Kërko

Kardinali Tolentino Mendonça Kardinali Tolentino Mendonça

Në letra lind një këngë e re e, në zemra, një Poet i ri: Kardinali José Tolentino Mendonça

Bota që e rrethon për Tolentino Mendonça është thjesht mjet retorik, me të cilin Mjeshtri lëmon vargun, me vëmendje shumë të përqëndruar mbi realitetin e përditshëm. Vepra e tij poetike është shikim i thellë në enigmat, në plagët, mjerimet, por edhe në shpresat e ëndrrat e pajetuara të botës. E temat, të lidhura ngushtë me jetën njerëzore, me botën materiale e shpirtërore, dëshmojnë kështu se poezia është hapësirë pa kufij

R.SH. / Vatikan

Në botën e Poezisë e të Poetëve vjen një Poet i ri, krejtësisht origjinal, Kardinali José Tolentino Mendonça. Bota që e rrethon për të është thjesht mjet retorik, me të cilin Mjeshtri lëmon vargun, me vëmendje shumë të përqëndruar mbi realitetin e përditshëm. Vepra e tij poetike është shikim i thellë në enigmat, në plagët, mjerimet, por edhe në shpresat e ëndrrat e pajetuara të botës.

E temat, të lidhura ngushtë me jetën njerëzore, me botën materiale e shpirtërore, dëshmojnë kështu se poezia është hapësirë pa kufij - ku sublimja dhe e  përvujta, e natyrshmja dhe artificialja, çka ishte - e çka nuk ishte - e çka do të jetë, gërshetohen, duke krijuar botën e re të shpirtit njerëzor… Kështu shkruan poeti, në kërkim të Poetit!

Në poezi mund të gjesh

gjëra të drejta,

gabime e helme

që duhen flakur tutje;

Mund të gjesh

shëtitje në mes të blerimit…

Po edhe  luftëra civile,

një disk të Smiths

e rryma të vrullshme oqeani

në vend të rrymave letrare…

Në krye të përmbledhjes së tij poetike, titulluar “Nata m’i hap sytë”, ndjehet fuqimisht  gjërësia e vegimit që buron nga krijimi poetik, duke nisur prej titullit “Një dritë, që s’shuhet kurrë” - për të vijuar shfletimin në vijim, ku ndjehet fort teologjia e “natës së errët” e Shën Gjonit të Kryqit. Ndonëse në poezinë e Kardinalit, njerëzorja - e hyjnorja digjen në një flakë të vetme!

Shtegtar i palëvizshëm…

Pasojë e shtegtimit të panjohur, të ri, letrar - Poeti na paraqitet si shtegtar pa shtigje. Që ecën pa luajtur fare nga vendi. I aftë për ta dalluar çka duket e çka zhduket krejt njëherësh me rrjedhën e kohës:

Unë nuk teorizoj:

vëzhgoj!

Nuk përfytyroj:

përshkruaj!

Nuk zgjedhi:

dëgjoj!

Kjo është pikënisja e poezisë së Toledo Mendoçias - e kështu e përshkruan ai vetë frymëzimin  poetik e linjën e poezisë së tij, tërësisht origjinale në “familjen” e poezisë së sotme. Me varg, arrin të shkelë në të mshehtat e jetës së vet - e të botës. Këndon, studion, depërton atje ku mund të depërtojë vetëm poezia origjinale, me forma e figura që i ndeshim për herë të parë ndër vargjet e tij – edhe pse nuk e di akoma plotësisht  se asht prift - e - Poet! Madje diçka më shumë: prift - e - kardinal! Aq më tepër për faktin se në vargjet e tij nuk e takojmë drejtpëdrejtë Hyjninë – ndonëse është i gjithëpranishëm!

E kjo, sepse Kardinali-Poet depërton poetikisht në skutat më të imta të jetës, me besimin e patundur se Zoti është aty – se ka depëruar para tij, ka folur para tij e ka marrë vendime shumë para tij – e para Këshillit të Kardinajve,  ku tani bën pjesë.

Poezia e tij është sa njerëzore, aq edhe hyjnore, gjë e rrallë e krejtësisht origjinale në të gjithë historinë  botërore të vargëzimit, a të këngës! Varg i shprehur me një gjuhë të re - ndonëse të ndërlikuar – e jo të lehtë për të bredhur në blerimet e pafundme të tij, që i ngjasin blerimeve të  asaj dite të madhe, kur Zoti tha: “Të bëhen blerimet”. E blerimet u bënë! E, në mes tyre, nisi të bëhet edhe poezia!

Poezia e Poeti janë një

Poezia e Poeti

kanë të njëjtën cilësi:

atë të thellësisë së arave,

të misterve të mëdha,

të vërtetave

të cilat u betuam t’i fshehim

e që na lanë në shpirt

një gjurmë që shlyhet

veç kur na kalojnë vitet

e ne nuk jemi më

ata që ishim!

Po duhet të kalojnë vjet e vjet

për ta harruar

atë që i nguli sytë

përmbi sytë tonë!

E kjo na bind se krijimtaria poetike mund të përceptohet si kërkim i vetevtes, pasuruar nga takimi me tjetrin që jo vetëm të shikon – por që është tjetri! Është  njeriu, me të cilin mund të ndash përvojën njerëzore, duke bashkëpunuar njëkohësisht për bashkë-krijimin e universit të poezisë, duke bredhur në thellësitë e errëta, ku fshihet bukuria… domethënë, poezia. Që nuk është poeezi – e është poezi…është natë - e ditë e është Zoti:

“Vetëm shërbimi që u bëj të tjerëve

m’i hap të dy sytë

për të parë çka Zoti

bëri për mua;

E se më do

e se në zemër më zgjoi

një këngë të re!

Kënga e re

Kjo, kënga e re e Mendonças, e frymëzuar nga toka e nga qielli - që e shpërthen gardhin e hekurt të kufijve me krahët e erës – e niset në shtigjet e pafundme të universit, zbret në thellësitë e errëta të nëntokës e ngjitet në viset e lume të qiellit! Duke e kapërcyer  pa frikë e pa zori Portën poetike të Parrizit të poezisë, me bindjen se Shën Pjetri nuk ua mbyll kurrë portën Poetëve!

Përfundim:

Por, të rikthehemi në tokë: “Ndonëse asnjë botues spanjoll deri tani nuk ka botuar ndonjë mostër minimale të poezisë së Tolentino Mendonçës, ai është një nga zërat më përfaqësuese të poezisë portugeze të kohëve tona, në të njëjtin nivel me poetët më prestigjiozë të gjuhës portugeze. E më tutje! Në Spanjë njihet për esetë e tij, disa prej të cilave i gjejmë në disa botime. E jo më pak shikon si i hapen shtigjet e poezisë moderne!

24 korrik 2024, 12:26