Kërko

CARD. LUIS ANTONIO TAGLE Omelia nella Messa conclusiva del Congresso Eucaristico al Lucas Oil Stadium di Indianapolis, USA., 2024.07.22 CARD. LUIS ANTONIO TAGLE Omelia nella Messa conclusiva del Congresso Eucaristico al Lucas Oil Stadium di Indianapolis, USA., 2024.07.22
Editorial

Andrea Tornielli: Për të nderuar vërtet Korpin e Krishtit

Gjatë fjalimit mbajtur në hapjen e Kongresit Eukaristik të Shteteve të Bashkuara, në Indianapolis, mbrëmjen e 17 korrikut, Nunci Apostolik Christophe Pierre i bëri vetes pyetjen nga se përbëhet "rilindja eukaristike".Zgjim i vërtetë eukaristik - shpjegoi kardinali Pierre - do të thotë ta shohësh Krishtin ndër të tjerët, e jo vetëm në familjen tënde, në bashkësinë tënde, por edhe ndër ata që na duken të largët

R.SH. / Vatikan

Kongresi i madh Eukaristik i Shteteve të Bashkuara, fjalët e Shën Gjon Gojartit, mbrojtja e gjithë jetës!

ANDREA TORNIELLI

Gjatë fjalimit mbajtur në hapjen e Kongresit Eukaristik të Shteteve të Bashkuara, në Indianapolis, mbrëmjen e 17 korrikut, nunci apostolik Christophe Pierre i bëri vetes pyetjen nga se përbëhet "rilindja eukaristike". E edhe çfarë është testi i lakmusit, për të ditur nëse "po vihet në provë rizgjimi eukaristik". Rizgjim i vërtetë eukaristik, shpjegoi kardinali Pierre, ndonëse "gjithnjë i shoqëruar nga devocioni sakramendor", domethënë, nga adhurimi, nga procesionet, nga katekizimet, "duhet të shtrihet përtej praktikave devocionale".

Zgjim i vërtetë eukaristik - shpjegoi kardinali Pierre - do të thotë ta shohësh Krishtin ndër të tjerët, e jo vetëm në familjen tënde, në miqtë e tu, në bashkësinë tënde, por edhe ndër ata që na duken të largët, sepse të një etnie a të një gjendjeje të ndryshme shoqërore, ose në ata që sfidojnë mënyrat tona të të menduarit, që kanë mendime të ndryshme nga tonat. Fjalë veçanërisht domethënëse, në lidhje me polarizimin që karakterizon shoqërinë amerikane, nga ndikimi i të cilit nuk përjashtohet as Kisha e atij vendi të madh.

Reflektimet e Nunc Pierre të sjellin në mendje një predikim të Atit të madh të Kishës, Shën Gjon Gojartit, i cili thoshte: «A doni ta nderoni korpin e Krishtit? Mos lejoni që ai të jetë objekt përbuzjeje tek gjymtyrët e tij, domethënë tek të varfërit, të cilëve u mungojnë edhe rreckat mbi shtatin e lakuriqtë. Mos e nderoni këtu, në kishë, me pëlhura mëndafshi, ndërsa jashtë dridhet nga e ftohta dhe lakuriqësia... Çfarë përfitimi mund të ketë Krishti nëse tryeza e flijimit është e mbushur me enë floriri, ndërsa pastaj vdes nga uria e varfanjakëve?".

Gjon Gojarti shton: «Mendoni të njëjtën gjë për Krishtin, endacak e shtegtar,  nevojtar për një çati të vetme. Ti nuk pranon ta mirëpresësh atë në shtegtarin e, në vend të mirëpritjes së tij, stolis dyshemenë, muret, shtyllat dhe dritaret e  ngrehinës së shenjtë... Ndërsa stolis hapësirën për adhurimin, mos ia mbyll zemrën tënde vëllait, që vuan. Është tempull i gjallë, më i çmuar se hapësira".

Një ipeshkëv tjetër i madh, Don Tonino Bello, kujtonte: «Fatkeqësisht, begatia në dukje e qyteteve tona na bën ta shohim lehtësisht Korpin e Krishtit në Eukaristinë e altarëve tanë. Por na pengon ta shohim këtë Korp në tabernakujt e pakëndshëm të varfërisë, nevojës, vuajtjes, vetmisë. Prandaj Eukaristitë tona janë të çuditshme...”. Duke menduar për situatën në Shtetet e Bashkuara, duhet shpresuar se rilindja eukaristike do ta çojë me vëmendje gjithnjë e më të madhe Korpin e Krishtit në "tabernakujt e pakëndshëm" të varfërisë dhe të përjashtimit nga radhët e shoqërisë.

Duhet shpresuar edhe se kjo rilindje do të favorizojë rishtas vëmendjen në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit njerëzor, të jetës së ligshtë dhe të pambrojtur, siç është ajo e ferishtes së palindur, ajo e të pastrehit, e emigrantit. Vëmendje e përtërirë në favor të jetëve të atyre, që kërcënohen çdo ditë nga dhuna dhe përhapja e pakontrolluar e armëve të shitura me lehtësi mbresëlënëse: murtajë, e cila e godet veçanërisht atë vend të madh, për t’iu kundërvënë së cilës të krishterët nuk do të bëjnë kurrë aq sa duhet, d.m.th. pasuesit e atij që në Gjetseman ndaloi mbrojtjen e Pjetrit, duke e urdhëruar ta shtinte shpatën përsëri në këllëf dhe më pas t'ia vinte në vend veshin e prerë shërbëtorit të Kryepriftit, të plagosur nga apostulli.

26 korrik 2024, 12:34