Kardinali Hollerich: shërbimi në altar është “shërbim për Zotin dhe për të tjerët”
R.SH. – Vatikan
Këtë javë, rreth 50.000 ministrantë kanë ardhur në Romë, duke marrë pjesë në shtegtimin e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e tyre - Coetus Internationalis Ministrantium. Shtegtimi, që zhvillohet nga 29 korriku deri më 3 gusht, parashikon vizitën e djemve e vajzave, që shërbejnë në altar, në katër bazilika papnore të Romës, si edhe takimin e mbrëmjes së sotme me Papën Françesku, që i pret në audiencë të veçantë në Sheshin e Shën Pjetrit, për të komentuar bashkë me ta kuptimin e temës së takimit të tyre: “Me ty”.
Është një “me ty” me Zotin, por edhe me të afërmin, u ka thënë shpesh Ati i Shenjtë, që si zakonisht, edhe kësaj radhe, i nxit të rinjtë për afërsi konkrete me të tjerët, pa gjykime e paragjykime, pa e mbyllur zemrën e pa përjashtime. Shumica e ministrantëve, ardhur në Romë – rreth 35.000 vetë – vijnë nga Gjermania, por ka edhe pjesëmarrës nga vende të tjera evropiane, si Austria, Kroacia, Hungaria, Sllovakia dhe Ukraina. Shtegtarët do t'i shoqërojë gjatë gjithë javës, kardinali Jean-Claude Hollerich SJ, kryeipeshkëv i Luksemburgut, i cili dha një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News.
T'i shërbesh Zotit, t'u shërbesh të tjerëve
Kardinali vë në dukje që në fillim temën e shtegtimit, marrë nga Libri i Isaisë (41,10): “Me ty”. Ministrantët janë para së gjithash me Zotin, me “Krishtin, të cilit po i shërbejmë në liturgji". Por, ata e shtrijnë këtë “me ty” edhe në "grupin e miqve", me të cilët shtegtojnë së bashku. "Kjo "ty" duhet të ketë një kuptim më të gjerë", pohon kardinali, "sepse nuk mund t'i shërbejmë Krishtit, pa u shërbyer motrave dhe vëllezërve tanë".
Lufta kundër bullizmit
Në këtë drejtim, një temë veçanërisht e rëndësishme për ministrantët, të cilët janë kryesisht adoleshentë, pohon kardinali Hollerich, është bullizmi. Prelati theksoi se interneti e ka transformuar këtë lloj ngacmimi në "diçka të tmerrshme". Të rinjtë, që shërbejnë në meshë, nënvizon ai, "nuk duhet të ngacmojnë kurrë, por të jenë gjithmonë në anën e më të dobëtve në klasën, ose në vendin e tyre të punës". Kardinali e përfundon intervistën duke folur për takimin e ministrantëve me Papën Françeskun, rreth 50.000 vetë në Sheshin e Shën Pjetrit. Çast për të “për t'u inkurajuar nga Papa për ta jetuar si duhet këtë shërbim në altar, këtë shërbim për motrat dhe vëllezërit në mbarë botën”.