Kongresi Eukaristik në SHBA Kongresi Eukaristik në SHBA

Të dërguarit e Papës paraqesin materialet e së Dielës së Misionit Botëror 2024

Gjatë një takimi të veçantë në kuadrin e Kongresit të 10-të Kombëtar Eukaristik në Indianapolis, Indiana, që përfundoi më 21 korrik, kardinali Luis Antonio Tagle dhe kardinali Christophe Pierre nënvizuan rëndësinë e mbështetjes së të Dielës së Misionit Botëror, që do të kremtohet më 20 tetor, në më se 1100 dioqeza të botës në luftë

R.SH. – Vatikan

Kardinali Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Seksionit të Ungjillizimit të Parë të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin dhe kardinali Christophe Pierre, nunc apostolik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëjnë thirrje të gjallërohet shpirti misionar për të ndihmuar besimtarët nevojtarë në mbarë botën.

Gjatë Kongresit të 10-të Kombëtar Eukaristik në Indianapolis, Indiana, më 20 korrik, në një takim të veçantë, kardinajtë paraqitën materialet, që do të përdoren këtë vit në shumicën e dioqezave amerikane për të promovuar Misionin e 98-të Botëror, të dielën më 20 tetor. Papa Françesku zgjodhi si temë për këtë vit: “Shkoni dhe ftojini të gjithë në gosti”.

Sipas një note të Veprave Misionare Papnore, të dërguarit e Papës nënvizuan rëndësinë e së Dielës së Misionit, e cila nuk është thjesht një ditë takimi, por mundësi për të ripërtërirë impenjimin e Kishës për ungjillëzimin dhe për mbështetjen e misioneve në mbarë botën.

Kongresi Kombëtar Eukaristik i SHBA-së

Kongresi Kombëtar Eukaristik i SHBA-së përfundoi të dielën me një meshë në një stadium futbolli amerikan, në praninë e dhjetëra mijëra njerëzve, që u lutën për "një Rrëshajë të re" në Kishën amerikane. Kardinali Luis Antonio Tagle kryesoi meshën përfundimtare në Indianapolis më 21 korrik, si i dërguar i veçantë i Papës Françesku në këtë ngjarje. Ai nënvizoi se Ati i Shenjtë dëshiron që kongresi të çojë drejt "kthimit në Eukaristi". Ishte përfundimi i natyrshëm për takimin e filluar më 17 korrik, që mallëngjeu SHBA-në për pjesëmarrjen shumë të ndierë të më se 60 mijë vetëve, ardhur nga 50 shtetet amerikane, që u lutën vazhdimisht e në fund, u bënë thirrje katolikëve të shpallin Ungjillin kudo me jetën e tyre, vetëm 24 orë pasi ishte folur pikërisht për misionin e për Ditën kushtuar atij.

E Diela e Misionit Botëror

Papa Piu XI themeloi të Dielën e Misionit Botëror në vitin 1926 si nismë të Veprës për Përhapjen e Fesë, një nga katër Veprat Misionare Papnore. Që atëherë, ajo është kremtuar gjithnjë si ditë solidariteti universal në të gjithë botën katolike, të dielën e parafundit të muajit tetor. Dita është përpjekje e Kishës për të ofruar ndihmë për më se 1100 dioqeza, veçanërisht për më të varfrit, nëpërmjet bashkësive të krishtera lokale dhe dëshmisë së tyre për Krishtin.

Rrënjët e kësaj dite lutjeje dhe solidariteti gjenden në Francën e shekullit të 19-të, kur laikja e lume Pauline Jaricot u kërkoi miqve të saj të luteshin çdo ditë për misionet dhe të jepnin një qindarkë në javë për to. Ky fond i parë u dërgua në dioqezën e Luizianës e, më pas mbledhja e fondeve u shtri nga Florida Keys në Kanada, si dhe në Bardstown, Kentaki.

Kardinali Pierre e kardinali Tagle: të gjallërohet aspekti misionar i Kishës

Kardinali Pierre, i cili është anëtar i jashtëm i Këshillit Drejtues të Veprave Misionare Papnore, theksoi rëndësinë e gjallërimit të përmasës misionare të Kishës, duke mbështetur kështu “Papën Françeskun në këtë përpjekje, pasi Papa është misionari i parë". Së bashku me kardinalin Tagle kujtuan vendet, që kanë përfituar nga fondet e mbledhura nga Kisha në Ditën kushtuar Misionit dhe kërkuan lutje për këtë në çdo famulli. "A lutemi për misionet në famulli?" pyeti kardinali Tagle. "A japim informacion mbi nevojën e popujve për të dëgjuar Ungjillin, apo e kemi reduktuar të Dielën e Misionit Botëror thjesht në mbledhje fondesh?" Kardinali filipinas vur në pah se rreth 1.150 territore varen nga ndihmat e Ditës Botërore të Misionit.

"Azia është kontinenti më i populluar në botë – theksoi ai. - Dy të tretat e popullsisë së botës jetojnë në Azi, por vetëm tre përqind e tyre janë të krishterë". Kardinali kujtoi një famulli në Kamboxhia me vetëm një meshtar dhe takimin me një prift në Nepal pas tërmetit, ku kishin mbetur vetëm pesë famullitarë, të shpërndarë në një rajon tejet të shtrirë. Nëse u tregohen njerëzve këto histori, këmbënguli pro-prefekti i Vatikanit, “jam i sigurt se zemrat e tyre do të përflaken" e "do të duan të ndihmojnë në përhapjen e Lajmit të Mirë ndër kaq shumë njerëz të dëshpëruar", duke pasur parasysh se "lajmi më i madh është Zoti ynë, Jezu Krishti".

23 korrik 2024, 11:05