsiderua menjëherë e mrekullueshme dhe iu besua Karmelitanëve të Kishës së Shën Krizogonit, në zemër të Trasteveres. Që atëherë Zoja, Pajtore e lagjes, festohet në korrik.
Luftërat në Ukrainë dhe në Gazë: nevojitet besim reciprok
Në përfundim të kremtimit përgjatë lumit Tiber, Kardinali iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi rolin e Vatikanit në diplomacinë ndërkombëtare dhe angazhimin e vështirë për paqen. Të jesh “asnjanës” dhe të punosh për paqen, pa interesa ushtarake, politike apo ekonomike, ka qenë gjithmonë angazhimi i diplomacisë së Vatikanit - përsëriti Sekretari i Shtetit. Po kështu edhe "parandalimi i konflikteve" dhe kërkimi i zgjidhjeve "të drejta dhe të qëndrueshme", kur shpërthejnë konfliktet.
Pa besim të ndërsjellë, nuk mund të ketë paqe
Natyrisht, nuk kuptohemi gjithmonë, por nuk mund të heqim dorë nga kjo "thirrje" - nënvizoi kardinali Parolin - si dhe nga angazhimi i Vatikanit për të ofruar edhe veten "si hapësirë në të cilën armiqtë mund të takohen dhe të gjejnë pika mirëkuptimi". Për situatën aktuale në Ukrainë dhe Gaza dhe për kufijtë e mundshëm të negociatave për të arritur në fund të luftës, Kardinali shprehu dyshime: “Problemi është ai i besimit. Bëhet fjalë kur ka sadopak besim reciprok”. "Ne lutemi - përfundoi - që Zoti t’u frymëzojë atyre, të cilët marrin pjesë në këto luftëra, pikërisht aftësinë për t'u përfshirë në dialog me të tjerët".