Kërko

Selia e Shenjtë: marrëveshje e Dikasterit për Komunikimin me Universitetin Papnor Urbanian

U nënshkrua dje, më 18 korrik, Konventa për menaxhimin editorial të prodhimit shkencor të Shërbimit Botues të Universitetit Papnor. Marrëveshje, që synon t'i përgjigjet gjithnjë e më shumë misionit ungjillëzues të Kishës

R.SH. / Vatikan

Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, Paolo Ruffini, dhe delegati papnor i Universitetit Urbanian, Vincenzo Buonomo, nënshkruan dje, 18 korrik, marrëveshjen, që synon menaxhimin redaktues të prodhimit shkencor të Shërbimit Botues Universitar.

Veprat e krijuara në kuadrin e Konferencës do të regjistrohen në Urbaniana University Press – Pontificia Universitas Urbaniana, së bashku me Shtëpinë Botuese të Vatikanit. Marrëveshja është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës Apostolike "Praedicate Evangelium", neni 183 i së cilës parashikon unifikimin "e të gjitha realiteteve të Selisë së Shenjtë në fushën e komunikimit", me qëllim që i gjithë sistemi t'i përgjigjet në mënyrë koherente nevojave të misionit ungjillëzues të Kishës.

Në njoftimin e djeshëm të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, kujtohet se Urbaniana University Press – Shtypi i Universitetit Urbanian - është shprehje e Shërbimit Botues të Universitetit Papnor dhe trashëgimtar i traditës së tipografisë poliglote të Propaganda Fide-s e cila, që shekullin e 17-të, u shqua për vizionin misionar global: “Kësaj thirrjeje misionare globale, në respektimin e kulturave dhe të identitetit të tyre më të thellë, i shtohet një vlerësim gjithnjë e më i madh i rolit katalizator shkencor dhe kërkimor të Shtypit Universitar, me angazhimin për zbatim të vazhdueshëm të praktikave më të mira akademike dhe inovacionit shkencor”.

19 korrik 2024, 16:12