Kërko

2024.07.21 Card. Parolin messa Santuario di Berdychiv Berdyczów 2024.07.21 Card. Parolin messa Santuario di Berdychiv Berdyczów 

Kard. Parolin: Ukraina po jeton orën e errët të Kalvarit, t’i lutemi Zotit për mrekullinë e paqes

Sekretari i Shtetit i Vatikanit, i dërguar nga Papa në vatrën e luftës, kryeson Meshën në shenjtëroren mariane të Berdychiv. I këshillon besimtarët “të mos e humbasin besimin edhe nëse duket se e keqja ka përparësinë”. E nxit Kishën të lutet pandërprerë" që Zoti t’i kthejë zemrat e atyre të cilët, pasi u larguan nga rrugët e tij dhe u bënë skllevër të krenarisë së tyre, mbjellin dhunë dhe vdekje, duke shkelur dinjitetin e fëmijëve e të rriturve .

R.SH. / Vatikan

Sot në Shenjtëroren Berdychiv, vend shenjt në Ukrainë, ku nderohet e Lumja Virgjëra Mari, u mblodhën rreth altarit të Zotit meshtarë, diakonë, seminaristë, burra, gra, shtegtarë, anëtarë të Trupit diplomatik, rreth ikonës së mrekullueshme të Zojës, vlerësuar prej shekujsh nga banorët e këtyre viseve si «Mbretëreshë dhe stoli e stepave të Ukrainës, e kodrinave të Podillës dhe e pyjeve të Volyh-it":  këto ishin edhe fjalët e para të homelisë së frymëzuar, që u drejtoi shtegtarëve Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.

"Jam shumë i kënaqur të jem me ju si Legat i Atit të Shenjtë Françesku, i cili donte të më dërgonte këtu për t'ju siguruar sa e ka për zemër vendin tuaj të dashur dhe  dhimbjen tuaj, për t'ju treguar afërsinë e tij të veçantë dhe për t'ju sjellë përqafimin e tij të dashur atëror dhe bekimin e tij".

Historia e Shenjtërores së mrekullive

Sot - kujtoi në vijim Kardinali Parolin - kjo shenjtërore, së bashku me atë të Virgjërës Mari të Zarvanitsias - e cila është shumë e dashur për kishën greko-katolike - është një nga qendrat shpirtërore të bashkësisë katolike të Ukrainës, nga e cila lartohen para Zotit jo vetëm lutjet tona të falënderimit për hiret e fituara por, në veçanti, lutjet për një mrekulli: mrekullinë e paqes aq shumë të dëshiruar!

Këtë theksoi Kardinali Parolin e, në vijim kujtoi se në këtë vend kanë ndodhur shumë mrekulli, si ajo e vitit 1627, kur Janusz Tyszkiewicz, Voivòda (Guvernatori) i tokave të Kievit dhe Zhytomyrit, u burgos gjatë një beteje kundër tartarëve. I lidhur me zinxhirë, premtoi se do të bënte një vepër të mirë për nder të Zotit dhe Virgjërës Mari, nëse do ta fitonte rishtas lirinë. Ndërsa flinte, iu dukën disa fretër të panjohur, të cilët iu lutën Zotit dhe Zojës për lirimin e tij. Si u lirua dhe u bind se lirimi ishte mrekulli e ndërhyrjes hyjnore, i lindi dëshira për të themeluar dhe për të ndërtuar një manastir në Berdychiv kushtuar rregulltarëve që kishte parë në ëndrrën e tij. Ai e ndoqi qëllimin pikërisht këtu, pasi u takua me fretërit karmelitanë në vitin 1630, në Lublin, gjatë festës së Zojës së Karmelit: ishin fretërit që pa në ëndërr!

Në vitin 1642, kisha u shugurua dhe, me këtë rast, në altarin kryesor u vendos ikona e Zojës së Dëborës, një kopje e asaj që ruhet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, e njohur si Salus Populi Romani. Riprodhimi u dhurua nga vetë Janusz Tyszkiewicz, i cili fillimisht e mbajti në familjen e tij, ndërsa në vitin 1647 ipeshkvi i Kievit, Stanislav Zaremba, i shëruar më 21 korrik, pasi u lut para saj në shenjtëroren Berdychiv, e quajti “Zoja e mrekullive”

I kujtojmë këto fakte - kujtoi Kardinali Parolin - për t’u përforcuar në fe, domethënë për t’u bindur se çka është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Zotin, një e vërtetë, e cila i përshkon të gjitha faqet e Shkrimit Shenjt. Na e kujton edhe Kryeengjëlli Gabriel gjatë Lajmërimit: “Asgjë nuk është e pamundur për Hyjin» (shih Luka 1,37). Asgjë nuk është e pamundur për Zotin! Me këtë siguri në zemrat tona, ta kujtojmë përsëri Fjalën e Zotit që na u propozua, për t'u ndriçuar, për t’u ngushëlluar dhe për t’u inkurajuar në jetën tonë të krishterë.

Shfletim i faqeve Ungjillore…

Në vijim kardinali shfletoi simbolikisht faqet ungjillore, duke nisur nga leximi i parë, nga Libri i Parë i Mbretërve, me episodin e njohur të flijimit të profetit Elia në malin Karmel.

“Mrekullia e madhe e përshkruar në këtë pasazh nuk është aq shumë zjarri hyjnor, i cili ra nga qielli - kujtoi - por shndërrimi i zemrës njerëzore, domethënë ai zjarr hiri, që arrin të ndryshojë shpirtin”.

E sot - kujtoi duke vijuar shfletimin e Shkrimit Shenjt - edhe Kisha në Ukrainë është e thirrur të kryejë një mision profetik, të ngjashëm me atë të Elisë: të lutet pandërprerë, në mënyrë që Zoti t’i prekë zemrat e atyre që u larguan nga rrugët e Tij e u bënë skllevër.

 Më bën përshtypje – vijoi prediktari - ajo që thotë një tekst i Meshës së Shenjtë për Paqen:

 "O Zot i paqes, ata që mbjellin përçarje nuk mund të të kuptojnë, ata që duan dhunën, nuk mund të të mirëpresin".

Zotit, të vetmit që mund ta kthejë zemrën e njeriut - kujtoi në vijim të homelisë Kardinali Parolin - i kërkojmë me lutje këmbëngulëse që t'u japë "ndërtuesve të paqes dëshirën të ngulmojnë në qëllimin e tyre, e atyre që i pengojnë, të shërohen nga urrejtja që i mundon".  

Kjo nuk është gjë tjetër veçse një ftesë për të mos humbur kurrë besimin dhe shpresën në Zotin. Sidomos sot, kur duket se e keqja ka epërsinë, kur tmerret e luftës dhe dhimbja e viktimave të shumta dhe shkatërrimeve masive e vënë në krizë besimin në mirësi hyjnore, kur na bien krahët dhe nuk kemi më fuqi as të lutemi… Pikërisht sot të ngushëllohemi nga Fjala e Perëndisë, e cila na kujton gjithmonë se ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Zotin.

Përballë shkandullit të kryqit

Në vijim të homelisë, kardinali Parolin  kujtoi se të njëjtin mesazh e përsërit edhe Ungjilli i saposhpallur, i cili na vë ballë për ballë me shkandullin e kryqit, që të kujton mizorinë e veprimit njerëzor jo vetëm kundër njerëzve, por edhe kundër vetë Zotit:

“Atë mbrëmje të së Premtes së Madhe, gjithçka dukej se kishte marrë fund: mëkati kishte ngadhënjyer, vdekja mblidhte të korrat e saj, Krishti qe hequr nga mesi dhe puna e tij, që kishte për qëllim ta bënte qenien njerëzore njeri të vërtetë, domethënë të ngjashëm me Zotin dhe të Birin e i tij, dështoi. Shumë menduan kështu, por "asgjë nuk është e pamundur për Zotin": nga errësira e të Premtes së Madhe shpërtheu agimi rrezatues i Pashkëve: Jezusi, i kryqëzuari, u ringjall!”.

Ora e Kalvarit

Sot, Ukraina po jeton orën e errët të Kalvarit - vijoi dhimbshëm Kardinali Parolin - Është vërtet zemërthyese të mendosh se, ndërsa jemi këtu, në një pjesë tjetër të vendit betejat ndizen dhe bombardimet vazhdojnë. Edhe pse është ende e vështirë për të parë dritën e paqes së Pashkëve në horizont, ringjallja e Krishtit, si dëshmi e fitores së jetës, na forcon besimin dhe shpresën tonë dhe na siguron se vdekja nuk do ta ketë fjalën e fundit:

“Mrekullia e ringjalljes së Krishtit është konfirmimi më i madh që na bind se çka është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Zotin”.

Në orën supreme të jetës së tij tokësore, Jezusi bën një gjest të jashtëzakonshëm dashurie: ia beson dishepullit që donte nënën e tij. Teksti nuk e kujton emrin e dishepullit, kështu që secili prej nesh mund të njohë në të vetveten:

“Është e bukur dhe ngushëlluese të dish se Zoti, në figurën e dishepullit, ia beson secilin prej nesh butësisë së kujdesshme të nënës së tij. Në Golgotë, në këmbët e kryqit, Maria zgjeroi amësinë e saj ndër të gjithë njerëzit, të krijuar nga vdekja e Krishtit, për një jetë që nuk do të mbarojë kurrë (Parathënia III e Virgjëreshës së Bekuar). Nëna e Zotit jo vetëm që është pranë nesh ndërsa jemi para kryqit të Jezusit, a ndërsa mbartim me vështirësi kryqet tona personale, por na shoqëron butësisht edhe drejt ringjalljes së tij të lavdishme”.

Fytyra e Zojës na fton në bashkësi intime me Zotin

Këtë e dëshmon ikona e Nënës së Zotit të Berdychiv, këtu, para syve tanë. Maria paraqitet si Odighítria, pra ajo që drejton, që tregon rrugën drejt të birit, Jezusit, i cili në krahët e Nënës ngre dorën për të na bekuar. Fytyra e saj magjepsëse amtare pasqyron bukurinë dhe mirësinë hyjnore dhe na fton në bashkësi intime me Zotin, sytë e saj plot butësi dhe dashuri drejtohen butësisht drejt secilit prej nesh dhe duan të na përqafojnë të gjithë. Ylli i artë mbi supin e saj na thotë se, ashtu si ylli i mëngjesit lajmëron agimin, edhe Maria lajmëron Jezusin, i cili është Drita që ndriçon rrugën e jetës sonë. Në dorën e majtë mban një shami të bardhë, simbol i pastërtisë së saj, si dhe i gatishmërisë për t’i ngushëlluar ata që janë të pikëlluar dhe për të na i tharë lotët. Scapulari i Karmelit, i varur nga dora e saj djathtë, tregon gatishmërinë për të na siguruar një strehë të sigurt.

Të dashur - ishin fjalët e fundit të kësaj homelie të jashtëzakonshme - këtu sot, me ndërmjetësimin e Nënës së Zotit duam të lutemi për paqe në Ukrainën e dashur. Ajo, e cila në jetën e saj mori konfirmime të ndryshme se asgjë nuk është e pamundur për Zotin (shih Luka 1,37), ia paraqet lutjet tona, lutjet e popullit të munduar ukrainas, Birit të saj Hyjnor.

Në përfundim, një lutje tejet prekëse.

Lutje për paqen në Ukrainë

O Nënë Gjithshenjte, ndihmoi fëmijët dhe të rinjtë të kenë të ardhme të qetë dhe të sigurt, familjet të jenë qendra dashurie, të moshuarit dhe të sëmurët të marrin ngushëllim dhe lehtësim në vuajtje, ata që mbrojnë atdheun e tyre nga sulmet e së keqes, të jenë të mbrojtur, të burgosurit e luftës të kthehen për të përqafuar të dashurit e tyre dhe viktimat të mirëpriten në Mbretërinë e qiejve.

Me këto ndjenja, ia besojmë Marisë dëshirat dhe lutjet tona, duke u lutur me lutjen më të lashtë, kompozuar për nder të Zojës Karmë:

“Lulja e Karmelit, hardhia e lulëzuar, drita e qiellit, vetëm ti je Nënë e Virgjër. Armaturë e fortë e luftëtarëve, lufta tërbohet: mbroji me skapolarin! O çelës e Portë e Parrizit, premto që të arrijmë atje, ku je e kurorëzuar me lavdi!” Amen.

21 korrik 2024, 12:48