Kërko

Kardinali Gianfranco Ravasi Kardinali Gianfranco Ravasi

Kardinali Ravasi për Jubileun: jemi dëshmitarë shprese, jashtë tempullit

Sipas kardinalit Gianfranco Ravasi, për një kohë të gjatë kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën në Vatikan, Jubileu 2025 është mundësi për të takuar besimtarë dhe jobesimtarë, në realitetin ku jetojnë

R.SH. – Vatikan

Biblist, teolog, njohës i thellë i hebraizmit, autor i mbi 300 librave, kardinali Gianfranco Ravasi, 81 vjeç, është njeri i studimeve, i apasionuar pas dialogut. Nga viti 2007 deri në vitin 2022, nën papnitë e Benediktit XVI dhe të Françeskut, ka qenë "ministri i kulturës" i Vatikanit, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën. Pati idenë e "Oborrit të Jobesimtarëve", tani pjesë e Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, themeluar për të nxitur takimet ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve. Një oborr, në një shoqëri laike dhe të shekullarizuar, për të diskutuar së bashku mbi problemet e shumta të botës moderne.

Pikërisht në një shoqëri të tillë, "Jubileu ka shumë për t'u thënë si atyre, që besojnë, ashtu edhe atyre që nuk besojnë", pohon kardinali Ravasi në një intervistë për revistën katolike “Familja e krishterë”.

«Në Bibël, në kapitullin 25 të Librit të Levitikut, përshkruhen kushtet për ta jetuar Jubileun. Kjo fjalë rrjedh nga hebraishtja ‘yobel’, përmendet 27 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku për gjashtë herë tregon bririn e dashit, ndërsa në të gjitha rastet e tjera, i referohet jubileut. Bririt i bihej në muajin Tishrì, që përkon me vjeshtën tonë dhe shënonte një lloj ndarjeje ndërmjet kohës së mëparshme dhe vitit të ri, që po fillonte. Kjo ndodhte çdo 49 vjet, në fillim të vitit të 50-të, që ishte pikërisht jubileu. E duheshin zbatuar një sërë kushtesh: “Nuk do të mbjellësh, nuk do të lërosh tokën, nuk do të vjelësh, nuk do të korrësh”. Kjo do të thoshte se toka duhej të pushtonte, siç ndodhte ‘gjatë së shtunës” hebraike. Sepse të gjithë duhet të kujtoheshin se toka është dhuratë e Zotit, nuk e kanë bërë njerëzit, prandaj, gjatë këtij viti, ajo do të prodhonte spontanisht çka ishte nevojshme për të jetuar. A mund të lihet toka e papunuar për dy vjet? Ndoshta kjo nuk ndodhte, por i hapte vend një utopie, dëshirës për diçka më të lartë. Është e qartë se kemi këtu përmasën ekologjike, respektin për tokën”.

Tema e utopisë, e pushimit për tokën, është shumë aktuale, edhe për jobesimtarët...

"Sigurisht – komenton kardinali Ravasi. – Ne, qeniet njerëzore, në hebraisht quhemi Adam, i cili nuk është emër i përveçëm. Në hebraisht ka nyjen përpara, ha'adam, dhe fjalë për fjalë do të thotë "ai me ngjyrë të kuqërremtë", ngjyra e argjilës, që nënvizon lidhjen me materien. Jemi të lidhur me Krijimin, ‘Laudato si'’ përqendrohet tërësisht në këtë ide. Edhe ‘Fratelli tutti’ tregon një sërë impenjimesh shoqërore dhe komunitare, të veçanta për Jubileun”.

Çfarë jep shpresë në jetën e përditshme?

“Të gjitha virtytet kanë fytyra të ndryshme në varësi të personit – vëren kardinali Ravasi, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, disi më personale. - E shpresa ka një karakteristikë të veçantë, të cilën e thekson shumë mirë një poet francez, Charles Péguy. Vdekur në fillim të Luftës I Botërore, në vitin 1914, ai pati shkruar një poezi të shkurtër me titull ‘Misteri i Portikut të virtytit të dytë”. Thoshte: "Feja dhe dashuria janë dy motrat më të mëdha, por më e vogla, shpresa, bën çka bëjnë fëmijët kur prindërit ndalen në rrugë për të biseduar me njëri-tjetrin, ose me një mik, ose para vitrinave: i tërheqin nga rrobat". Feja dhe dashuria kanë nevojë për shpresën që të ecin përpara. Një si unë, gjithë jetën i interesuar për kulturën dhe Biblën, pashmangshmërisht priret kah kërkimi, realitet që, fatkeqësisht, nuk praktikohet shumë në ditët e sotme, madje, as në shkolla. Platoni, në Apologjinë e Sokratit, kujton një frazë-testament, që i kishte lënë mësuesi i tij: "Një jetë pa kërkime nuk ia vlen të jetohet". Ky është tensioni, shpresa. Është dhuratë, të cilën dua t’ua uroj të gjithëve”.

22 korrik 2024, 11:21