Kërko

Il Santuario mariano di Berdychiv in Ucraina Il Santuario mariano di Berdychiv in Ucraina

Kard. Parolin, i dërguar i Papës në Ukrainë, udhëtim paqeje "në një kohë të trishtuar lufte"

Kardinali Pietro Parolin do të përfaqësojë Françeskun në një vend dhe në një kohë shumë të dashur për Kishën e Ukrainës, në Shenjtëroren Mariane të Berdychiv, "veçanërisht në këtë kohë të trishtuar dhe katastrofike të dhunës së luftës", siç nënvizohet nga Papa në tekstin e letrës, publikuar sot. Rasti, përfundimi i shtegtimit të katolikëve të vendit, që do të arrrijë kulmin të dielën, 21 korrik.

R.SH. / Vatikan

Papa caktoi Sekretarin e Shtetit të Vatikanit si përfaqësuesin e tij për kremtimet përfundimtare të shtegtimit të katolikëve ukrainas të ritit latin,  planifikuar për të dielën, 21 korrik, në shenjtëroren mariane të Berdychiv .

Lajmi daton në majin e kaluar, por si zakonisht vula e Papës, një letër e shkruar në latinisht, ka mbërritur tashmë, në përkim me këto rrethana, Kardinali Pietro Parolin do të përfaqësojë Françeskun në një vend dhe në një kohë shumë të dashur për Kishën e Ukrainës, në Shenjtëroren Mariane të Berdychiv, "veçanërisht në këtë kohë të trishtuar dhe katastrofike të dhunës së luftës", siç nënvizohet nga Papa në tekstin e letrës, publikuar sot. Rasti, përfundimi i shtegtimit të katolikëve të vendit, që do të arrrijë kulmin të dielën, 21 korrik.

Shekuj shtegtimesh dhe hiresh

Në fillim letra kujton se Kisha, e drejtuar nga Karmelitanët e zbathur, mori statusin e shenjtërores kombëtare në vitin 2011, por tradita e shtegtimeve në këtë vend të jashtëzakonshëm, është shumëshekullore. Ajo daton në gjysmën e parë të shekullit të 17-të, e pikërisht në vitin 1630, kur vojvoda i Kievit, Yanush Tyshkevych, themeloi një manastir në shenjë mirënjohjeje për çlirimin nga tatarët dhe dhuroi një ikonë të Nënës së Zotit Snizhna (Zoja e Borës), pikturuar në shekullin e 16-të. Një nderim, që shpejt u përhap në pjesën tjetër të vendit, gati për t'u gjunjëzuar përpara figures së mrekullueshme të Zojës.

Lutja për përfundimin e luftërave

E sot, më shumë se kurrë, Ukraina dëshiron t'i kërkojë Virgjërës një hir të veçantë. "Ju do t'i nxisni të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje - i shkruan Françesku kardinalit Parolin - t'i luten papushim Mbretëreshës së Paqes që të marrë fund lufta në Ukrainë dhe në çdo skaj të botës, duke ofruar veten si shembull bekimi ndërmjet grave, për t’u imituar, pasi ajo është e pëlqyer për Zotin që përul krenarët dhe larton të përvuajturit”.

Letra përfundon me ftesën e Papës për të çuar bekimin e tij, por edhe "dashamirësinë dhe afërsinë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për popullin e dashur të Ukrainës".

Sekretarin e Shtetit, në cilësinë e Legatit Papnor, do ta shoqërojnë dy priftërinj, Don Ruslan Mykhalkiv, rektor i Seminarit të Dioqezës së Kyiv-Zhytomir dhe Don Andriy Lehovich, sekretar i kryeipeshkvit Metropolitan të Lvivit të Latinëve.

13 korrik 2024, 14:04