Kërko

Ministrantët, dëshmitarë të veçantë të Krishtit dhe të Ungjillit

Nga 29 korriku deri më 3 gusht, Roma mikpret shtegtimin e 13-të të Shoqatës Ndërkombëtare të ministrantëve, apo shërbyesve të Altarit, Ministrantave. Do të marrin pjesë në takim mbi 50,000 djem e vajza, ardhur nga 15 vende të ndryshme. Pasditen e 30 korrikut, takimi me Papën Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit.

R.SH. / Vatikan

"Mos ki frikë, sepse unë jam me ty": është ky fragment i shkëputur nga Isaia profet (41, 10) që frymëzoi moton e Shtegtimit të XIII në Romë të Shoqatës Ndërkombëtare të Ministrantave (Coetus internationalis ministrantium - Cim, lindur më 1960), në program nga e hëna e ardhshme, 29 korrik, deri më 3 gusht. Parulla e takimit do të jetë "Me ty" dhe do të shoqërojë gjithë javën, që rreth 50.000 djem e vajza të altarit do ta jetojnë në Romë, të shoqëruar nga kryetari i CIM, kardinali jezuit Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut. Gjatë shtegtimit "në varrin e Pjetrit" - shkruan Kardinali Hollerich në një mesazh - "duam ta ndjejmë fort se jemi Kishë e bashkuar, Kishë e re dhe dinamike, në të cilën ju, si shërbyes të altarit, keni rol qendror, sepse jeni dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit dhe Lajmit të Mirë në famullitë dhe dioqezat tuaja”. "Kisha - përfundon kardinali - ka nevojë për këtë dëshmi!".

15 vendet e origjinës

Nëse janë të shumtë pjesëmarrësit në shtegtim, të shumta janë edhe vendet  prej nga vijnë, duke nisur nga Austria, për të vijuar me Hungarinë, Belgjikën, Zvicrën, Kroacinë, Sllovakinë, Francën, Lituaninë, Luksemburgun, Portugalinë, Republikën Çeke, Rumaninë dhe Serbinë. Nuk do të mungojnë as shërbyesit e altarit nga Ukraina, e torturuar nga më se dy vjet luftë, ndërsa grupi më i madh - me rreth 35,000 anëtarë - do të mbërrijë nga Gjermania, i shoqëruar nga kreu i Komisionit Rinor të Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, Imzot Johannes Wübbe, ipeshkëv-ndihmës i Osnabruck.

Takim me Jezusin në Eukaristinë

Për programin e hollësishëm të shtegtimit  të Shoqatës Ndërkombëtare të Shërbyesve të Altarit (Coetus internationalis ministrantium - Cim) do të flitet në një konferencë shtypi, në orët e para të pasdites të së hënës së ardhshme, por pa dyshim çasti kryesor do të jetë takimi me Papën,  planifikuar për në orën 18:00 të datës 30 korrik, në Sheshin e Shën Pjetrit. Nuk është hera e parë që shërbyesit e altarit takohen me Françeskun: më 4 gusht 2015, për shembull, përsëri në zemër të kolonadës së Berninit, u mbajt një audiencë me mijëra pjesëmarrës të mbledhur nën moton "Ja ku jam, më dërgo" (është 6, 8).

"Ju, sot, jeni më me fat se Isaia profet - u tha Papa shërbëtorëve të altarit nëntë vjet më parë – Nuk e takoni Jezusin mbi një fron të lartë e të të paarritshëm, por në bukën dhe verën eukaristike, e Fjala e tij nuk i bën të dridhen shtalkat e derës, por telat e zemrës suaj".

Shërbimi në altar, palestër edukimi për fenë e bamirësinë  

"Ashtu si Isaia - shtoi Papa Françesku - jemi thirrur të ndajmë gëzimin e njohjes  si të zgjedhur dhe të shpëtuar nga mëshira e Zotit, për të dëshmuar se feja është e aftë t'u japë drejtim të ri hapave tanë, se na bën të lirë dhe të fortë, të gatshëm dhe të përshtatshëm për mision”. Prej këndej, nxitja e Papës drejtuar djemve dhe vajzave të altarit për të qenë "ministra misionarë", domethënë "të aftë për të shkuar drejt të tjerëve, duke u çuar atyre si dhuratë, atë që morë: gëzimin.

Angazhimi konkret për paqen

Tre vjet më vonë - ishte 31 korrik 2018 - Papa Bergoglio mirëpriti edhe një herë pjesëmarrësit e Shtegtimit të CIM në Sheshin e Shën Pjetrit,   atë vit   në edicionin e tij të dymbëdhjetë. Motoja e ngjarjes kremtuar gjashtë vjet më parë, frymëzohej nga vargu 14 i Psalmit 34"Kërkoni paqen dhe ndiqeni atë". E paqja ishte pikërisht në qendër të dialogut që Papa pati me rreth 60,000 të rinjtë e pranishëm. Pesë pyetje u bënë nga fëmijët, duke prekur edhe temën e Eukaristisë, besimin dhe shenjtërinë. Papa u përgjigj duke nënvizuar se paqja është "dhurata e Zotit, e cila na shndërron në mënyrë që ne, si anëtarë të korpit të tij, të mund të jetojmë të njëjtat ndjenja, si Jezusi, e edhe të mund të mendojmë, siç mendon Ai; e të duam, ashtu siç do Ai". “Angazhimi konkret për paqen”, ai që “nis nga gjërat e vogla” - përsëriti më pas Papa “është provë e faktit se ne jemi vërtet dishepuj të Jezusit”.

Mos jini përtacë në rrugën drejt shenjtërisë

Në mbledhjen e vitit 2018 pati edhe një çast lutjeje në bashkësitë e kryesuara nga Papa, i cili në një predikim të shkurtër, pati thënë: “T’i shërbejmë lavdisë së Zotit në çdo gjë që bëjmë është kriteri vendimtar për veprimet tona, sinteza maksimale e asaj që do të thotë të jetojmë në miqësi me Jezusin. Është treguesi, që na drejton, kur nuk jemi të sigurt  se cila është gjëja e duhur për t’u bërë, që na ndihmon të njohim zërin e Zotit brenda nesh, kur i flet ndërgjegjes sonë, në mënyrë që të dallojmë vullnetin e tij" e shërbyesit të "bëhen imitues të shenjtorëve". E Papa pati përfunduar me një paralajmërim: "Kini kujdes dhe mbani mend: në rrugën e shenjtërisë nuk ka vend për të rinj dembelë".

Guxim, entuziazëm dhe spontanitet

Por Françesku takoi edhe grupe të veçanta të ministrantave, si ata gjermanishtfolës, të pranuar më 5 gusht 2014, dhe ata të Kishës së Francës, të pritur në Sallën Pali VI, më 26 gusht 2022. Në të dyja rastet, Papa i pati porositur të rinjtë të "flasin për Jezusin" me atë guxim, entuziazëm dhe vetvetishmëri që na mundëson "të arrijmë më lehtë në mendjet dhe zemrat" e shumë të rinjve. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje “të mos kenë turp nga shërbesa e Altarit”, sepse sjellja e tyre gjatë kremtimeve “është tashmë apostullat” për të gjithë ata, që i ndjekin.

27 korrik 2024, 17:51