Kërko

Takimi Parolin-Zelensky Takimi Parolin-Zelensky

Ukrainë. Parolin takohet me Zelensky, impenjim për një "paqe të drejtë dhe të qëndrueshme"

Sekretari i Shtetit të Vatikanit u prit në Kiev nga kreu i shtetit ukrainas, të cilit i çoi afërsinë e Papës

R.SH. – Vatikan

         Takimet institucionale të zhvilluara ditët e fundit nga kardinali Pietro Paolin me liderët ukrainas arritën kulmin paraditen e sotme në Kyiv, me bisedën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me presidentin Volodymyr Zelensky. Në një postim në platformën X, Sekretaria e Shtetit jep njoftimin për këtë, duke pohuar se prelati i theksoi kreut ukrainas “afërsinë e Papës dhe impenjimin për të gjetur paqen e drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën e martirizuar”.

Takimi Parolin-Zelensky
Takimi Parolin-Zelensky

Zelensky pati pritur në qershorin e vitit të kaluar të dërguarin e Papës Françesku, kardinalin e Bolonjës Matteo Zuppi, njëkohësisht, kryetar i ipeshkvijve italianë. Gjithashtu, presidenti ukrainas ka folur me Papën në disa raste. Vetë Zelensky pati njoftuar në platformën X për bisedën e 28 dhjetorit 2023 me Atin e Shenjtë, gjatë së cilës u shkëmbyen urimet për Krishtlindje dhe u fol për “paqen e drejtë për të gjithë ne”, siç shkruante kreu ukrainas, duke vënë në dukje vlerësimin vatikanas për planin presidencial të paqes.

Takimi Parolin-Zelensy
Takimi Parolin-Zelensy

Bisedimet e mëparshme me Papën

Papa e pati pritur presidentin e Ukrainës në Vatikan më 13 maj, takimi i dytë personal pas atij të vitit 2020, i pari që nga sulmi rus kundër vendit. Dy ditë pas shpërthimit të konfliktit, më 26 shkurt 2022, Françesku – shkruante Zelensky në Twitter – shprehu dhimbjen e thellë për çka po ndodhte. Nga ana e tij, presidenti deklaroi se populli ukrainas e ndjeu mbështetjen shpirtërore të Atit të Shenjtë. Më 22 mars 2022, të dy liderët parën një bisedë telefonike. Gjithnjë Zelensky nënvizonte në Twitter se e kishte informuar Papën për "situatën e vështirë humanitare dhe për bllokimin e korridoreve të ndihmës nga forcat ruse", duke theksuar se e mirëpriste “rolin ndërmjetësues të Selisë së Shenjtë për t’u dhënë fund vuajtjeve njerëzore".

Më pas, një tjetër telefonatë, më 12 gusht 2022. Sërish në Twitter, presidenti ukrainas deklaronte se ai dhe Françesku kishin folur për tmerret e popullsisë nën pushtimin rus. Zelensky shprehte mirënjohjen ndaj Papës për lutjet e tij dhe shpresonte për vizitën e tij në Kyiv.

23 korrik 2024, 17:18