Kërko

Armë bërthamore Armë bërthamore

Selia e Shenjtë shpreh 'shqetësim të thellë' për shtimin e retorikës bërthamore

Duke folur në një takim në selinë e OKB-së në Gjenevë, kryeipeshkvi Ettore Balestrero paralajmëron për "kërcënimin ekzistencial", që paraqesin armët bërthamore. Ripohoi edhe propozimin e përhershëm të Selisë së Shenjtë për krijimin e një fondi global për zhdukjen e varfërisë, financuar me "pjesë të fondeve të nxjerra nga shpenzimet për armë dhe për mjete të tjera ushtarake"

R.SH. – Vatikan

Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, foli këto ditë para një komiteti të OKB-së për mospërhapjen e armëve bërthamore, duke vënë në dukje “shqetësimin e thellë" të Selisë së Shenjtë për shkallëzimin bërthamor në botë.

Shtimi i retorikës dhe i shpenzimeve

Armët bërthamore, nënvizoi imzot Balestrero, janë "kërcënim ekzistencial", përkeqësuar nga "kuadri aktual i tensionuar strategjik" dhe nga "modernizimi e shtimi i vazhdueshëm i arsenaleve bërthamore". Diplomacia e Vatikanit ka mbajtur gjithnjë të njëjtin qëndrim. Vetë mbajtja e armëve bërthamore, qoftë edhe si strategji parandaluese, është moralisht e gabuar. Kryeipeshkvi e theksoi sërish këtë parim, duke vënë në dukje se edhe Papa Françesku e ka ripohuar kohët e fundit imoralitetin e prodhimit dhe të zotërimit të armëve bërthamore.

Tre propozime konkrete

Imzot Balestrero parashtroi tre propozime të Selisë së Shenjtë, si kontribut për mospërhapjen e armëve bërthamore. Së pari, pohoi ai, është e rëndësishme të pranohet se mospërhapja dhe çarmatimi, përveçse detyrime ligjore, janë edhe "përgjegjësi etike para gjithë anëtarëve të familjes njerëzore". Kryeipeshkvi përmendi fjalët e Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Nagasaki, në vitin 2019, kur tha se “paqja dhe qëndrueshmëria ndërkombëtare janë të papajtueshme me përpjekjet për t’i bazuar ato mbi frikën e shkatërrimit të ndërsjellë, ose mbi kërcënimin e asgjësimit të plotë. Ato mund të arrihen vetëm duke u bazuar në etikën globale të solidaritetit dhe të bashkëpunimit”.

Së dyti, imzot Balestrero bëri thirrje për një "dialog të sinqertë", që synon reduktimin e rezervave të armëve bërthamore në mbarë botën.

Së fundi, kryeipeshkvi vuri në dukje se paratë e shpenzuara për armët bërthamore mund të përdoren më mirë për projekte humanitare. Për këtë arsye, përsëriti propozimin e përhershëm të Selisë së Shenjtë për krijimin e një fondi global për zhdukjen e varfërisë, financuar me "pjesë të fondeve të nxjerra nga shpenzimet për armë dhe për mjete të tjera ushtarake". Imzot Balestrero nënvizoi "bindjen e fuqishme" të Vatikanit se një botë pa armë bërthamore është "e mundur dhe e nevojshme".

24 korrik 2024, 10:54