Turkson: të mbrojmë të drejtat e fëmijëve në një botë që ndryshon
R.SH. – Vatikan
“Abuzimi është përvojë pafuqie, që ndikon mbi njeriun për gjithë jetën. Ai duhet të luftohet me të gjitha forcat”. Kardinali Peter Kodëo Appiah Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, impenjohet prej kohësh për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve kudo që ato shkelen në botë. Punon sidomos në dy fronte, atë të afirmimit më të gjerë të të drejtave të njeriut dhe atë të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore: të gjitha këto, që kur u bë kreu i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Tashmë ai është ish-prefekti i tij, por impenjimi i vazhdueshëm kur ishte në krye të dikasterit bëri që më 25 korrik të merrte çmimin ndërkombëtar dhënë nga Fondacioni “Child”, i cili kryen studime dhe kërkime shkencore mbi fëmijërinë dhe adoleshencën, si edhe nga “Telefono Azzurro”, linja telefonike italiane në dispozicion të fëmijëve.
Vëmendje maksimale
“Fëmijët, adoleshentët janë në një fazë delikate të jetës dhe edukimi i tyre në këtë periudhë është i rëndësishëm”, shpjegon kardinali për mediat e Vatikanit, duke nënvizuar se kapaciteti i tyre për të mësuar gjëra të reja është aq i lartë sa nëse dikush gabon, duke u mësuar sjellje negative, ka rrezik t’i prishë përgjithmonë. Prandaj nevojitet vëmendje maksimale jo vetëm nga familja, por edhe nga shoqëria.
Jo vetëm kompensime
Përvoja e abuzimit, hyn në hollësi kardinali Turkson, është e tmerrshme, i shkatërron përgjithmonë zemrat e viktimave: “Por zgjidhja – pohon ai – nuk është aq kompensimi financiar, sepse paratë nuk i shërojnë këto lloj plagësh. E thashë edhe disa kohë më parë në Irlandë: nevojitet shërim shpirtëror dhe Kisha mund ta ofrojë këtë shërim. Fuqia e Shpirtit Shenjt është reale, ajo vepron dhe mund t'i ndryshojë gjërat".
Inteligjenca Artificiale, kufi për t'u zbuluar
Kisha, vazhdon ai, tani i kushtohet edhe mbrojtjes së të miturve dhe njerëzve të brishtë në fushën e Inteligjencës Artificiale, kufi në të cilin ka rrezik të harrohen të drejtat e më të ligshtëve: "Inteligjenca Artificiale - nënvizon kardinali – ndërlikon, por edhe ndihmon. Është mjet i vlefshëm, që duhet të mësojmë ta përdorim. Një teknologji, në të cilën duhet të hyjë pak etikë, proces i ndërlikuar dhe i vështirë ky, nëse mendojmë vetëm për fitimin, për paratë”.