2024.06.25 San Paolo fuori le mura, Giubileo 2024.06.25 San Paolo fuori le mura, Giubileo

Mbi varrin e Palit, në zanafillën e krishterimit romak

R.SH. / Vatikan

Një pllakë romake me mbishkrimin “Paulo apostolo mart”; një zonë varrimi e një bashkësie të madhe të krishterë; hulumtimet e fundit shkencore që gjurmojnë mbetjet mortore të gjetura brenda një sarkofagu mermeri tek një njeri që jetoi ndërmjet shekullit I dhe II. Këto janë të dhënat materiale, të cilat vërtetojnë praninë e Apostullit të Popujve nën altarin e Bazilikës së Shën Palit Jashtë Mureve. Një vend i pasur me fe, histori, mister…

Nga persekutues i të krishterëve, apostull dhe martir. Mbi varrin e Shën Palit

Tradita e njëzëshme dhe e padiskutueshme, sipas së cilës Bazilika Ostiense u ndërtua mbi mbetjet mortore të Shën Palit, u konfirmua edhe në kërkimet e fundit shkencore. ...

Fillimi i viteve 2000. Një interes i ri lind rreth figurës së Palit të Tarsit. Zbulimet sensacionale fillimisht nxjerrin në dritë portretin më të vjetër të Apostullit të Popujve në Katakombet Romake të Shën Teklës, më pas një sarkofag mermeri të papunuar nën altarin papnor të Bazilikës, që të kujton autorin e trembëdhjetë letrave të Testamentit të Ri.

Bazilika e Shën Palit jashtë mureve
Bazilika e Shën Palit jashtë mureve

Zbulimi shkencor

Lajmi u dha me emocion të thellë më 29 qershor 2009, gjatë darkës së parë në fund të Vitit Paulin, nga Benedikti XVI. Me atë rast Papa i atëhershëm komunikoi rezultatet e analizës së kujdesshme shkencore kryer mbi varrin dy mijë vjet pas lindjes së Palit: një sondë speciale e futur në sarkofag zbuloi gjurmë të një pëlhure liri të çmuar ngjyrë vjollce, të qindisur me ar të pastër dhe të një pëlhure blu me fije liri, kokrra temjani të kuq dhe substanca proteinike dhe gëlqerore. U identifikuan gjithashtu fragmente shumë të vogla kockash. Këta të fundit iu nënshtruan testeve të karbonit 14 të kryer nga ekspertë, të pavetëdijshëm për origjinën e tyre: ishin te një personi që pati jetuar ndërmjet shekullit të parë e të dytë. “Kjo duket se konfirmon traditën e njëzëshme dhe të padiskutueshme se këto janë mbetjet mortore të Apostullit Pal”, komenton Benedikti XVI.

Riprodhim i pllakës mbi varr
Riprodhim i pllakës mbi varr

 Një varr i pahapur

Pesëmbëdhjetë vjet pas këtij njoftimi, shkojmë te varri të shoqëruar nga Atë Lodovico Torrisi, mjeshtër i novicëve në Abacinë e Shën Palit Jashtë Mureve, qysh në shekullin e 8-të, nën kujdesin e murgjërve benediktinë. “Varri nuk u hap kurrë - shpjegon ai – sepse vibracionet për të hequr kapakun, kontakti me dritën dhe oksigjenin mund të shkatërronin a të shpërbënin çka kishte mbetur nga trupi i Palit”.

Sarkofagu i Shën Palit
Sarkofagu i Shën Palit

Rrëzë altarit, nën tabernakullin e mrekullueshëm  krijuar në vitin 1285 nga skulptori i famshëm Arnolfo di Cambio, duken gurët e sarkofagut të nxjerrë në dritë në vitin 2006, nga studiuesit. Një flakë e vogël digjet vazhdimisht, ditë e natë, për të treguar shenjtërinë e vendit. Pranë saj duket qartë një urnë prej bronzi dhe qelqi, që përmban zinxhirin e burgosjes romake të Apostullit, e pranishme në bazilikën që nga shekulli i IV-të dhe e mbartur me procesion brenda bazilikës çdo 29 qershor, solemnitet i Shën Pjetrit dhe Shën Palit.

Pllaka e mermerit me mbishkrimin PAULO APOSTOLO MART.
Pllaka e mermerit me mbishkrimin PAULO APOSTOLO MART.

Nëpërmjet një grile mund të shihni, nën nivelin e ecjes, një pllakë mermeri të përbërë nga dy pjesë: me përmasa 2,12 x 1,27 metra. Mbi të spikasin mbishkrimi PAULO APOSTOLO MART dhe tri vrima: një e rrumbullakët dhe dy katrore. Daton në shekullin IV-V dhe është dëshmi e kultit që ka nisur që në zanafillën e tij, edhe para ndërtimit të një kishe. Vrimat kishin funksionin e prekjes së relikeve të kontaktit, pra shiritave prej pëlhure që futeshin brenda, derisa preknin varrin.

Pllaka e mermerit me mbishkrimin PAULO APOSTOLO MART.
Pllaka e mermerit me mbishkrimin PAULO APOSTOLO MART.

Martirizimi jashtë mureve

“Prerja e kokës së Shën Palit”, vazhdon Atë Lodovico Torrisi, “u bë shumë afër vendit të varrimit. Rreth katër kilometra nga Bazilika, në Acque Salvie, ku ndodhet sot Abacia e Tre Shatervaneve. Këtu Pali u mor nga burgu Mamertin, ku mbahej i burgosur. Historianët ende nuk e kanë kuptuar pse ndodhi martirizimi këtu. Iu pre koka jashtë Mureve Aureliane, në një vend me ajër jo të shëndetshëm, pranë Via Ostiense, ndërmjet viteve 65 dhe 67, nën perandorin Neron.

Tre shatërvanët

Ndërsa koka rrokullisej përdhe, hovi tri herë ndaj, sipas traditës, aty, në ato tri pika, shpërthyen mrekullisht ujërat e tre burimeve: i pari i nxehtë, i dyti i vaktë, i treti i ftohtë akull. Në rrugën që shkon përgjatë anës së abacisë Trappiste, një trotuar i ngjashme me ato të Romës së lashtë u rindërtua kohët e fundit, për të kujtuar rrugën e përshkuar nga Apostulli përpara ekzekutimit. Një mbishkrim mermeri në fasadën e kishës së Shën Palit Martir, ndërtuar në shekullin e 5-të, restauruar në 1599 nga arkitekti Giacomo Della Porta me një pjesë e kompleksit të abacisë, na kujton: “S. Pauli Apostoli martirii locus ubi tres fontis mirabiliter eruperunt”. Brenda tempullit duken qartë tre aedikulat e ndërtuara në secilin prej burimeve,  rreshtuar në të njëjtën distancë, por në nivele të ndryshme. Që nga viti 1950, pas urbanizimit dhe si pasojë e ndotjes së akuiferit, rrjedha e ujit është mbyllur dhe shpërndarja për besimtarët ka pushuar.

 Kisha e martirizimit të Shën Palit tek “Tre Fontane” – “Tri Gurrat” në Romë
Kisha e martirizimit të Shën Palit tek “Tre Fontane” – “Tri Gurrat” në Romë

Shpata

Pasi u burgos nga hebrenjtë, Pali mbërriti në Romë në vitin '61 për t'u gjykuar atje si qytetar romak. I lindur hebre me emrin Saul, gëzonte nënshtetësinë romake si të gjithë banorët e Tarsusit, qytetit të tij të origjinës, në Kiliki, në jug të Turqisë së sotme. Pasi u transferua në Jerusalem, u bë njeri i besuar i Sinedrit dhe më vonë, persekutues i egër i të krishterëve. Në rrugën për në Damask, në vitin 36, ndodhi kthesa.  "Shën Pali - vëren At Lodoviku - paraqitet me shpatë, për të treguar se si  mbrojti Fjalën e Zotit. E për të mbrojtur Ungjillin, ai edhe vdiq nga shpata, me një vdekje mizore, si luftëtar trim".

Kolona e martirizimit në Tre Fontane
Kolona e martirizimit në Tre Fontane

Kokat e Pjetrit dhe Palit

“Thuhet se pas prerjes së kokës një matronë romake, e krishterë, u kujdes për trupin, e vendosi në një sarkofag dhe e varrosi në Via Ostiense”, shton Atë Torrisi. Sipas historive që na kanë ardhur, kjo grua quhej Lucina: dy milje larg Acque Salvie ajo zotëronte një zonë varrimi brenda një varreze pagane, me rreth 5 mijë varre. Gërmimet kanë vërtetuar ekzistencën e këtij nekropoli me kamare dhe varre për skllevërit e varfër dhe të liruar. Koka e Palit u gjet në një kohë të mëvonshme dhe ruhet mbi tabernakullin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, së bashku me atë të Pjetrit, të varrosur në  Vatikan. Sipas Martirologjisë Romake, të dy u mbytën në të njëjtën ditë.

Një nga tre kamaret të ndërtuara pranë Tre Fontane
Një nga tre kamaret të ndërtuara pranë Tre Fontane

Edhe eshtrat e tyre mortore janë të bashkuara sepse gjatë persekutimeve ata të dy u strehuan brenda Katakombeve të San Sebastiano. Kjo dokumentohet nga disa mbishkrime dhe oferta kushtimi të gjetura në zonën arkeologjike në Via Appia. Më pas, eshtrat e dy shenjtorëve pajtorë të Romës u kthyen në vendet e tyre të varrimit.

Në zanafillë të Kishës së Romës

Vendi i varrimit të Palit u bë menjëherë cak shtegtimesh për besimtarët që shkonin këtu për t'u lutur dhe, në nderim të Shenjtit, ndërtuan një cella memoriae. Që në vitet e hershme, shumë të pagëzuar vendosën të varroseshin në zonën përreth dhe nekropoli gradualisht u shndërrua nga pagan, në të krishterë.

Kiostri a oborri i Abacisë së Shën Palit Jashtë Mureve
Kiostri a oborri i Abacisë së Shën Palit Jashtë Mureve

"Shumë zgjodhën të preheshin në varr pranë atij të Apostullit", kujton igumeni benediktin, duke treguar epigrafët e shumtë në latinisht, greqisht dhe hebraisht të ngjitura në muret e manastirit të Abacisë së Shën Palit Jashtë Mureve, të konceptuara dhe të dekoruara nga Pietro Vassalletto.

Lapidari në manastirin e Shën Palit JashtëMureve, në Romë
Lapidari në manastirin e Shën Palit JashtëMureve, në Romë

 “Gjatë punimeve të ndryshme të rindërtimit, gërmimit apo forcimit të themeleve, këtu u gjetën shumë gjëra, kryesisht varre pagane dhe të krishtera. Ndoshta me njerëz të një kalibri të caktuar shoqëror. Krishterimi romak lindi pikërisht në këtë zonë”. Ndër artefaktet më të vlefshme të gjetura në zonë, në vitin 1838, bie në sy Sarkofagu Dogmatik i shekullit të IV-të, i cili tani ruhet në Muzetë e Vatikanit.

Tri bazilikat

Kur nisi liria e adhurimit, në vitin 313 pas Krishtit me Ediktin e Milanos, Perandori Konstandin donte të nderonte denjësisht kujtimin e Apostullit të e Popujve, duke e monumentalizuar vendin e varrimit të tij të parë me një Bazilikë në vitin 324, baza e së cilës është e dukshme edhe sot në këmbët e altarit papnor. Trupi i Shenjtit fillimisht u mbyll në një arkivol bakri. Tempulli, në zanafillë jo shumë i madh, u zgjerua më pas nga perandorët Theodosius, Arkadius dhe Valentinian II, duke u bërë kështu Bazilikë shumë e madhe, me pesë navatat e njohura si "Theodosiana" ose "të tre perandorëve".

Tabernakulli i Arnolfo di Cambio
Tabernakulli i Arnolfo di Cambio

Kryeveprat, që shpëtuan nga zjarri

Ndërmjet shekujve 12 dhe 13, në kantier punuan personalitete të shquara artistike si Pietro Cavallini, afresket e të cilit për fat të keq humbën, dhe Arnolfo di Cambio, autori i ciboriumit, që mbijetoi, së bashku me kandelabrin e vlefshëm për qiriun e Pashkëve të Vassaletto-s kur, në korrik 1823, zjarri shkatërrues, në një natë të vetme, e bëri rrafsh me tokë Bazilikën Theodosiane.

Zjarri dhe rindërtimi

Shkaqet e zjarrit nuk dihen, disa besojnë se shkaktar ishte një pishtar, ndoshta i lënë pa mbikëqyrje nga punëtorët që punonin për riparimin e çatisë. Një ditë pas katastrofës, romakët shkuan masivisht për të parë se çfarë kishte mbetur nga kisha. Skenari ishte i zymtë dhe zemërplasës. Një dëshmitar i jashtëzakonshëm, shkrimtari francez Stendhal, e përshkroi si "një nga spektaklet më të mëdha" që janë parë ndonjëherë: "Pata përshtypjen e bukurisë së ashpër, tejet të trishtuar, si muzika e Mozartit. Gjurmët e dhimbshme dhe të tmerrshme të fatkeqësisë ishin ende të gjalla; kisha, ende e rrëmujshme nga trarët e zinj gjysmë të djegur; boshtet e kolonave, të çara në të gjithë gjatësinë e tyre, rrezikonin në çdo çast të rrëzoheshin”.

Më 25 janar 1825, me Enciklikën "Ad plurimas" Leoni XII u bëri thirrje besimtarëve për rindërtimin e tempullit: e u rindërtua identikisht, duke ripërdorur pjesët e shpëtuara nga zjarri për të ruajtur traditën e krishterë të origjinës dhe u shugurua nga Piu IX, më 10 dhjetor 1854. Në ato vite, kantieri më mbresëlënës i ndërtimit të Kishave të Romës të shekullit të 19-të ishte në Shën Palin Jashtë Mureve. Bazilika, e cila u përfundua, është pikërisht ajo, që shohim sot.

Shën Pali dhe njerëzit prej anë e anës

Jo vetëm katolikët, por e gjithë bota iu përgjigj masivisht thirrjes së Leonit XII: blloqe malakiti dhe lapis lazuli u dhuruan nga Car Nikolla I, ashtu si kolonat dhe dritaret prej alabastri shumë të mirë erdhën nga Mbreti Fouad I i Egjiptit. Pali i Tarsit e konfirmoi veten me atë rast si pikë referimi universale për besimtarët dhe mbarë popujt. Dëshmitare të koralitetit të njerëzve mbledhur rreth këtij gjiganti të krishterimit janë panelet prej mermeri në muret e absidës, mbi të cilat janë gdhendur emrat e kardinajve dhe ipeshkvijve të shumtë, të pranishëm në ditën e shugurimit. U mblodhën në Romë për shpalljen e Dogmës të Zënies së Papërlyer të Zojës. U mblodhën, e festuan së bashku me Pasardhësin e Pjetrit, simbolikisht nën vështrimin e të gjithë Papëve të historisë, të portretizuar në mozaikë ndër medaljonet e mëdha, që zbukurojnë navatat e sallës.

Apostulli i unitetit të krishterë

Siç dihet, apostullimi i Palit shtrihej nga hebrenjtë, ndër të gjithë popujt: në Arabi, Azinë e Vogël, Maqedoni, Qipro dhe Greqi ai themeloi bashkësi të shumta të krishtera. Emblematike e bredhjeve të Apostullit të Popujve është relikja e shkopit të përdorur gjatë udhëtimeve të tij, ruajtur në Muzeun e Bazilikës Romake.

Relikja e bastunit të Shën Palit
Relikja e bastunit të Shën Palit

Relikja e bastunit të Shën Palit

 “Pali nderohet nga popullata botërore, e krishterë e jo”, shton Atë Lodovico Torrisi. “Është figurë themelore për unitetin e krishterë”. Festimet dhe ngjarjet ekumenike zhvillohen në Bazilikë. Episodet dhe objektet veçanërisht domethënëse nga ky këndvështrim janë të lidhura me këtë vend. Këtu, në banesën e abatit, më 25 janar 1959, Gjoni XXIII u njoftoi kardinalëve synimin e tij për të thirrur Koncilin II Ekumenik të Vatikanit.

Zinxhirët e Apostullit në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve
Zinxhirët e Apostullit në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve

Për më tepër, në vitin 2006 Benedikti XVI përmbushi dëshirën e Shën Gjon Palit II për t'i dhuruar dy hallka të zinxhirëve të Apostullit të Popujve Patriarkut të Athinës, Christodoulos.

Shën Pali dhe Jubileu

Më në fund, në rrugën drejt bashkimit të plotë të krishterëve, një vend të spikatur zë Dera e Shenjtë e Bazilikës së Shën Palit, e cila do të hapet më 5 janar:

“Ka një vlerë shumë të rëndësishme. E ndërtuar në Kostandinopojë, u  dhurua në vitin 1070. Fillimisht ka qenë në hyrjen kryesore. Zjarri e dëmtoi, duke ia zvogëluar përmasat. Kështu u zhvendos në një hyrje anësore. Në funksion të Jubileut - përfundon Atë Lodovico - shpresojmë se besimtarët, shtegtarët dhe turistët nga e gjithë bota do të jetojnë këtu një përvojë të bukur pendese dhe besimi të thellë, bashkimi dhe kontakti me Zotin, nëpërmjet dëshmisë së Apostullit Pal”.

08 korrik 2024, 10:58