Kard. Parolin: demokracia është në krizë, katolikët duhet ta mbushin me vlera
R.SH. – Vatikan
''Demokracia është në krizë në vende të ndryshme të botës, kontributi i katolikëve është shumë i vlefshëm për ta mbrojtur atë''. Këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në prag të Javës së 50-të Sociale të katolikëve italianë, që fillon nesër në Trieste. Ajo do të ketë në qendër vlerat e demokracisë e të dielën, për të marrë pjesë në seancën përfundimtare të saj, në qytetin verior italian do të shkojë edhe Papa Françesku.
Kardinali foli më 2 korrik, në Romë, në Ambasadën Italiane në Selinë e Shenjtë, me rastin e edicionit të pestë të Çmimit Letrar të Ambasadorëve të akredituar në Selinë e Shenjtë. Këtë vit, çmimi iu dha gazetarit të RAI-t, Piero Damosso, për librin e tij “A mund ta ndalë Kisha luftën? Një analizë 60 vjet pas Pacem in Terris” (San Paolo).
''Është temë me rëndësi urgjente - vuri në dukje Sekretari i Shtetit, duke vazhduar të flasë për demokracinë - e dimë se demokracia është në krizë në anë të ndryshme të botës. Unë besoj se edhe katolikët duhet të theksojnë rëndësinë dhe nevojën për të qenë në favor të demokracisë e sidomos, duhet ta mbushin atë me vlera. Demokracia nuk është ushtrim i thjeshtë matematikor, kush ka më shumë e kush më pak, por është mbi të gjitha ushtrim vlerash, frymëzim nga vlerat, që bëjnë të mundur bashkëjetesën shoqërore. Ndaj besoj se kontributi që mund të japin katolikët është shumë i vlefshëm, shpresoj që të vijë diçka e mirë nga këto Javë sociale”.
Pacem në Terris është testament
Kardinali Parolin kujtoi më pas rëndësinë e enciklikës “Pacem in Terris” të Papës shenjt Gjoni XXIII, duke e quajtur “testament” të vlefshëm edhe për ditët e sotme. Libri, që mori çmim, nënvizoi ai, "ka meritën e nxjerrjes në pah të dëshirës së thellë për paqe me një metodë interesante", përmes rreth 50 intervistave me dëshmitarë e akademikë, që bëjnë një reflektim të gjithanshëm mbi paqen. Pikërisht ky reflektim u vlerësua nga juria, e cila në motivacionin e çmimit, vëren: "Kisha, pavarësisht se nuk ka pushtet real për t’i ndalur konfliktet, mund t’i bëjë thirrje ndërgjegjes universale njerëzore të veprojë për t’i shembur muret e urrejtjes dhe të armiqësisë, duke e përvijuar vëllazërimin si perspektivë të sigurt për drejtësi, solidaritet, përfshirje dhe kujdes ndaj tokës. Në analizën e tij, autori thekson edhe se pushteti i lutjes së popullit të Zotit mund të sjellë projekte të guximshme takimi e dialogu".
Parolin: koncepti i 'luftës së drejtë' po revizionohet
I pyetur për konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, kardinali Pietro Parolin theksoi se lufta nuk është kurrë e drejtë. Ai pranoi se vetë koncepti i “luftës së drejtë”, që është ai i mbrojtjes, sot, me armët në dispozicion, ka nevojë për shqyrtim të mëtejshëm e është në revizionim e sipër. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për propozimin e kryeministrit hungarez Orbán, i cili, me cilësinë e presidentit të radhës së Bashkimit Evropian, i ka kërkuar presidentit ukrainas Zelenski një armëpushim të shpejtë për të lehtësuar bisedimet e paqes, prelati nënvizoi refuzimin e përhershëm të ukrainasve, nëse nuk ka garanci që armëpushimi të mos jetë thjesht ndalesë, për të filluar përsëri konfliktin, edhe më ashpër. Sekretari i Shtetit të Vatikanit mendon se do të ketë shkëmbime të tjera të burgosurish, për të cilat po ndërmjetëson me sukses Selia e Shenjtë, duke shpresuar se mund të ndihmojë në krijimin e kushteve për bisedime.
Në Liban, përparësia është zgjedhja e presidentit të ri
Së fundi, Libani, nga ku sapo është kthyer. Kardinali Parolin nënvizoi se për të dalë nga kriza institucionale, vendi duhet fillimisht të zgjedhë presidentin e ri. Duke shpresuar në rolin aktiv të të krishterëve brenda sistemit libanez, prelati konfirmoi se Patriarku katolik, kardinali Mar Bechara Boutros Al Rai, është aktor aktiv në këtë fushë, duke u përpjekur t’i bashkojë gjithë të krishterët. “Duket – nënvizoi ai - se nga ana e partive të krishtera ka vullnet për t'u bashkuar, për të propozuar një, ose më shumë kandidatë, të pranuar nga të gjithë”. Nuk mungon, vuri në dukje së fundi kardinali, as dialogu me shiitët, por “problemi është sidomos i hezbollahëve; ata janë në lojë dhe kanë kandidatin e tyre, çështja është gjetja e një kandidati që pranohet nga të gjitha palët”.