Kërko

 Kardinali Parolin me Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk në selinë e Kryeipeshkvit të Madh të Kishës Katolike Greke të Ukrainës  Kardinali Parolin me Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk në selinë e Kryeipeshkvit të Madh të Kishës Katolike Greke të Ukrainës  

Prania ime në Ukrainë, për ta çuar “të gjallë” afërsinë e Papës

Vijojnë edhe sot impenjimet e takimet e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, në vendin e Evropës Lindore. Dje, vizita te Kryeipeshkvi i Kyiv-Halych, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk: roli i Kishës duhet të jetë profetik, duhet thënë një lutje e madhe për paqen!

R. SH. - Vatikan

Në Kiev, dy ditë të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ngarkuar me veprimtari. Përpara Zojës së Berdychiv, kardinali u lut për "mrekullinë e paqes në orën e errët të Kalvarit" mbi vendin në luftë.

Afërsia e shprehur mijëra herë nga Papa, nga dritarja e Engjëllit të Zotit - e tek të gjitha "dritaret" e audiencave publike, bëhet afërsi "e gjallë". Kardinali Pietro Parolin e cilësoi kështu në përfundim të ditës së djeshme, 21 korrik, kushtuar njërit prej çasteve kryesore të vizitës, që Sekretari i Shtetit të Vatikanit po bën në Ukrainë. Vizitë të cilën dje paradite e nisi me Meshën në shenjtëroren Mariane të Berdychiv, për ta vijuar, pastaj, pasdite, në kryeipeshkvinë e  Kyiv-Halych, ku banon kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk.

Nga Papa, “afërsi tejet e madhe”

Me këtë rast Kardinali Parolin donte të ripohonte domethënien e vizitës së tij në një vend, që e kërkon në fe forcën për të përballuar dramën e çdo dite. “Mesazhi që solla nga Papa, është ai i afërsisë”. Papa e ka shprehur në shumë mënyra vitet e fundit, duke përdorur "atë epitet, që po e përdorim edhe ne, "Ukraina e martirizuar". Ati i Shenjtë tregoi që në fillim afërsi të madhe, e pjesëmarrje të madhe në dhimbjen dhe vuajtjen e këtij populli". Prania ime, nënvizoi Kardinali Parolin, "i shton diçka, le ta quajmë, "të gjallë" kësaj pranie të Papës, i cili ndan dhimbjen, por do të dëshironte edhe të ishte në gjendje të ndihmonte edhe në hapjen e "zgjidhjes për këtë luftë".

Shpresa në Zotin

Dje paradite Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë pati kujtuar në predikim e Meshës se roli i Kishës duhet të jetë profetik, sipas figurës së profetit Elia. Duhet  thënë një lutje e madhe për paqen, duke u nisur nga bindja se nuk ka gjë të pamundur për Zotin e, edhe nëse shpresat tona janë gjithmonë të shuara e të kufizuara, e dimë se Zoti është më i madh se ne, se zemrat tona e se mundësitë tona”.

Ndërtim në vazhdim

Kardinali Parolin u ndalua edhe tek një kujtim, tejet domethënës, që tregon skenarin e shkatërrimit, të cilin Ukraina po e vuan prej dy vitesh e gjysmë. Duke folur për selinë e Kryeipeshkvit të madh, kujtoi se e kishte vënë re "progresin e dukshëm" të bërë që kur e pati vizituar, në vitin 2016. Në atë kohë struktura ishte ende në fillimet e saj e madje "nëse nuk është përfunduar tani, megjithatë - vuri në dukje kardinali Parolin - është bërë përparim i dukshëm dhe shumë pjesë, veçanërisht Kisha, kanë përparuar shumë”.

Ky është kulmi shpirtëror i vizitës pesë-ditore në Ukrainë - e para e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit që nga fillimi i pushtimit rus - e cila filloi të premten, më 19 korrik, dhe përfundon të martën, më 23 korrik, kur Kardinali do të takohet me Presidentin Volodymyr Zelensky.

22 korrik 2024, 14:41